SPAK fundos Berberin, por nuk sheh 50 milion eurot e aferës në Tunelin e Llogarasë
Prokuroria e Posaçme ndërmori një hap tjetër në hetimet ndaj ish-drejtorit të ARRSH-së, Ervis Berberi dhe mikut të tij biznesmenit Valter Begaj për tenderat e mbikqyrjes së punimeve në tunelin e Llogarasë. Me firmën e prokurorit Dritan Prenci, janë sekuestruar dokumentet e kompanisë “Hill International NV”, e cila bashkë me “Net-Group” shpk, në pronësi të biznesmenit Valter Begaj, fitoi kontratën për supervizimin e projektit të tunelit të Llogarasë.
“Net-Group”, sipas SPAK, është nën kontrollin e mikut dhe ish-ortakut të Evis Berberit i cili ndodhet aktualisht në burg me akuza për korrupsion dhe pastrim parash. Hetimet kanë zbuluar një skemë klasike: tenderat fitoheshin nga Begaj, ndërsa paratë devijoheshin tek DAAM shpk, kompania që Berberi e kishte shitur vetëm në letër, por që e kontrollonte në mënyrë të tërthortë.
Me fjalë të tjera, drejtësia “e re” ka zbuluar gjithçka në këtë nivel: kontrata, lidhje shoqërore, aksione të shitura formalisht dhe të kontrolluara realisht, transaksione të dyshimta. Dhe për më tepër ka vepruar: Berberi në burg dhe Begaj në burg, ndërsa tenderat e supervizimit vazhdojnë tërheqin vëmendjen e prokurorëve dhe hetuesve të Byrosë Kombëtare. Deri këtu, SPAK duket sikur po funksionon. Por vetëm deri këtu.
Ana tjetër e aferës së tunelit të Llogarasë janë 50 milionë euro abuzime për të cilat drejtësia e re as nuk sheh, as nuk dëgjon dhe as nuk vepron. Bëhet fjalë për një manovër të dyshuar korruptive që shkon përtej drejtorëve dhe supervizorëve, por deri në nivelet e larta të qeverisjes.
Ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj, nga arratia, ka bërë një prej denoncimeve më të rënda në këto vite, kur tha se tenderi i parë për tunelin, fituar nga kompania shqiptare Gjoka Konstruksion me një ofertë prej 140 milionë euro, u anulua me pretekstin se kompanitë nuk plotësonin kriteret. Pas këtij anulimi, u organizua një tender i dytë, ku fituese doli një bashkim kompanish turke me ofertën 170 milionë euro dhe që me ndryshimet e mëvonshme buxhetore, kosto arriti në 50 milionë euro më shumë.
Thelbi i akuzës së Ahmetajt është tek fakti që, pavarësisht se fituesi ndryshoi, punimet i bëri sërish Gjoka — kompania që ishte skualifikuar. Fituesi formal, sipas denoncimit, nuk solli asnjë makineri, nuk realizoi asnjë punim, thjesht arkëtoi fitimin, ndërsa projekti u krye nga ata që kishin dhënë ofertën më të ulët që në fillim.
Ahmetaj ishte i drejtpërdrejtë në akuzat e tij: “Nëse doni të kuptoni çfarë ka ndodhur, shikoni kush ka qenë në Ankara para tenderit të dytë.” Referenca është për vizitën zyrtare të Edi Ramës dhe Belinda Ballukut në Turqi, pak kohë para se të shpallej fituesi i ri.
Bilancet e kompanisë turke Intekar-ASL, bashkimi fitues, janë prova më e qartë që ky tender është një “manovër financiare”: mbi 97% e shpenzimeve janë klasifikuar si nënkontraktime. Vetëm 1.6% e parave kanë shkuar për pagat e vetë kompanisë që formalisht fitoi kontratën. fitimi ndërkohë eshtë thuajse 30 milionë euro, pikërisht aq sa diferenca midis ofertës së parë dhe asaj të pranuar në tenderin e dytë, një “tarifë suksesi” e pastër për ndërmjetësimin politik, më shumë se për punimet e hapjes së tunelit.
Por për këtë aferë, SPAK nuk bën asnjë veprim. Nuk ka sekuestrim dokumentesh në ministri, nuk ka kontrolle bankare për fituesit turq, nuk ka hetime mbi vizitat në Ankara, as mbi vendimet që miratuan transferimin e 50 milionë eurove shtesë në buxhetin e Ballukut me dy akte normative të paprecedenta. Dhe mbi të gjitha: nuk ka asnjë hetim ndaj ministres gjithkujt tjetër që mori përsipër këtë manovër financiare. Ndodh kështu që drejtësia godet me të gjithë forcën e saj drejtorin e vogël të ARRSH-së, por nuk kthen kokën mënjanë për pazarin e shtrenjtë që u bë për tunelin e Llogarasë, me një dëm kolosal për xhepat e shqiptarëve.Lapsi.al