Edi Rama në kryqëzim, mes Berlinit dhe Mar-a-Lago
Si ka ndryshuar qëndrimi i kreut të qeverisë shqiptare pas “furtunës” që ka ngritur Donald Trump
Me të njëjtin patos që dikur përshëndeste aleancën euro-atlantike dhe lavdëronte Biden e Merkel, tani Edi Rama i flet Evropës në frymën e një filozofi të iluminizmit ballkanik, që ka zbuluar papritur se mesazhet e Trump nuk janë aq keq sa duken, megjithëse janë krejt e kundërta nga ato të SHBA pak muaj më parë.
Në ceremoninë e ndarjes së çmimit “Karlspreis – Karli i Madh”, Rama gjeti rastin të përcjellë edhe një herë debatin mbi të ardhmen e Evropës dhe marrëdhëniet me SHBA-në.
Mes shumë batutash, përsëriti një mesazh të mirëmenduar tashmë për presidentin e ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës:
“Ndoshta Zoti i shpëtoi jetën Donald Trumpit jo vetëm për të bërë Amerikën më të madhe, por për të zgjuar Europën dhe për t’i dhënë asaj mundësinë të kuptojë që nuk mund të vazhdojë sikur bota të ishte njësoj.”
Po të mos ishte zyra e shtypit e kryeministrisë që e konfirmon takimin, mund të mendohej se ishte ndonjë nga strategët e Trump-it që u shpjegonte evropianëve se duhet të mësohen të mbajnë mbi supe barrën e vetes.
Mirëpo, e vërteta është që Rama – si gjithmonë – ka gjetur një mënyrë për t’u përshtatur me realitetin e ri, duke harruar gjithçka ka thënë dhe ka bërë dje.
Nga altoparlanti i Biden te mesazheri i Trump
Nëse dikush do të kishte thënë para një viti se Edi Rama do të recitonte një variacion të “America First” për Evropën, do të ishte marrë si shaka. Sepse është i njëjti lider që gjatë presidencës së Biden-it nuk la rast pa shfrytëzuar për të siguruar pozicionin e aleatit model të SHBA në Ballkan, ai që lëshonte lot krokodili për Ukrainën, u hakërrehej rusëve në Këshillin e Sigurimit dhe mbante fjalime të gjata kundër agresionit rus në samitet për Zelenskin.
Por me kushtet e reja që janë krijuar, retorika e Ramës është përshtatur me klimën e re globale, me një Trump të rilindur dhe një Evropë që duhet të zgjedhë nëse do të mbijetojë pa Amerikën. A nuk është ky momenti perfekt për t’u bërë mesazher i “zgjimit evropian” që Trump kërkon?
Në fjalimin e tij në ceremoninë e çmimit “Karli i Madh”, Rama nuk harroi të fuste edhe një nga batutat e tij karakteristike, duke vënë në dukje se megjithëse Shqipëria është një vend i vogël, ai është “më i gjatë se Friedrich Merz”, lideri i CDU-së në Gjermani.
“Është Merz ai që duhet të marrë vendime prej të gjati.”
Mes humorit dhe filozofisë së tij të improvizuar, Rama lëshoi një tjetër mesazh të fortë: “Evropa ka më pak miq sot se para agresionit rus dhe kjo është diçka që duhet kuptuar.”
A është Edi Rama i pari lider europian që ripozicionohet në rendin e ri global?
Kjo është deklarata e dytë kur kryeministri i Shqipërisë flet për Donald Trump dhe pasojat pozitive që do të ketë për Europën ardhja e tij në Shtëpinë e Bardhë. Herën e parë, kur foli për median spanjolle “La Razon”, e quajti Trump një “bekim” për Europën.
Nga mënyra se si e ndërton retorikën, duket se ka qenë ndër të parët që e ka nuhatur krisjen në aleancën perëndimore dhe po përpiqet të gjejë një vend në realitetin e ri ku SHBA-ja nuk është më garanci për Evropën.
Me Trump-in që nuk e ka për gjë të lërë BE në mëshirë të fatit dhe me liderë si Macron e Starmer që po përpiqen të riformulojnë një strategji paqeruajtëse për Ukrainën, Rama po përgatitet për botën e re ku Amerika nuk do të jetë më garantuesi i rendit ndërkombëtar.
Dhe ndërsa Brukseli ende përpiqet të kuptojë se çfarë po ndodh, Rama duket se ka bërë zgjedhjen e tij: nëse nuk e mund dot Trumpin, më mirë përshtatu… duke harruar të djeshmen.
Nuk ka rëndësi nëse është i njëjti lider që dje mbështeste fuqishëm politikën e aleancës BE-SHBA për mbrojtjen pa kushte të Ukrainës. Sot duhet bërtitur se Trump ndoshta ka një plan më të mirë për Evropën. Një plan që duket i frikshëm, por që për Ramën ka rëndësi vetëm një gjë; të jetë ulur në tryezë, jo në menu. ©LAPSI.al