Berisha: Ne do 6-fishojmë subvencionet për çdo fermer! Rama vodhi fondet e BE-së, Krifcën e bëri këshilltare
Kryetari i PD, Sali Berisha nga Kruja ka premtuar 6-fishim të subvencioneve për çdo fermer. Gjatë takimit me bizneset në tregun artizanal, Berisha teksa tha se brenda vitit të parë do ketë një rritje të madhe të prodhimit., produktet ‘Made in Albania’ do të jetë synimi ynë kryesor i qeverisjes së demokratëve dhe aleatëve të saj.
Berisha tha se, do të ketë kredi të buta, 80 përqind të interesave për fermerët dhe biznesin e vogël, do e mbulojë shteti.
“Çfarë do bëjmë ne?
Ne thjesht fare që ta dini, ne do kthejmë paratë tek ju.
Ne, paratë që marrim nga qytetarët, nga secili prej jush, ne do i kthejmë një pjesë të mirë tek ju për rroga, për pensione, dhe do vendosim minimumin jetik.
Minimumi jetik është një shumë me të vërtetë minimale, 200 euro, por është një shumë që çdo shqiptar e nxjerr jashtë varfërisë ekstreme. Një njeri që merr 6.3 euro në ditë nuk është në varfëri ekstreme. Është i varfër, por jo në varfëri ekstreme.
Kështu që me këtë ne bëhemi një shoqëri më e drejtë, më e moralshme dhe dëshmojmë se nuk do lëmë njeri në vuajtje, në dhimbje, në mjerim.
Këto brenda 100 ditëve.
Së dyti, rrogat e ulëta do i ngremë në 500 euro.
Rrogat sot, nëse do kishin ndjekur ligjin e inflacionit, rrogat e ulëta sot duhej të ishin 730 euro. Po këta menduan vetëm për rrogat e larta, trefishuan, katërfishuan rrogat e larta.
A mund të imagjinoni ju këtë vend me zyrtarë që marrin 7 mijë euro në muaj. Në botë, një vend i tillë nuk ekziston, që një punonjës të marrë 7 mijë euro, një pension të jetë 120 euro.
Kjo është jashtë çdo lloj morali dhe ka vetëm moralin e Edi Ramës, një narkoshteti, që sundon me krimin, që vjedh me krimin dhe largon shqiptarët çdo ditë nga Shqipëria.
Pra, rrogën si hap i parë 500 euro, bizneset, ata më treguan se këto 12 vite nuk janë bërë as 10 përqind të investimeve në këtë qark se ato që u bënë 8 vite para tyre.
Edi Rama e ka inauguruar dy herë rrugën e Sari Sëlltikut, të ndërtuar dhe inauguruar nga ne. Dhe mendon se është harruar, por nuk e di ai se krutanët i japin ujë në bisht të lugës atij.
Të kishte pasur ai një të katërtën e mençurisë së krutanit, Shqipëria do ishte krejt tjetër sot.
Taksat kanë qenë shumë të larta.
Merrni TVSH-në, shqiptarët paguajnë 9 përqind të prodhimit të brendshëm si TVSH, 6 përqind paguajnë gjermanët dhe italianët sepse këta janë vërsulur me taksa mbi çdo gjë.
Jo, ne nuk kemi atë filozofi. Ne krahas filozofisë t’ua kthejmë paratë qytetarëve, kemi tjetrën, t’ua lëmë paratë biznesmenëve për të zgjeruar aktivitetin e tyre, për të zgjeruar vendet e punës, për të prodhuar më shumë. Dhe kjo funksionon. Kjo ka funksionuar.
Jam i sigurt se ne brenda vitit të parë do kemi një rritje të madhe të prodhimit.
Made in Albania do të jetë synimi ynë më kryesor.
Fermerët janë në kushte shumë të vështira. Subvencionet, edhe ato që jepte BE, i mori Edi Rama me akrabanë e vet. Po pse them unë Edi Rama? Sepse BE e kapi në flagrancë ministren e Shqipërisë, e cila kishte abuzuar në mënyrë të rëndë me 130 milionë euro të dhëna për fermerët shqiptarë.
Në vend që t’ua jepte fermerëve, ua shpërndante oligarkëve, djegësit të Tiranës, ua shpërndante pra rrethit të Tiranës.
BE e ndërpreu ndihmën, po bën një hetim, Edi Rama, meqenëse ishte bashkautor në këtë abuzim, Krifcën, e cila u bë famoze se do ngrinte akademinë e çobanëve, e mori këshilltare.
Sigurisht, se ajo ka zbatuar urdhrat e tij.
Ne do 6-fishojmë subvencionet për çdo fermer.
Ne heqim çdo barriere jo ka 100 kokë, jo ka 10 kokë, jo ka kaq hektarë, aq hektarë. Çdo fermer do subvencionohet për çdo njësi prodhimi, për çdo kokë bagëti, për çdo fidan të mbjellë.
Do ketë kredi të buta, 80 përqind të interesave për fermerët dhe biznesin e vogël, do e mbulojë shteti.
Do ndalohet me ligj importimi i inputeve bujqësore që nuk shiten në të paktën dy vende të BE. Sikundër i ilaçeve që nuk shiten në të paktën dy vende të BE”, tha Berisha.