Berisha: Çdo shqiptar që do të kthehet në Shqipëri do të jetë 5 vite pa asnjë taksë
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një takimi me emigrantët shqiptarë në Milano, deklaroi sot se viti 2025 do të jetë viti i diasporës dhe i fitores së opozitës.
Ju jetoni në një vend të lirë dhe e dini se nuk ndodh që kundërshtarët politikë të burgosen për të vjedhur mandatet. Nuk ndërtohen rrugë dhe shkolla me 10-fishin e çmimit për të grabitur qytetarët. Nuk pasurohet një grusht hajdutësh në krye të shtetit dhe qeverisë me pasuritë e popullit”, tha Berisha.
Ai theksoi se mbështetja ndërkombëtare për opozitën po rritet, duke përmendur se strategu kryesor i rikthimit të Donald Trump është tashmë pjesë e fushatës së PD.
Berisha u bëri thirrje emigrantëve të angazhohen dhe të kontribuojnë për ndryshimin politik në Shqipëri, duke theksuar rëndësinë e votës për të rrëzuar qeverinë aktuale.
LaCivita e ka deklaruar qartë: ai ka ardhur për të mbështetur projektin tonë për Shqipërinë Madhështore! Programi ynë është gati dhe do të nisë me një paketë emergjence që do të nxjerrë çdo shqiptar nga varfëria ekstreme brenda tre muajve”, tha Berisha.
Ai nënvizoi se çdo shqiptar që rikthehet në vend do të përfitojë nga 5 vite pa asnjë taksë dhe stimuj të tjerë për nxitjen e investimeve.
Shqipëria e shpresës do të jetë realitet! Do të ndërtojmë një ekonomi prodhuese ku markat shqiptare do të mbushin dyqanet dhe do të vërshojnë në tregjet ndërkombëtare”, shtoi ai, duke premtuar mbështetje të madhe për sipërmarrjen dhe prodhimin vendas.
Në fund, Berisha ftoi shqiptarët të bëhen pjesë e këtij ndryshimi: “Do të bëhet gjithçka nën moton: ekonomi, ekonomi, ekonomi! Shqipëria Madhështore do të jetë krenaria jonë, një vend i fuqishëm dhe i begatë”.
“Shqipëria e shpresës realizohet në 3 muaj! Një paketë emergjence që nxjerr cdo shqiptar jashtë varfërisë ekstreme. Çdo shqiptar që do të kthehet në Shqipëri do të jetë 5 vite pa asnjë taksë dhe do të ketë stimuj të tjerë për nxitjen e investimeve në vend. Shqipëria madhështore do të jetë Shqipëria e krenarisë sonë. Shqipëria madhështore do të jetë Made in Albania! Mendoni për një moment, fshatrat nga ku keni ardhur, pasuritë përrallore që ka vendi, nuk i ka vend tjetër në aq territor në Evropë dhe në Botë! Do të bëhet gjithçka nën moton, ekonomia ekonomia ekonomia! Shqipëri prodhuese, markat shqiptare do mbushin dyqanet, do vërshojnë”, u shpreh ai.