Kryetari i PD, Sali Berisha gjatë prezantimit të programit për sektorin e energjisë dhe burimeve natyrore, është shprehur se energjia do të shndërrohet në një nga sektorët më fitimprurës dhe në një nga gjeneratorët kryesorë të begatisë për shqiptarët.
Berisha theksoi se, Made in Albania do mbetet krenaria për shqiptarët pasi do të bëhet gjithçka që këto minerale të përpunohen jo vetëm në pasurim apo shkrirje, por do bëjmë gjithçka që ato të shndërrohen në Shqipëri në pjesë prodhimi, në makineri prodhimi.
“Unë mendoj se energjia do të shndërrohet në një nga sektorët më fitimprurës, do shndërrohet në një nga gjeneratorët kryesorë të begatisë së shqiptarëve. Synimi ynë është begatimi i shqiptarëve.
Shqipëria nuk është e madhe vetëm në fushën e energjisë. Shqipëria është po kaq e madhe në fushën e minierave.
Ky vend ka rezerva botërore të mineraleve, nevojat për të cilat mbetet pothuajse e përjetshme.
Shqipëria përsëri disponon rezerva kromi, të cilat pak vite më parë tërhoqën gjigantët e minierave në botë si Vankuver, etj.
Shqipëria ka rezerva po kaq të mëdha të nikelit, hekurit, hekur-nikelit, por Shqipëria ka edhe minerale të tjera, përfshi këtu tokat e rralla.
Gjeologët shqiptarë kanë bërë studime shumë serioze, të cilat po myken në arkivat e fakulteteve apo bibliotekave.
Studime që dëshmojnë se Shqipëria ka një potencial të jashtëzakonshëm minerale.
Banka Botërore në vetvete ka sponsorizuar dhe ka ndërmarrë studime shumë serioze mbi potencialet minerare të Shqipërisë.
Përpjekje serioze u bënë, por të gjitha përfunduan në duart e mafies. Ligji u shkartis, u shkatërrua.
Oferta transparente u zhduk.
Me përpjekje, Shqipëria u anëtarësua në Iniciativën e Transparencës së Industrive Nxjerrëse pranë OKB. Shkelën të gjitha kushtet për të cilat ne u anëtarësuam.
Por në qoftë se ka një fushë ku, përveç naftës dhe gazit, ku Made in Albania mund të jetë e nivelit botëror, janë mineralet, janë minierat që gjenden në të katër anët e këtij vendi.
Në këtë kontekst, ne synojmë me projektin tonë Shqipëria Madhështore, të ofrojmë dhe të vendosim metodat më moderne të eksplorimit, studimit dhe shfrytëzimit të pasurive të pafundme minerale të ka vendi.
Ne do bëjmë gjithçka që ato të përpunohen jo vetëm në pasurim apo shkrirje, por do bëjmë gjithçka që ato të shndërrohen në Shqipëri në pjesë prodhimi, në makineri prodhimi. Pra, Made in Albania do mbetet krenaria për shqiptarët”, u shpreh Berisha.