Vendimi i Gjykatës Kushteteuse i dha të drejtë gazetarit, Qyno: Vetëm Koçi Xoxe është marë me arrestime e përndjekje gazetarësh…

Vendimi i Gjykatës Kushteteuse i dha të drejtë gazetarit, Qyno: Vetëm Koçi Xoxe është marë me arrestime e përndjekje gazetarësh…

Nga Elton Qyno/

Pas 495 ditë betejë për mbrojtjen e profesionit të Gazetarit dhe burimeve Gazetareske, më në fund në 22 Prill 2025, tetë gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, përmes një vendimi Unanim (8 me 0), vendosën të çertifikojnë anti kushtetutshmërinë e gjithë veprimeve që kanë kryer prokurorët e SPAK, Gjyqtarët dhe Oficerët e BKH-së, që janë marë me dosjen time.

Ishte dhe vijon të jetë për mua, një periudhë jo e mirë që më hoqi totalisht vëmëndjen time nga krijimtaria profesionale, pasi i gjithë fokusimi u përqëndrua në kalvarin ligjor të seancave gjyqësore, ku më duhet të mbroj veten dhe profesionin, me një palë jo të lehtë për ta kundërshtuar.

E gjithë farsa e pseudohetimit të hapur nga SPAK në 12 dhjetor 2023, tashmë është anti-kushtetuese dhe të gjitha veprimet e kryera nga SPAK me qëllim zbulimin e burimeve të një gazetari 20 vjet në treg, janë “Nul” dhe të Papërdorshme.

Për 495 ditë, SPAK sot nuk është në gjëndje ti thotë vetvetes dhe Shqiptarëve, por dhe ndërkombëtarëve, se kush është njeriu brenda rradhëve të tyre që nxori materialet sekrete “SKY”.

Një hetim që fillimisht nisi si vorbull brenda një “Teke Rakije” dhe vijoi në rrëmbimin dhe masakrimin e të gjithë punës kërkimore të gazetarit, e duke përfunduar me shprehjen se:

”…gazetari duke raportuar për krimin, bëri krim…”.

Përveç raportimit të drejtë dhe profesional, unë s’kam kryer asnjë krim tjetër.

Nëse quhet krim, për një gazetar Kronike se jep një mendim kritik apo sjell në publik detaje dhe fakte të vërteta nga dosjet hetimore, që ka në gjykim SPAK apo qoftë dhe prokurori të tjera, atëherë duhet ta pranojmë se jetojmë në kohën e Koçi Xoxes dhe jo në kohën, kur trumbetohet liria e shprehjes dhe aderimi në BE.

Na thoni që jetojmë në epokën e Koçi Xoxes dhe unë por as kolegët e mi nuk flasim.

Vetëm Koçi Xoxe është marë me arrestime e përndjekje gazetarësh (arretsimi i Petro Markos etj). Nuk mund të përdoret vula e SPAK, si snajper për të goditur zëra kritikë dhe raportues.

I gjithë sulmi i SPAK, fillimisht u përqëndrua mbi mua dhe i vetmi që e pësoi në këtë histori, jam unë dhe familja ime. Rezultati një zero me bisht.

Përkundrazi, pas 10 muaj përsëritën të njëjtën fabul me kontrolle dhe sekuestrime, por këtë herë duke më vendosur nën hetim për “Korrupsion pasiv në sektorin privat”, të cilën ja shfuqizoi Gjykata e Apelit.

Sot realisht e ndjej që të falenderoj me zemër të gjithë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, që morën një vendim të drejtë për mbrojtjen e profesionit të gazetarit, mbrojtjen e burimeve dhe mbrojtjen e lirisë së raportimit.

Është një fitore për të gjithë komunitetin e Gazetarëve në Shqipëri, e veçanërisht për gazetarët e Kronikës së Zezë dhe hulumtues. Është një vendim i gatshëm për leksion gazetarie.

E ndjej të falenderoj me zemër, avokatët e mi, Dorian Matlia i qëndrës “ResPublika”, Arben Llangozi i studios “Jurisprudenca” ekspertin ligjor për të drejtën ndërkombëtare Teo, që mbrojtën me fanatizëm këtë çështje në të gjitha Nivelet e Gjyqësorit Shqiptar e deri në Komitetin e të Drejtave të Njeriut në OKB.

Ishit këshilltarët më të mirë për të ruajtur qetësinë time.

E ndjej të falenderoj me zemër të gjithë ata kolegë që kurrë nuk më lanë në baltë, nuk më diferencuan dhe mbrojtjën publikisht dhe kudo çështjen time sikur të ishte i njëjti standard për veten e tyre.

Flamur Vezaj, Anila Hoxha, Bleriana Bino, Flutura Kusari, Poli Hoxha, Artan Hoxha, Enton Abilekaj, Aleksandër Çipa, Fjola Graçi, Leonard Bakillari, Adriatik Doçi, Spartak Koka, Fatjon Gjinaj, Sokol Cobo, Edison Vatnikaj dhe shumë e shumë të tjerë.

Njëherësh e ndjej detyrim të falenderoj të gjithë ata prokurorë në SPAK, Gjyqtarë në Gjykatë dhe prokuroritë e rretheve, që nuk shkëputën asnjë moment komunikimin me mua, duke me dhënë mbështetje dhe këshilluar për rrugën ligjore.

(Ne foto)

1.Sendet e sekuestruara ne banesen time, ne makine, ne zyre, na ambjentet e “Bar Class” dhe ne kontrollin tim fizik.

2.Ende SPAK vijon te mbaje ne sekuestro rreth 50 dokumenta te sekuestruara, vendim qe bie ndesh dhe ne kundershtim te vendimit te Gjykates se Larte te mare ne 16 dhjetor 2024.

Share it :