Kryetari i PD, Sali Berisha vijoi duke theksuar se rinia shqiptare do të jetë ajo që do ta zgjidhë këtë çështje. Ai akuzoi Edi Ramën për një akt të pastër censure, duke e krahasuar me të atin e tij dhe vendimet e tij në diktaturë. Sipas liderit të opozitës, mbyllja e TikTok-ut është një veprim i nxitur nga frika e qeverisë ndaj mendimit ndryshe dhe kritikave të të rinjve.
“Këtë e zgjidh rinia. Do e zgjidhin përdoruesit e TikTokut kur ky mizor e mbyll me të njëjtën urrejtje për mendimin ndryshe, njëlloj si i ati i tij që firmosi varjen e poetit në litar.
Dhe ju lutem, meqenëse jeni këtu, ja ku i keni 1400 pyetje dhe komente, në të cilat nuk ekziston asnjë nga pyetjet që i është bërë Edi Ramës në monologun e tij, pyetjet e shpikura nga vetja e tij, pyetjet që i bën vetes për të shmangur gazetarët dhe për të bërë sikur i ka zëvendësuar ata me qytetarët.
Ju lutem shumë qytetarëve të shohin këtë mashtrues publik, i cili meriton vetëm për këtë të lërë detyrën.
Por ai nuk ka dinjitet, nuk ka moral, nuk ka asgjë përveç mashtrimit që u bën qytetarëve shqiptarë”, tha Berisha.