Të rrezikshëm për shoqërinë: Ja kush janë 40 migrantët që ka marrë Rama nga Italia
Zbulimet mbi identitetin e emigrantëve të paligjshëm të dërguar në Shqipëri nga anija Libra e Marinës Ushtarake, raportojnë mediat italiane.
Njëri prej tyre është i parregullt që prej vitit 2016 dhe nuk ka dashur kurrë të marrë leje qëndrimi.
Kush janë 40 emigrantët e paligjshëm që janë subjekt i një urdhri dëbimi për shkak se përbëjnë rrezik për shoqërinë dhe për këtë arsye janë transferuar në qendrën e pritjes në Gjader të Shqipërisë me anijen Libra të Marinës Ushtarake?
Sipas informacioneve të para të dala në dritë, të paktën 60% e këtyre migrantëve kanë precedentë penalë për vepra të shumta penale: ka nga ata që janë dënuar për tentativë vrasjeje, pesë prej tyre janë shpallur fajtorë për dhunë seksuale, shumë të tjerë kanë vendime gjyqësore të formës së prerë për joshje të të miturve, trafik droge dhe krime kundër personit ose pasurisë, sipas të dhënave nga baza kombëtare e të dhënave të policisë.
Një gjë kanë të përbashkët: të gjithë, të paktën një herë, kanë dhënë identitet të rremë. Sipas ministrit të Brendshëm, Matteo Piantedosi, këta emigrantë janë përzgjedhur për t’u mbajtur në qendrat e pritjes (CPR) duke u dhënë përparësi atyre që, përveçse janë të paligjshëm sepse nuk kanë leje qëndrimi, janë të rrezikshëm për shoqërinë për shkak të precedentëve të tyre penalë.
Ligji e përcakton qartë: midis atyre që duhet të mbahen në qendrat e pritjes para dëbimit, duhet të ketë përparësi ata që konsiderohen kërcënim për rendin dhe sigurinë publike, ose që janë dënuar, edhe me vendim jo përfundimtar, për vepra penale për të cilat parashikohet arrestimi i detyrueshëm në flagrancë ose që shkaktojnë shqetësim të madh shoqëror – sqaroi ministri në një konferencë shtypi në Napoli pas një takimi me vendet partnere të Mesdheut (Spanja, Greqia, Malta dhe Qipro).
Prej këtu vjen edhe nevoja për transferimin e tyre me pranga plastike, pasi bëhet fjalë për “persona të transferuar në një gjendje të kufizimit të lirisë personale, edhe si rezultat i një vendimi të marrë nga autoriteti gjyqësor”.
Ndër migrantët e dërguar në qendrën e pritjes në Shqipëri, ka të paktën katër që janë të konsideruar veçanërisht të rrezikshëm për shoqërinë. Njëri prej tyre, me origjinë nga Afrika Veriore, ishte liruar nga burgu më 30 mars për një bashkim dënimesh që përfshinte 1 vit, 5 muaj e 27 ditë burg për armëmbajtje pa leje, vjedhje dhe rezistencë ndaj punonjësit të policisë.
Ai ka disa dënime për vjedhje, grabitje, armëmbajtje pa leje dhe dhunë fizike. Mësohet se ka përdorur disa identitete të ndryshme dhe nuk ka tentuar asnjëherë të legalizojë qëndrimin e tij përmes kërkesës për leje qëndrimi – në thelb, ai ka qëndruar krejtësisht në ilegalitet që nga hyrja e tij në territorin italian.