Nga Dulaku e Gaz Demi, te Luca e Arbër Hajdari, ja kujt ia fali Rama Shqipërinë për “1 euro”


Në fund të Janarit 2025, pavarësisht kundërshtisë së fortë të opozitës, shumica e majtë e Edi Ramës miratoi në Parlament “Paketën e maleve”, një ligj që lejon qeverinë të japë prona publike me kontratë “1 euro”.

Nisma “1 euro” u prezantua për herë të parë në vitin 2006 nga qeveria e Sali Berishës, si një mekanizëm që synonte që të thithte investitorët e huaj, si një mjet për të amortizuar krizën e thellë ekonomike globale, e cila pati kulmin në vitin 2008.

Por, kjo nismë me qëllim pozitiv, u shndërrua nga kryeministri Edi Rama, që mori pushtetin në vitin 2013, për ta përdorur si një mekanizëm qokash ndaj njerëzve dhe biznesmenëve pranë tij.

Për të kuptuar qëllimin e Ramës, mjafton të shihet lista e përfituesve të “kontratave 1 euro” dhe aktiviteti i tyre publik ose raportet me qeverinë e “Rilindjes”, sipas një përmbledhjeje të kryer nga portali i specializuar për menaxhimin e fondeve publike “spending.data” (opencorporates).

Dulakët 

Familja Dulaku, e cila operon në fushën e ndërtimit me “Concord Investment” shpk, krahas televizionit pro-majtas “Vizion Plus”, ka përfituar më së paku dy kontrata me qira simbolike “1 euro”, të miratuara nga qeveria e Edi Ramës.

Në foto: (Nga e majta në të djathtë) Kryeministri Edi Rama, ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro dhe biznesmeni Artan Dulaku

– Më datë 26.04.2018, u miratua lidhja e kontratës së qirasë me tarifën 1 euro ndërmjet Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, si qiradhënës dhe shoqërisë “Concord Investment” shpk, si qiramarrës, për pasurinë “Pjesë të ambienteve të Portit të Limjonit”, Sarandë, me sipërfaqe të përgjithshme prej 5 370 (pesë mijë e treqind e shtatëdhjetë) m2 , për një periudhë 20-vjeçare.

–  Më datë 01.07.2020, u miratua lidhja e kontratës së qirasë me tarifën 1 euro, ndërmjet Ministrisë së Financave dhe Ekonomise, si qiradhënës, dhe shoqërive “CONCORD INVESTMENT” SHPK dhe “KASTRATI GROUP” SHA, si qiramarrës, për pasurinë shtetërore me sipërfaqe të përgjithshme 265.299,5 m2 në Sarandë, në pronësi të Ministrisë së Mbrojtjes, si dhe truall me sipërfaqe 2502 m2, po në Sarandë, në pronësi të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, për një periudhë 20 vjet. 

Rozafa 

Kompania e prodhimit dhe përpunimit të peshkur, “Rozafa”, në pronësi të Gjergj Lucës, një biznesmen që nuk e fsheh aspak afërsinë dhe mirënjohjen për kryeministrin Edi Rama, ka nënshkruar disa kontrata qiraje “1 euro” për 20 vjet me qeverinë e Rilindjes.

Në foto: Pronari i “Rozafa” shpk, Gjergj Luca dhe kryeministri Rama

– Përfitues nga VKM Nr. 873, datë 30.10.2015 i pasurise “Objekte të Agjencisë së Rezervave të Shtetit, Labinot, Elbasan”, në administrim të Drejtorisë së Përgjithshme të Rezervave të Shtetit, me sipërfaqe të përgjithshme 52613 m2. 

– Përfituese nga VKM Nr. 266, datë 29.03.2017, për pasurinë “Objekte dhe truall, të Agjencisë së Rezervave Materiale të Shtetit Labinot, Elbasan (pjesa e mbetur) ”, në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Punëve të Brendshme, të Drejtorisë së Përgjithshme të Rezervave të Shtetit, Drejtorisë Rajonale të Rezervave të Shtetit Elbasan, me sipërfaqe të përgjithshme 52.514 m2.

– Përfitues nga VKM nr. 526, datë 25.07.2019, i pasurisë Prona nr.338, me emërtim “Ish-Reparti Ushtarak nr.5012/20”, me vendndodhje në Çekrez, Gramsh, me sipërfaqe të përgjithshme 28 960 m².

– Përfituese nga VKM nr. 701, datë 30.10.2019, i pasurisë Sektori autopark, ish-Parku i Minierës së Hekur-Nikelit, Përrenjas”, me sipërfaqe të përgjithshme 10 287.3 m2.

– Përfituese nga VKM nr.394, datë 09.06.2022, i pasurive te “Kombinatit të Sheqerit” sh.a., Maliq, të llojit ndërtesë, me sipërfaqe 1 165.5 m2. 

Gaz Demi

Biznesmeni Gaz Demi, i lidhur herët me socialistët, që në kohën kur drejtoheshin nga Fatos Nano, vijon raportet e ngushta me qeverinë e Edi Ramës. Si president i klubit të futbollit të “Partizanit”, Demi ka përfituar kontratë “1 euro” me vendimin e qeverisë së Rilindjes.

Në foto: (Nga e majta) Olsi Rama, vëllai i kryeministrit Edi Rama dhe biznesmeni Gaz Demi

– Përfitues nga VKM Nr. 183, datë 09.03.2016, i pasurisë “Ambiente të pronës nr. 4, me emërtim “Reparti Ushtarak nr. 4030, rruga “Myslym Keta”, Tiranë”, në administrim të Ministrisë së Mbrojtjes, me sipërfaqe të përgjithshme 37. 000 m2. 

Pak muaj pas miratimit të kësaj kontrate me qira simbolike, Gaz Demi emëron si Drejtor të Përgjithshëm të klubit Partizani, Olsi Ramën, vëllain e kryeministrit Edi Rama.

Arbër Hajdari

Fondacioni “Fundjava Ndryshe”, nën drejtimin e Arbër Hajdarit, një personazh publik që gjendet shpesh publikisht në krah të kryeministrit Edi Rama, njëkohësisht edhe djali i ish-prokurorit Shkëlqim Hajdari, i cili aktualisht punon në stafin e ngushtë të shefit të qeverisë, ka përfituar dy kontrata qiraje “1 euro”.

Në foto: Kryeministri Rama dhe drejtori ekzekutiv i “Fundjava Ndryshe”, Arbër Hajdari

– Përfitues nga VKM Nr. 118, datë 13.03.2019, i pasurisë me emërtim “SHA Riparim Artilerie”, me vendndodhje në Brar, Tiranë, me sipërfaqe të përgjithshme 43.169 m2, me afat 20 vjet.

– Përfitues me VKM Nr. 240 datë 17.04.2024, të pasurisë shtetërore me emërtimin “Prona nr.98 “Grup-depo, ish-reparti ushtarak nr.5011”, me sipërfaqe të përgjithshme 16 214 me vendndodhje në Brar, Tiranë, në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Mbrojtjes, me afat 20 vjet.

Carlo Bollino

Gazetari dhe biznesmeni italian, i natyralizuar në shqiptar, Carlo Bollino, pronar i “MTSC” shpk, administruese e televizionit me qasje pro-qeveritare, “Report Tv”, është gjithashtu në listën e përfituesve të kontrave të qirasë “1 euro” me kabinetin e Edi Ramës.

Në foto: Biznesmeni Carlo Bollino dhe kryeministri Rama

– Përfitues nga VKM nr. 642, datë 02.10.2019, dhe VKM nr. 157, date 19.02.2020, i pasurisë shtetërore “Ish-ndërmarrje metalike “Tirana” (Reparti i orëve), prona nr.19, me sipërfaqe të përgjithshme 4894.10 m2, në përgjegjësi administrimi të Ndërmarrjes Industriale nr.1, Tiranë, për një periudhë 20 vjet.

Gjikuria 

Kompania “Gjikuria”, në pronësi të biznesmenit Florenc Gjikuria, përfituese e kontratave të rëndësishme publike me qeverinë e Edi Ramës, është pjesë e listës “1 euro”.

Në foto: Biznesmeni Florenc Gjikuria

– Përfituese nga VKM nr.593, datë 07.09.2022, i pronave te paluajtshme shtetërore të fshatit Gjilekë, Bashkia Himarë me sipërfaqe totale 9 157.2 m2, për një periudhë 20-vjeçare, për projektin investim strategjik “Ëhite Roads Hotel”.

Lista vijon edhe me të tjerë kompani e biznese, ku ajo që bie në sy është se numri i personave apo shoqërive të huaja që kanë përfituar kontrata me qira simbolike “1 euro” është fare minimal.

Bold News

Share it :