Afera e Shekullit’ / Harxhi denoncon miliona euro të zhdukura, varrezat e Sharrës mbi një bombë ekologjike
Anëtarja e Kryesisë së Partisë Demokratike dhe njëkohësisht kandidate për deputete në Qarkun e Tiranës, Edith Harxhi, ka denoncuar për Syri TV një nga skandalet më të rënda mjedisore dhe njerëzore që po ndodh sot në zemër të kryeqytetit, situatën alarmante të varrezave të Sharrës dhe landfillit pranë tyre.
Në një deklaratë të fortë nga terreni, Harxhi ngriti shqetësimin se jemi përballë “aferës së shekullit”, ku qindra milionë euro të taksapaguesve janë zhdukur në një sistem të dështuar dhe të dyshimtë menaxhimi mbetjesh.
Më shqetësuese akoma, është fakti që kufomat në varrezat e reja po dalin mbi sipërfaqe, ndërkohë që mbetjet toksike të landfillit derdhen në tokat bujqësore që ushqejnë qytetin, duke rrezikuar shëndetin e mijëra qytetarëve.
Kam ardhur këtu së bashku me ekspertët e mjedisit të Partisë Demokratike për të diskutuar mbi një çështje thelbësore: aferën e shekullit në Shqipëri. Në këtë aferë të madhe korruptive, deri tani janë shpenzuar 130-140 milionë euro nga taksapaguesit shqiptarë – rreth 75 milionë nga buxheti i shtetit dhe 65 milionë nga ndërtimet. Sot, përballemi me një situatë alarmante mjedisore, shëndetësore dhe ekonomike, të gjitha njëkohësisht.
Vetëm para pak ditësh, qeveria ka vendosur që t’i kalojë të gjitha dokumentet e koncesionarit një agjencie të re, Agjencia për Ekonominë e Riciklueshme, e cila nuk ka absolutisht asnjë eksperiencë në menaxhimin e një landfilli. Këtu nuk kemi të bëjmë me inceneratorë, sepse tashmë dihet që ai projekt i nisur në vitin 2019 kurrë nuk u realizua. Pra, nuk kemi inceneratorë, por vetëm landfille.
Paratë e taksapaguesve shqiptarë, për fat të keq, janë zhdukur, dhe as prokuroria, asnjë institucion tjetër, nuk po merret me këtë çështje. Flasim për një shumë që shkon deri në 140 milionë euro. Duhet të reagojë menjëherë edhe biznesi, sepse taksat e tyre po përfundojnë në këtë gjendje në landfille.
Situata më e rëndë sot, që më ka alarmuar edhe mua personalisht, është ajo që më kanë raportuar banorët e zonës së Kombinatit: parcela e re e varrezave të Sharrës, e cila sapo është hapur pranë landfillit. Varrezat janë duke u rrëzuar, dhe qytetarët shprehen se kufomat po dalin në sipërfaqe. Kjo është pikërisht zona e parcelës së re të varrezave, dhe fatkeqësia më e madhe është se jo vetëm që nuk trajtojmë me dinjitet të vdekurit, por edhe të gjallët i kemi lënë në mëshirë të fatit.
Ky landfill nuk ka asnjë proces përpunimi të mbetjeve. Aty dalin lëngje të kalbura, materiali shpërbëhet, dhe këto lëngje nuk përpunohen. Ato derdhen në ujë, përhapen në tokat e fshatarëve përreth zonës dhe përdoren për ujitjen e produkteve bujqësore. Ne hamë pikërisht këto produkte, të ndotura nga ky lëng i kalbur, i cili përmban përmasa të mëdha substancash kancerogjene.