Kreu i PD Fier: 11 Maji do të jetë jehona e fitores sonë! Berisha dhe PD sjellin shpresë dhe progres
Kryetari i degës së PD në Fier, Rrapi Gjika, në fjalën e tij në prezantimin e kandidatëve për deputetë, theksoi rëndësinë e këtij momenti si fillimi i një rrugëtimi të ri për shpresën dhe ndryshimin, duke i bërë thirrje qytetarëve të mbështesin ekipin e PD-së në zgjedhjet e ardhshme.
Ai nënvizoi përkushtimin e Partisë Demokratike për të sjellë reforma të thella dhe për të rikthyer shpresën tek të rinjtë, biznesi dhe familjet shqiptare.
Rrapi Gjika: Shumë i nderuar kryetar i Partisë Demokratike, Profesor Doktor Sali Berisha. Mirë se erdhe në Fierin tonë!
Të dashur bashkëqytetarë demokratë dhe demokrate të Fierit. I nderuar zoti bardhi, drejtues politik i Qarkut Fier. I nderuar Luan Baçi, deputet i Fierit dhe kolegu dhe miku jonë i përhershëm.
Të nderuar miqtë e mi, kolegë kryetarë të degëve dhe kandidatë për deputet të qarkut Fier. Sot është një ditë e veçantë sepse shënon fillimin e një rrugëtimi të ri, një rrugëtim shprese, besimi dhe përkushtimi për të ardhmen tonë të përbashkët. Jemi së bashku sot më të fortë se kurrë për të prezantuar ekipin tonë të fitores, kandidatët e Partisë Demokratike të qarkut Fier.
Do ndaj me ju programin e reformave dhe vizionin tonë për Shqipërinë Madhështore.
Jam i bindur se nga Fieri do të nisë jehona e fitores së 11 Majit që do të ndryshojë Shqipërinë. Ne jemi të gjithë këtu bashkë, për të kërkuar mbështetjen e çdonjërit prej jush sepse PD ka një program të qartë, të realizueshëm me qëllime serioze për të ringritur ekonominë, punësimin, biznesin, tregun dhe për t’i rikthyer shpresën rinisë.
Ne kemi marrë zotime që do t’i realizojmë ato, që themi dhe jo të bëjmë premtime boshe ashtu siç ka bërë Edi Rama këto 12 vite qeverisje të mbrapshta.
Prandaj ju ftoj të gjithëve të mbështesim kandidatët e PD, dhe të punojmë së bashku për një të ardhme më të mirë, për Fierin, Lushnjën, Divjakën, Patosin, Mallakastrën dhe Roskovecin.
PD me në krye liderin historik, profesor Doktor Sali Berishën, ka qenë dhe do të mbetet zëri i qytetarëve. Forca politike që sjell shpresën dhe progres. Ne nuk jemi këtu vetëm për të kërkuar votën tuaj, por për të ndërtuar një marrëveshje të ndershme me ju dhe me qytetarët tanë.
Në këtë fushatë PD ofron zgjedhje konkrete. Ne nuk do të premtojmë më shumë sesa mund të realizojmë për çdo premtim është një angazhim që do ta çojmë deri në fund me përkushtim.
Unë ju ftoj të gjithëve të bëhemi pjesë e historisë së lavdishme.
Me votën tonë më 11 Maj, të ringrejmë Shqipërinë për familjet dhe fëmijët tanë.
Mbështetja juaj është forca jonë.
Faleminderit për besimin tuaj!