Alimehmeti: Rama po uzurpon pushtetin vendor, po përdor Bashkinë si vepër elektorale
Ilir Alimehmeti, kryetar i grupit të këshilltarëve të opozitës në Këshillin Bashkiak të Tiranës dhe drejtues i departamentit të shëndetësisë në Partinë Demokratike, ka dhënë një intervistë në “Syri TV”, ku ka analizuar situatën aktuale në Bashkinë e Tiranës. Ai ka theksuar se Bashkia e Tiranës është në një gjendje vdekjeje klinike, duke e lidhur këtë me vendime dhe zhvillime të pakontrolluara.
Alimehmeti ka kritikuar qëndrimin e Erion Veliajt dhe ka shpjeguar se shumë figura të rëndësishme janë larguar nga ekipi i tij për shkak të kushteve të pasigurisë dhe situatave të krijuara. Ai ka theksuar gjithashtu se situata është përkeqësuar pas arrestimeve të ndodhura, që kanë përfshirë drejtorë të ndryshëm dhe figura kyçe të administratës lokale. Për Alimehmetin, Rama po e përdor Bashkinë e Tiranës thjesht për qëllime elektorale dhe po e uzurpon pushtetin vendor, duke shkelur Kushtetutën. Ai e ka quajtur këtë një situatë të papranueshme për demokracinë vendore dhe ka nxjerrë në pah se kjo është një shkelje flagrante e parimeve të ndarjes së pushteteve.
Është e vërtetë që ka mbi një vit e gjysmë që Bashkia e Tiranës është praktikisht në gjendje vdekje klinike.
Ju besoj e keni shumë të qartë që, që kur e nisi këtë legjislaturë, që e nisi ashtu siç e nisi Erion Veliaj me shpurrën e vet, disa u larguan më herët se ndjenë erën, si minjtë që largohen nga anija. Ju e dini, i pari që u largua ishte vetë Mazniku, që ishte nënkryetar i Bashkisë së Tiranës shumë gjatë dhe shkoi ministër i Pushtetit Vendor.
E më pas patëm arrestimet e para, Taulant Tusha i pari në dhjetor, disa drejtorë të tjerë më pas në mars, disa të tjerë që u zëvendësuan, u shtua lista në vjeshtë, e me radhë.
Element tjetër është që Rama është duke menduar, duke e përdorur Bashkinë e Tiranës thjesht si vepër elektorale, pra jo si koncept për të dhënë ato shërbime që duhet të japë Bashkia e kryeqytetit.
Si e bën Rama këtë? Shkon dhe e uzurpon vetë, pra shkon dhe shkel Kushtetutën me dy këmbë, shkon kryeministri dhe merr pushtetin vendor.
Kjo nuk ndodh kurrë! Pushteti vendor dhe pushteti qendror janë të ndarë me Kushtetutë dhe bëhen zgjedhje të ndara. Po të kishte qenë që pushteti vendor ndodhet nën Kryeministri, atëherë mjaftonte të bënim ne zgjedhjet qendrore, siç kemi tani më 11 maj 2025, dhe kryeministri të shkonte t’i emëronte të 61 kryetarët e bashkive.