Drejtesi shqiptare! I denuar per pronat e marra nga Olta Xhacka/ Dështon gjyqi për Jorgo Goron

Drejtesi shqiptare! I denuar per pronat e marra nga Olta Xhacka/ Dështon gjyqi për Jorgo Goron

Ka dështuar ditën e sotme zhvillimi i seancës në Gjykatën e Posaçme për ish-kryebashkiakun e Himarës, Jorgo Goron dhe të pandehurit e tjerë, në lidhje me çështjen e tjetërsimit të një sipërfaqe toke në fshatin Gjilekë, e cila i ishte falur Artan Gaçit, bashkëshortit të Olta Xhaçkës, për të ndërtuar resort si investitor strategjik.

Të pandehur për këtë çështje janë marrë dhe Jerasimo Bashi, ish Drejtor i Drejtorisë së Menaxhimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Bashkisë Himarë dhe Vezir Gjikokaj, ish Jurist i ZVRPP-së, dega vendore Vlorë.

Prokurori i SPAK, Ols Dado në pretencën e tij ka kërkuar që ish-kryebashkiaku Jorgo Goro të dënohet me 3 vjet burg. Po të njëjtin dënim dhe për Jerasimo Bashin, si dhe 2 vite heqje lirie për Vezir Gjikolajn. Po ashtu, ka kërkuar konfiskimin e tokave të sekuestruara që ishte përcaktuar të përdoreshin për investimin strategjik, si dhe të një apartamenti të Goros.

Në seancën e sotme pritej të bëhej mbrojtja e të akuzuarve dhe të shpallej vendimi nga Gjykata e Posaçme. Por, seanca ka dështuar dhe GJKKO ka dënuar me gjobë mbrojtësit ligjorë të Vezir Gjikoka me shumën 10 mijë lekë, për shkakun se kur gjykata ka caktuar datën e sotme gjyqësore mbrojtësi ka shprehur dakordësinë e tij dhe nuk ka referuar që të ketë seanca gjyqësore të tjera dhe ta bentë të pamundur paraqitjen e tij në këtë seancë.

Gjyqtari Ardit Mustafaj caktoi avokat kryesisht për Jerasimo Bashin, duke qenë se mbrojtësi i tij nuk u paraqit. Me vendim u caktua avokati Artan Simoni, anëtar i dhomës së Avokatisë Tiranë. Po ashtu, për Vezir Gjikokajn është caktua avokate kryesisht Pranvera Doçi, anëtare e dhomës së avokatisë Tiranë.

Gjykata vendosi të shtyjë seancën për në datën 12 mars ora 11:00 dhe pezulloi afatet e paraburgimit për Jorgo Goron si dhe afatet e masën “arrest në shtëpi” për Vezir Gjikokën.

Sipas hetimit të prokurorisë, Goro ishte pjesë e një skeme tjetërsimi pronash në bregdet nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara, përmes miratimit të kalimit të një toke shtet në pronësi fundore të Artan Gaçit. Në një tjetër episod u konstatuan paligjshmëri në konfirmimin një plan rilevimi me një vendndodhje gjeografike të pasurisë, krejtësisht të ndryshme nga ajo që i korrespondon dokumentacionit pronësor.

Goro gjendet në burg prej marsit të vitit të kaluar. Ndërkohë, SPAK e ka marrë të pandehur ish-kryebashkiakun e Himarës dhe për një tjetër çështje. Në këtë rast ai akuzohet për shpërdorim detyre së bashku me dy vartës të tij, lidhur me procedurat e marrjes së tokës nga familjet bujqësore, si dhe në procedurat e kalimit të tokës bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore në pronësi të përfituesve.

Share it :

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *