Cakrani: Në Shqipëri nuk ekziston më prezumimi i pafajësisë… Hetimi ndaj Metës ka kushtuar 3.5 mln euro

Cakrani: Në Shqipëri nuk ekziston më prezumimi i pafajësisë… Hetimi ndaj Metës ka kushtuar 3.5 mln euro

Avokati i Ilir Metës, Kujtim Cakrani, në emisionin e mëngjesit ‘Kafe Shqeto’ në Syri TV, është shprehur ndaj mënyrës se si po trajtohet çështja e kreut të Partisë së Lirisë nga drejtësia shqiptare. Cakrani theksoi se në këtë vend Instituti i Prezumimit të Pafajësisë nuk ekziston më, duke shtuar se hetimet ndaj Metës janë të stërzgjatura, të kushtueshme dhe pa asnjë provë konkrete që të lidhin ish-Presidentin me korrupsion apo abuzim me detyrën.

Kujtim Cakrani: Në këtë vend, tashmë Instituti i Prezumimit të Pafajësisë nuk ekziston më. Është diçka që gjyqtarët nuk e kanë në mendje. Zoti Meta, tashmë pas përfundimit të hetimeve dhe kur provat janë aty të administruara rreth 100 mijë faqe. Hetimi për zotin Meta ka shkuar 3 milionë e gjysmë euro. Dhe Ilir Meta prezupozohet që mundet të ketë abuzuar, ose më saktë bashkëshortja e tij, vjehrra e tij që nuk ka asnjë lloj lidhje nga pikëpamja zoti Meta me korrupsionin, rreth 200 mijë euro.

Pra shteti shqiptar ka hetuar 34 vite zotin meta në të gjitha funksionet e tij si deputet, kryeministër, president, kryetar Kuvendi dhe nuk ka arritur dot të gjejë një provë të vetme ku zoti Meta të ketë dhënë një VKM, një urdhër, një koncesion, një PPP. Sikur një firmë që të thotë aty: Ilir Meta në cilësinë e ministrit, apo në cilësinë e kryeministrit, në Kryetarin e Kuvendit, pra në cilësinë e funksioneve që ai ka patur. Ose të gjendet një kontakt i zotit Meta me një biznesmen që të ketë ngrënë një drekë apo një darkë, që të jetë kapur dhe ai biznesmen që të ketë fituar një tender. Vetëm një të gjendet dhe unë do të dal publikisht të them: Po të dënohet, ai e ka fajin. Kjo është e vërteta dhe publiku nuk e kupton dot. Publikut i hidhet ai ushqimi, ajo propaganda e pisët, sepse çdo politikan është i korruptuar. Por jo, asnjë politikani po nuk ja faktove nuk është i korruptuar. Zoti Meta për mua është qytetari më korrekt që ka patur ky vend këto 34 vjet. Flasim me letra, jo fjalë boshe. Nuk ka hedhur njëherë një firmë që të ketë abuzuar me fondet e shtetit shqiptar, të ketë abuzuar me pasuritë e paluajtshme të shtetit shqiptar dhe kjo është ajo që ne duhet ta shohim.

Share it :