Pesticidet e ndaluara vazhdojnë të vrasin shqiptarët, Prokuroria refuzon të japë informacion
Një javë më parë, Piranjat transmetuan skandalin e 35 pesticideve të ndaluara, të pranishme në Shqipëri. Pasojat që ato shfaqin në organizmin tonë janë fatale, por përtej këtij alarmi, insititucionet zgjodhën të heshtin.
Në gjithë botën universistetet bashkëpunojnë me bizneset. Janë ato që u japin fermerëe këshilla. Sa fermerë marrin këshilla nga Universiteti Bujqësor i Tiranës? Zero. Sepse UBT e ka mendjen të vjedhë lekët e popullit. Ça bëri UBT me këtë rastin e 35 pesticideve, që janë në Shqipëri? S’beri asgjë,” u shpreh Enriko Ceko, ekspert i sigurisë ushqimore.
A ka një protokoll për kontrollin e produkteve me kimikate të ndaluara?
“Çështja është te gjithë institucionet e sistemit të bujqësisë dhe ushqimit, ku Ministria është në krye. Në momentin që ti shkon dhe i thua laboratorit më jep listën e kimikateve që ke gjetur, ai thotë ik o shoku se s’të njoh. Pse? Sepse laboratori s’ka marrëdhënie me shtetin. Në momentin që të jap një licensë si laborator, aty pastaj firmoset një gjë e vogël, që ka detyrime.
Në momentin që ti cakton në detyre një person që nuk është i fushës, edhe sikur ta çojnë në SPAK, do thotë s’dija gjë. Cila është llogaria që kjo ministre do t’i kërkojë drejtorit. të Mbrojtjes së Bimëve në Ministrinë e Bujqësisë. Çfarë do i kërkojnë këta drejtorit të AKU-së? Ku ata s’dinë fushën,” shtoi ai.
Ndërkohë, duke vlerësuar situatën e rrezikshme me të cilën përballet çdo qytetar që blen dhe konsumon produktet me pesticidet e ndaluara, Piranjat i dërguan prokurorisë së Tiranës një informacion të detajuar me të gjitha faktet që publikuan një javë më parë. Por përgjigja ishte vërtetë zhgënjyese.
“Nuk na rezulton që deri në këto momente në prokurorinë pranë gjykatës së shkallës së parë të Tiranës, të ketë materiale kallëzuese në lidhje me çështjen e pesticideve të ndaluara në produkte ushqimore në Shqipëri. Ju ftojmë të depozitoni kallzim penal,” thuhet në përgjigjen e kësaj prokurorie.
Pra, thënë shkurt e qartë, edhe kur kanë në duar provat e një krimi, prokurorët nuk kanë kohë për të hapur një hetim kryesisht, por mjaftohen me fjalinë, depozitoni kallzim, edhe pse sipas kodit të procedurës penale thuhet se prokuroria merr dijeni për veprën penale edhe me iniciativën e vet, edhe me njoftim të bërë nga të tjerët. Njoftim që u bë në mënyrë të detajuar nga emisioni nëpërmjet emailit…gjq që nuk u pranua.
E ndërsa flasim, qindra tonelata fruta, perime dhe nënprodukte të tyre, të kontaminuara me toksinat e rrezikshme të pesticideve, vijojnë të hidhen në tregun vendas, pa më të voglin kontroll dhe pa më të voglën ndërgjegje të autorëve dhe sehirxhinjve që kanë mbyllur të dy sytë përballë këtij skandali me përmasa vrastare. Në këto kushte, a duhet ta bëjë gjumin e qetë zonja ministre e Bujqësisë?