Kryeministri Edi Rama fluturoi në Berlin dy ditë më parë për të marrë pjesë në një forum të përvitshëm që quhet Berlin Global Dialogue. Shefi i qeverisë i bëri jo pak jehonë aktivitetit dhe sigurisht vendit të tij të veçantë në të.
“Në Berlin Global Dialogue (BGD) – forumi ndërkombëtar i nivelit të lartë që zhvillohet çdo vit në kryeqytetin e Gjermanisë, me fokus sfidat globale të ekonomisë, klimës, teknologjisë dhe qeverisjes – ku jam i ftuar si njëri ndër dy folësit e sesionit përmbyllës së bashku me Presidenten Ursula von der Leyen,” shkroi Rama në profilin e tij zyrtar në facebook.
Rreshtimi i Ramës krah Von der Leyen si dy folësit më të rëndësishëm të takimit, sigurisht që shkon në linjën e propagandës agresive të një udhëheqësi që respektohet gjerëisht në Europë. Dhe Edi Rama i ka mëshuar jo pak kësaj linje, madje edhe publikisht. Por ka respekt e respekt.
Berlin Global Dialogue është një aktivitet i përvitshëm, i cili bashkon udhëheqës të sektorit publik dhe atij privat nga e gjithë bota. Ky forum organizohet nga një ekonomist gjerman i quajtur Lars-Hendrik Röller.
Zoti Röller ka qenë këshilltari ekonomik i Angela Merkel për shumë vite në qeverisjen e saj. Ndërsa sot ai është në borderonë e Edi Ramës.
Dy vjet më parë, qeveria miratoi një vendim të posaçëm, i cili i lejonte kryeministrit të paguante këshilltarë deri në 10 mijë euro në muaj. Zoti Röller ishte një nga përfituesit e këtij vendimi dhe sot qeveria shqiptare i paguan atij 120 mijë euro në muaj nga paratë e qytetarëve për të këshilluar Edi Ramën.

Punedhenesi dhe punemarresi
Publikisht nuk dihet se çfarë këshillash i jep zoti Röller, kryeministrit të Shqipërisë. Por me sa duket bashkë me këto këshilla, Edi Rama ka marrë në ofertë edhe një vend në forumin e nivelit të lartë, të cilin e shet si dëshmi të respektit dhe ndikimit të tij në Europë. Dhe ky nuk është rast i izoluar.
Nga milionat për të panginjurin Tony Blair, fshatrat turistikë të D’Alemas mbi tokat e falura shtetërore e deri tek pagat në stilin e bonuseve të Wall Street-it për Larsët, qeveria e Shqipërisë është shndërruar në një makineri të fuqishme korruptimi për politikanët e lartë të Europës.
Dhe ndërsa Edi Rama blen influencë në Europë, qytetarët shqiptarë paguajnë nga xhepat e tyre të varfër faturën miliardere të respektit për liderin global. Kapitali










