Raporti i Nastradinit Rama me historinë dhe kalimi i ylberit


Nga Agim Nesho

Raporti i Nastradinit Rama me historinë dhe kalimi i ylberit
Nga Agim Nesho

Nastradini Shqiptar Rama është i aftë të shesë çdo gjë. Si Nastradin ai është më i artikuluari, më demagogu që e shet sapunin për djathë. Erdhi në pushtet duke e shitur Rilindjen si mrekullia që po i vjen Shqipërisë, por në fakt ishte aleanca më e madhe e qelbësirave, e kriminelëve që donin të futeshin në politikë dhe “atdhetarëve” që donin ta rrjepnin vendin. Në mandatin e dytë Nastradini ishte mahnitur nga Vuçiç dhe skenarët serbë për ndryshimin e kufijve sa deklaroi se “situata të tilla historia mund ti sjellë një herë në 30-40 vjet” dhe shqiptarët nuk duhet ti humbnin.

Mandatin e tretë Nastradini kërkonte të rriste identitetin e tij prej shtetari dhe themeloi me Vuçiç mini-Shengenin ballkanik, inisiativë që shpejt u shit si Ballkan i Hapur, ku ballkanasit, sipas Vuçiç dhe Ramës, të ndjejeshin zot të fateve të tyre. Urrejtja për Europën dhe kriteret e saj, një Europë që nuk vlerësonte vizionin dhe lidershipin e udhëheqësve autokratikë ballkanikë, kërkonte një kundërpërgjigje. Ballkanasit mund të mbijetonin “të lirë dhe të pavarur” se kishin përkrahjen e krimit të organizuar, të kanabisit politik, të sheikëve arabë, për ta kthyer Ballkanin në një port të ndërthurjes së influencave të huaja në zemër të Europës. Për më tepër që kthimi i Ballkanit Perëndimor në një platformë të shpërndarjes së drogës në Europë ishte një shenjë force e tyre.

Por koha po ndryshonte shpejt ashtu si dhe rendi ndërkombëtar i vendosur pas Luftës së Dytë Botërore. Interesat e reja gjeopolitike dhe rritja e zonave të influencës së fuqive të mëdha po i orientonte autokratët ballkanikë të bënin zgjidhje të reja. Nastradinit Shqiptar, për të justifikuar pushtetin e tij personal, i duhej një skenar i rinovuar për mandatin e tij të katërt. Duke qenë se Europës i duhej uniteti dhe po vepronte për interesa gjeopolitike, Nastradini Rama doli me platformën elektorale të integrimit Europian, të një integrimi që vetëm ai mund ta bënte të mundshëm se kishte një skuadër prej 2000 vetash që punonin për të. Nga dëshira për të fituar ai harronte se administrata civile nuk ishte pronë e tij dhe i shërbente interesave të vendit, por në subkoshiencë ai tregonte se në një shtet të kapur cdo gjë është pronë e tij.

Midis dëshirës së një populli për tu integruar në Europë që në vitet ’90, dëshirë që ai e kishte penguar sistematikisht – që nga kushtet për këshillin bashkiak të Fierit e deri në “mallkimet” për një Europë indiferente e të paaftë – Nastradini Rama zgjodhi marshin europian si tallavanë e radhës. E zgjodhi se ai e di sesa larg është Shqipëria autokratike nga vlerat europiane, se sa larg është Shqipëria e pastrimit të parave dhe krimit të organizuar, por se ky proces i vështirë dhe i largët i mundëson të justifikojë mandatin e 4, 5… edhe pse jo dhe pushtetin e tij të palimituar në kohë.

Nastradini Rama është i aftë të ndryshojë cdo gjë, madje të kalojë edhe ylberin për të justifikuar pushtetin e tij. Ai sot, për të justifikuar pushtetin e tij të kalbur, bëri të mundur bashkimin e Partisë së tij me renegatë të Ballit Kombëtar, duke kërkuar që edhe kjo parti nacionaliste ti bashkohet atij. Ai sot është “europianizuar” dhe ka harruar retorikën e zjarrtë të pulave të pjekura, që ballistët e sotëm nuk i kanë shijuar, kur i duhej për të ngritur figurën sharlatane të tij në atë të një “patrioti”. Mendoni se si është vizioni i tij europian, ku do të bashkëjetojnë poturet otomane të sulltanit, thasët me ar të sheikëve, droga e trafiqeve të Amerikës Latine, kazinotë e Sinaloas dhe të turistëve që tranzitojnë për prekur rritjen e një regjimi mbretëror në zemër të Europës.

Projekti “Europian” i Edi Ramës është vetëm një makijazh i vazhdimësisë së projektit të bandokracisë që i siguron qetësinë e pushtetit.

Share it :

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *