Pasi faktuam sesi ky është një tender i paracaktuar. Pasi faktuam se kompania Excelerate Global Operations LLC nuk i zotëronte këto asete as kur hyri në garë, as kur u shpall fitues dhe as kur firmosi kontratën me KESH sha dhe pse ishte kriteri kryesor. Pasi bëmë transparencë për një pjesë të parave të paguara për të vënë në punë dy anijet të cilat kishin që nga viti 2018 që nuk përdoreshin pasi janë teknologji e vjetër dhe me çmim 160% më të lartë se tregu për prodhimin e energjisë. Tani do bëjmë transparence për një tjetër kosto por mbi të gjitha për një tjetër super skandal brenda aferës Tigri 1 dhe Tigri 3. Ky skandal është publikuar nga kolegu Habion Hasani për Hashtag.al.
Ndërsa TEC-et lundruese ishin prej 3 vitesh në brigjet e Vlorës dhe pa asnjë ditë punë, të shëndërruara tashmë në kosto miliona euro, KESH nis edhe procedurat e radhës në lidhje më këtë projekt, ku gropa financiare sa vjen e thellohet. Në datën 07.08.2024, KESH ka bërë njoftimin publik për procedurën e blerjes së 21 000 Ton lëndë djegëse HFO, për Termocentralet Lundruese, Vlorë. Periudha e dorëzimit të ofertave ishte data 27.08.2024. Kontrata dhe lëshimi garancive do realizohej deri në datën 28.09.2014 dhe data e furnizimit do të negociohej dhe përcaktohej në kontratë jo më vonë se 28.10.2024. Sipas specifikimeve teknike të KESH, është përcaktuar që kohë zgjatja e kontratës do të jetë deri në 05.11.2024 dhe afati lëvrimit të produktit do të ishte 30 ditë nga lëshimi i LC (Letter of Credit) nga ana e KESH për pagesë. Ekzistojnë dyshimet e arsyeshme se kjo Kontratë me vlerë mbi 11 milion USD, nuk ka zbatuar kriteret dhe specifikimet sipas ligjit të Prokurimve Publike, apo afatet përkatëse të bëra publike. Anija që ka transportuar lëndën djegëse HFO, është HOPE A me flamur Maltës, e cila është ankoruar në Valletta në datën 28.10.2024 dhe ka mbërritur në Shqipëri në datë 2 Nëntor ora 23:00,
Nga deklarata doganore e datës 03.11.2024, provohet se eksportuesi është kompania EMAD Energy SA-1207 Geneva (CH). Provohet nga e njëjta deklaratë se marrësi është KESH sh.a. Provohet se vendi origjinës së produktit është Algjeria dhe vendi eksportues është Malta. Provohet nga fatura origjinale se sasia është 21412.5 Metric/Ton dhe vlera e pagesës për produktin është 515.25 USD/MT ose 11 milionë USD si vlerë totale e produktit. Provohet se kompania EMAD Energy SA është e rregjistruar në Zvicër dhe nuk është e rregjistruar në Shqipëri. Kompania EMAD Energy SA, nuk rezulton të jetë e pajisur me Licensën A sipas nenit 19 të ligjit 8450 “Për përpunimin, transportimmin, tregëtimin e naftës dhe gazit dhe nënprodukteve të tyre”.
As KESH dhe as kompania tregëtuese nuk kanë këtë licensë A për lëndën djegëse sipas nenit 10, pika III, gërma ç dhe nenit 14 për shoqëritë e tregëtimit me shumicë.
Lejimi i hyrjes së lëndës djegëse në territorin e Shqipërisë kërkon konfirmim nga Dogana dhe ISHTI dhe çdo lëndë djegëse naftë apo nënprodukt i saj që hynë në Shqipëri nga dikush pa licensë është kontrabandë.
Mostër marrja nga ISHTI referuar Urdhërit Nr.6 datë 09.01.2015 për të çertifikuar standardet teknike të produktit naftë HFO, bëhet vetëm në përputhje me ligjin 8450.
Pranimi i produktit HFO nga kompania EMAD Energy SA me procedura extraligjore, për projektin e Gjenerimit Termik, ngre dyshimet jo vetëm për qëllime korruptive, por edhe të cënimit sigurisë kombëtare dhe financimit në mënyra të tërthorta të strukturave armike të Shqipërisë. Kompania eksportuese EMAD Energy SA ka lidhje me kompaninë “ASB Group of Companies in Turkey”. Pronari i ASB Grpup është dënuar për KRIME FEDERALE në kuadër të TERRORIZMIT, kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Dhe këtu fijet korruptive duket se lidhen edhe me interesa më të errëta, atë të financimit të Gardës Revolucionare të Iranit, fakt ky i denoncuar edhe më herët.
E-mail-et e siguruara nga Iran-Leaks, sugjerojnë se në vitin 2021, administratori i kompanisë “EMAD Group SA”, komunikonte me një nga menaxherët e grupit turk ASB, për të sjellë në Shqipëri rreth 3400 ton karburant, ku çmimi përcaktohej nga “Sonatrach”, që nuk është gjë tjetër veçse kompania shtetërore e naftës në Algjeri. Por konsultimi i dokumenteve të Iranian-Leaks, i çon shumë më thellë rrënjët e grupit turk ASB në Shqipëri.
Rezulton se grupi i sanksionuar turk ASB, në vitin 2020 ka realizuar një operacion të shitjes së naftës iraniane në vlerën e 36 milionë dollarëve, duke përdorur si bazë Shqipërinë. Në Shqipëri është e regjistruar një kompani me pronarë turq e quajtur “MAC General Trading shpk”.
Nga të dhënat e Iran-Leaks rezulton se përfaqësuesi i kësaj kompanie i quajtur Murat Halli, komunikonte me e-mail me përfaqësuesin e ASB Group në Turqi të quajtur Kazim Oztaz për tregtimin nëpërmjet Shqipërisë të një sasie karburanti me vlerë 36 milionë euro.
Shtetasi Kazim Oztaz u dënua tre vite më vonë nga një gjykatë amerikane, për thyerje të embargos së naftës dhe u sanksionua.
E-mail-et e Iran Leaks kanë zbuluar se fatura tatimore e kompanisë shqiptare MAC General Trading shpk është realizuar me një filial të ASB Group, por një kontratë konfidenciale e zbuluar nga paketa e e-mail-eve sugjeron se në fakt kompania shqiptare e ka blerë naftën drejtpërdrejt në Iran në sajë të një marrëveshje direkte me kompaninë iraniane “Madolia Group”.
Tregues ky se në vitin 2020 Shqipëria ka qenë bazë e operacioneve për kontrabandimin e naftës iraniane dhe shmangies së embargos dhe sanksioneve të vendosura.
Grupi turk i sanksionuar ASB, ka pronar shtetasin Sitki Ayan. Ai është në ortakëri dhe joint-venture nëpërmjet të paktën 12 kompanive me gardën ushtarake të Iranit, e cila ka kontrollin e shitjes së naftës së këtij vendi.
Sitki Ayan nuk është thjesht një biznesmen turk që punon me iranianët, ai është një mik shtëpie i Erdoganit dhe bën pjesë në rreshtin e parë të të besuarve të tij.
Kjo nuk ka qenë praktika e parë, për blerje nafte, pasi në shkurt të vitit 2024 kanë bërë një tjetër prokurim. Fitues në këtë rast ka qene Firden Kuqi dhe fondi i përfituar është 3 milionë euro. Praktika e radhës, objekt i investigimit bëhet në muajin shtator, por këtë herë me kompani që nuk janë të licencuara për këtë shërbim. Ç’ka nënkupton se janë blerë 4 mijë ton karburant për vënien në punë të Tigri 1 dh Tigri 3, por që nuk u vunë në punë asnjëherë. E importuesit e kësaj sasie karburanti ishin në dijeni që për të kryer këto operacion ishte e domosdoshme që kompania që do të kryente importin të ishte e licencuar, por përdorën një kompani tjetër për futjen kontrandë të 21 mijë tonë naftë, e cila faktohet që ishte në lidhje me Gardën Revolucionare të Iranit.
Aksesi i kompanive të kompromentuara turke që punojnë me kompani qeveritare shqiptare si KESH apo që kanë përdorur Shqipërinë si bazë operacionale të thyerjes së sanksioneve buron nga marrëdhënia e ngushtë e Ramës me Erdoganin.
Së fundmi një ish-punonjës i Pentagonit i quajtur Michael Rubin ka pretenduar në një analizë se ish-ambasadorja amerikane Yuri Kim ka toleruar këtë marrëdhënie mes Ramës dhe Erdoganit e shtyrë nga ambicia e saj e shpallur që të bëhej ambasadore e SHBA-ve në Turqi. Dhe roli i Yuri Kim në këtë aferë miliona euro, duket se nuk ka qenë veç një dyshim i ngritur nga gazetarë dhe zyrtarë të huaj, por është konfirmuar edhe nga Belinda Balluku dhe vetë Yuri Kim, që merrte përsipër të fliste në emër të SHBA, për një operacion korruptiv ku SHBA nuk kishte asnjë rol.
Por t’i rikthehemi kostove dhe ndjekjes së parave, ku shkojnë milionat për mbajtjen e këtyre anijeve TEC. Sipas të dhënave teknike këto anije duan 25.000 ton HFO në muaj pra thënë edhe me thjeshtë ky tender i fundit i KESH për blerjen e 21.000 ton naftë në vlerën 11.000.000 euro është kostua që do vidhet nga xhepat tanë çdo muaj që të prodhojnë këto anije energji me një çmim 160% me të lartë se tregu.
Në vijim të projektit të Asetit të Gjeneruesit Termik, Vlorë, duke vlerësuar kostot fikse minimale për 1 vit, rezulton se KESH ka shpenzuar deri tani 40 milion euro, pa prodhuar asnjë megavat energji. Deri në këtë moment të investigimit jemi të qartë se kemi të bëjmë me një aferë të pastër korruptive. Plug investigoi dhe më tej për të hedhur dritë dhe mbi përfituesit. Për këtë analizuam të dhënat e kompanisë së regjistruar në shqipëri për zbatimin e kontratës së lidhur me KESH sha. Në qershor të vitit 2022 regjistrohet në QKB kompania Excelerate-Renco FPB me ortak 90% Exelerate Abania Holding shpk dhe Renco S.p.a. Në gusht të vitit 2022 Asambleja e Ortakëve vendos të rrisë kapitalin e saj bazuar në marrëveshjen e lidhur me palëve . “Ortakët vendosën të miratojnë rritjen e kapitalit në vlerën e 4.322.563 dollarë”. Në dhjetor të vitit 2022 në QKB depozitohen vendime të reja të Asamblesë së Ortakëve vendos për një tjetër rritje kapitali: “Ortakët vendosën të miratojnë rritjen e kapitalit në vlerën 23.128.455 dollarë.” Rritja është bërë duke depozituar para cash të dyja kompanitë sipas aksioneve që zotërojnë. Por Ortakët depozitojnë dhe një tjetër vendim të tetorit të vitit 2022 ku miratojnë pagesën e faturës NR.2, për shërbim inxhinerik që është lidhur me ortakun Renco spa në vlerën e 3.9 milionë dollarëve. Në mars të vitit 2023 në QKB depozitohet një tjetër vendim I JANARIT 2023 për të kryer pagesën e faturave NR.11-12 për Renco Spa në vlerën e 1.5 milionë dollarëve për shërbime inxhinierike.
Nga gushti që regjistrohet kjo kompania që administron kontratën me KESH, ka 12 fatura të lëshuara nga ortaku Renco Spa SIPAS KONTRATËS INXHINIERIKE TË PROKURIMIT DHE NDËRTIMIT.
Në mars Asamblea e Ortakeve miraton pagesën e faturave NR.25-26 në vlerën 1.5 milionë dollarë për të njëjtën kontratë me Renco Spa. Të gjitha pagesat që kalojnë nga Excelerate-Renco FPB te ortaku Renco për pjesën inxhinierike dhe ndërtimin për vënien në punë të Tigrave dhe njëkohësisht ky financim kalon dhe si rritje kapitali.
Pra deri në mars të vitit 2023 janë kryer pagesat e 26 faturave të cilat sipas përllogaritjes shkojnë në vlerën e 20 milion dollarëve, veprime këto që ngren dyshim pasi anijet as nuk janë vënë në funksion dhe as nuk janë lëvizur nga vëndi i ankorimit. Në maj të vitit 2023 kompania I drejtohet me shkresë QKB ku e njofton se ka shlyer tëresisht ritjen e kapital në vlerën 2.6 miliardë lekë ose mbi 26 milion dollar. Këto para siç e shpjeguam dhe më lartë shumica i janë paguar ortakut Renco spa.
Deri në shkurt të vitit 2025 kompania deklaron vetëm këto vendime të Asamblesë së Ortakëve duke raportuar se tashmë vlera e aksioneve i kalon 50 milionë dollarë dhe të gjitha janë injektime parash nga ortakët për të paguar ortakun Recno spa. Ndërsa kapitali rritet ndjeshëm, kjo kompani nuk deklaron asnjë bilanc. Për të patur më shumë të dhëna analizuam dhe ortakun kryesor Excelerate Albania Holding. Kjo kompani ka si ortak të vetëm kompaninë Excelerate Energy Limited Partnership, pra jo kompaninë që ka lidhur kontratën me KESH sha, Excelerate Global Operations LLC.
Ky veprim ngre jo vetëm dyshime të forta por është e kundraligjshme pasi këto kompani dhe nëse zotërohen nga i njëjti aksioner janë dy entitete të ndryshme. Sipas dokumentacionit të dorëzuar gjatë tenderit anijet i ka në zotërim Ecxelerate Global Opertations LLC, kontrata lidhet me ta e ndërkohë kompania e krijuar në Shqipëri për administrimin pikërisht të kësaj kontrate me KESH themelohet nga Ecxelerate Energy Limited Partnership.
Nga të dhënat zyrtare rezulton se Excelerate Energy Limited Partnership që ka themeluar Excelerate Albania Holding e cila ka themeluar Excelerate Renco FPB që do të përfitojë faktikisht paratë e Shqiptarëve,e pikërisht për projektin në Shqipëri ka një aksioner të cilit nuk ja deklaron emrin në vlerën 10%.
Pra e thënë më thjesht, taksapaguesit shqiptar do të paguajnë 94 500 dollarë në ditë apo 70 milionë dollarë në dy vite, dhe 10 % e kësaj shume shkojnë për një aksioner i cili rezulton i fshehtë. Nuk dihet nëse ky aksioner është një zyrtar, një shtetas shqiptar apo i huaj. Por kushdoqoftë ai, i takon SPAK që të hetojë dhe të zbulojë se kush është përfituesi fundor i miliona eurove nga taksapaguesit shqiptarë. Deri më sot dihet se ortakët kanë investuar rreth 50 milionë dollarë për një asset të blerë 15 milionë dollarë dhe paratë kanë shkuar po të ortaku Renco për instalimin e anijeve që vetëm po marrin dhjetra miliona euro para nga buxheti i shtetit dhe nuk kanë prodhuar asnjë kilovat orë energji.
Emisioni Plug
syri net