Skandal/Kosova prezantohet me fusnot, zv/ministri Dobruna braktis konferencën e organizuar nga qeveria Rama

Zëvendësministri i Financave të Kosovës Agon Dobruna e ka konsideruar skandal dhe të papranueshëm sjelljen e Qeverisë Shqiptare dhe veçanërisht të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, teksa ka qenë i ftuar prej tyre në një konferencë rajonale.

Dobruna sqaron se nuk është respektuar nga institucionet tona, ndonëse ka pritur një javë për të marrë prej tyre një sqarim.

Në një status të publikuar në rrjetet sociale një javë pas aktivitetit, Dobruna thotë se e ka parë të papranueshme trajtimin e Kosovës si vend që duhet të prezantohet me fusnotë, që do të thotë, nuk mund të jetë si gjithë vendet e tjera përfaqësuese, për aq kohë sa nuk njihet nga pesë shtete të Bashkimit Evropian.

Për Dobrunën, pranimi i këtij fakti nga Qeveria Shqiptare është më tepër se skandal dhe ai nuk e priste këtë gjë nga një vend kaq mik, siç edhe e thotë në reagim.

I ndodhur në kushtet kur nuk ka marrë asnjë përgjigje nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtgjes Sociale, Dobruna ka vendosur të largohet nga konferenca duke e lënë vendin bosh.
Por sot që shkruajmë, nuk ka asnjë sqarim nga qeveria dhe ministria përkatëse.
Fusnota sipas Dobrunës i është vendosur Kosovës deri në momentin që të formalizohet dialogu me Serbinë.

Ngjarja kishte për qëllim nënshkrimin e Deklaratës së Angazhimit nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor dhe më gjërë, për të forcuar bashkëpunimin rajonal në fushën e të drejtave të fëmijëve dhe për të avancuar qasjen ndaj kujdesit dhe shërbimeve gjithëpërfshirëse për fëmijët”, thotë Dobruna, duke shtuar se ai nuk ka mundur ta nënshkruaj këtë deklaratë dhe kjo për faj të Shqipërisë. 

Reagimi i Agon Dobrunës

Javën e kaluar isha i ftuar për të përfaqësuar Republikën e Kosovës në Konferencën Rajonale të nivelit të lartë “Avancimi i Reformave në Kujdesin për Fëmijët: Eksplorimi i Kuadrit të Garancisë Evropiane për Fëmijët”, e mbajtur në Tiranë dhe e organizuar nga Qeveria e Republikës së Shqipërisë. Për shkak të mënyrës së papranueshme të përfaqësimit të Republikës së Kosovës me fusnotën e ‘Rezolutës 1244 të OKB-së’, një fusnote e kundërt me atë që përdor Bashkimi Evropian dhe e cila ne formë të tillë është tërësisht e papranueshme, dhe faktit që edhe pas disa kërkesave deri më sot nuk pati asnjë ndryshim qasjeje nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e Republikës së Shqipërisë, u detyrova të largohem nga konferenca dhe të mos e nënshkruaj deklaratën e parashikuar aty për nënshkrim nga mbi dhjetë shtete pjesëmarrëse.
Ngjarja kishte për qëllim nënshkrimin e Deklaratës së Angazhimit nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor dhe më gjërë, për të forcuar bashkëpunimin rajonal në fushën e të drejtave të fëmijëve dhe për të avancuar qasjen ndaj kujdesit dhe shërbimeve gjithëpërfshirëse për fëmijët.
Megjithatë, mënyra si u trajtua përfaqësimi i Kosovës ishte thellësisht zhgënjyese dhe e papranueshme për një shtet sovran, që kontribuon në mënyrë aktive dhe të barabartë në këto procese.
Pavarësisht kërkesës sonë të qartë dhe të drejtpërdrejtë për të korrigjuar këtë paraqitje, ajo u injorua, duke shkelur frymën e bashkëpunimit, respektit dhe barazisë që promovon vetë konferenca.
Kosova është një realitet i pamohueshëm ndërkombëtar. Ne jemi të përkushtuar thellësisht për të garantuar të drejtat e fëmijëve tanë, për të ndërtuar sisteme sociale gjithëpërfshirëse dhe për të kontribuar në paqe e stabilitet në rajon. Por kjo nuk mund të bëhet duke na mohuar subjektivitetin shtetëror, përmes një fusnote që bie ndesh me të vërtetën dhe me miqësinë që presim nga shtetet që na qëndrojnë pranë.
Përdorimi i fusnotës në këtë kontekst nuk është një çështje procedurale – është një çështje e dinjitetit kombëtar, e respektit dhe e trajtimit të barabartë, veçanërisht kur organizatori është një vend mik i Republikës sonë.

Share it :