Nga zyra në burg? Çfarë surprize po i përgatit Rama, kreut të KPP-së, Jonaid Myzyrit
Kryetari i Komisionit të Prokurimit Publik, Jonaid Myzyri, njëkohësisht edhe kandidat kryesor për të vijuar drejtimin e institucionit që shqyrton ankesat mbi tenderat, është paraqitur këtë të Martë në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), për herë të tretë brenda pak ditësh.
Burime mediatike thonë se, pas Myzyrit, në ambjentet e SPAK ka hyrë edhe avokati Ermir Beta, i cili besohet se mbron interesat ligjore të kreut të KPP-së. Po ashtu, burime jo-zyrtare brenda Prokurorisë së Posaçme thonë se atij i është sekuestruar edhe telefoni celular, në vijim të hetimeve që po zhvillohen për “shpërdorim detyre” dhe “shkelje të barazisë në tendera”.
Një zhvillim i tillë krijon dyshimet se Jonaid Myzyri, me shumë mundësi, do të duhet të përballet me një proces gjyqësor, ku ai do e shoh veten nga titullar institucioni, në një të pandehur të prokurorëve të posaçëm.
Jonaid Myzyri është denoncuar shpesh publikisht për favorizime të kompanive të ndryshme, si edhe ndaj tij janë depozituar të paktën tre kallëzime penale.
Boldnews.al” mëson se një ndër hetimet që po zhvillon Prokuroria e Posaçme ndaj tij ka lidhje me shqyrtimin dhe përfshirjen e tij në vendimmarrjen për ankimet mbi prokurime publike të zhvilluara nga institucione të Sigurisë Kombëtare, Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, etj.
Sipas të dhënave të siguruara nga redaksia, rezulton se Jonaid Myzyri nuk është i pajisur me certifikatë sigurie dhe, për këtë arsye, ai do të duhej të përjashtohej nga vendimmarrja për shqyrtimin e ankimeve mbi tenderat specifikë. Megjithatë, siç duket, ai ka shqyrtuar dhe ka votuar mbi ato procedura, në shkelje flagrante të ligjit.
Ndërkohë që ecuria e hetimit penal ndaj tij po ndjek rrugën rutinore, ajo që bie në sy është fakti se Jonaid Myzyri tashmë duket se është shndërruar në një lloj “kurbani” të kryeministrit Edi Rama.
Jonaid Myzyri u emërua në krye të Komisionit të Prokurimit Publik (KPP) në vitin 2020, për një mandat 5-vjeçar, me propozim të Këshillit të Ministrave dhe votim në Parlament. Në janar 2025, Parlamenti shpalli thirrjen për garën e re për kryetar të KPP-së, kur po afrohej fundi i mandatit të Myzyrit.
Në garën e re aplikuan tre kandidatë, mes të cilëve edhe Jonaid Myzyri, që kërkon një mandat të ri. Nga tre kandidatët, vetëm njëri prej tyre, Kreshnik Koka, u skualifikua, pasi nuk mori pjesë në intervistën e strukturuar me gojë.
Në 12 Mars 2025, Këshilli i Ministrave shpalli vlerësimin e kandidatëve të mbetur në garë, ku Jonaid Myzyri mori pikët më të larta, 91 të tilla, krahasuar me kandidatin tjetër në garë, Kreshnik Tërnova, i cili u vlerësua me 82 pikë.
Në foto: Njoftimi i Këshillit të Ministrave mbi pikëzimin e kandidatëve për kryetar të Komisionit të Prokurimit Publik
Deri në këtë moment, duket se gjithçka po shkonte në favor të një mandati të ri për Myzyrin. Ligji për “Prokurimet Publike” parashikon që kandidatët duhet, ndër të tjera, të mos jenë nën procedim penal për kryerjen e ndonjë vepre penale (neni 26).
Pra, më së paku deri në 12 Mars 2025, Jonaid Myzyri nuk ka qenë nën procedim penal nga SPAK-u ose ndonjë prokurori tjetër, pasi ai rezulton si kandidat i kualifikuar për të vijuar garën për një mandat tjetër në krye të Komisionit të Prokurimit Publik. Pra, deri në atë fazë, Jonaid Myzyri ka qenë i pajisur me “certifikatën e pastërtisë” nga Prokuroria e Posaçme.
Por, pasi ka marrë vlerësimin e lartë nga qeveria e Edi Ramës, duket se kryeministri i ka përgatitur një surprizë aspak të këndshme.
Brenda dy javëve të fundit, ai është paraqitur në SPAK, herë vetëm dhe, këtë fillim-jave, mesa duket, i shoqëruar me avokat.
Me Parlamentin që ka pezulluar punimet për shkak të fushatës elektorale, është e paqartë se kur do të zhvillohet seanca për emërimin e kryetarit të Komisionit të Prokurimit Publik. Por, ajo që po kristalizohet me shpejtësi është fakti që Jonaid Myzyri, para se të kërkojë votëbesimin e deputetëve, mund të detyrohet të kalojë nga zyra në qeli, ose, më së paku, në sallën e gjyqit, si i pandehur.
Bold news