Berisha: Dumani, avokati i vjedhjeve më të mëdha të vendit! 1 miliard euro janë vjedhur nga inceneratorët dhe pazari i Ramës me CEZ
Kreu i PD, Sali Berisha, gjatë fjalës së tij në Kuvend u shpreh se qytetarët shqiptarë po përballen me pasojat e një sistemi të kapur nga abuzime dhe korrupsion të pandëshkuar, ku drejtësia shpërfaqet si një mjet për të mbrojtur elitat e pushtetit, ndërkohë që qytetari i thjeshtë paguan miliona euro për dështimet e qeverisë.
Ai denoncoi mashtrimet dhe hetimet e pamjaftueshme, duke marrë shembull CEZ-in dhe inceneratorët, ku janë humbur mbi 400 milionë euro pa asnjë përgjegjësi, ndërsa drejtori i avokatisë së shtetit, Altin Dumani, u paraqit si mbrojtës i këtyre vjedhjeve masive.
Berisha e cilësoi këtë një “rast unik” ku qytetari është viktima, ndërsa sistemi shërben për të mbrojtur interesat e Edi Ramës dhe të afërmve të tij.
Fjala e tij:
Të dashur qytetarë dhe qytetare, ishte një rast unik në jetën tuaj për të gjithë ata, në jetën e tyre që ndoqën këtë seancë se si panë grupin e mëkatarëve të strukur, të përulur gjer në dhe.
Se si e panë avokatinë e shpifur që iu bë këtu një sistemi, i cili po penalizon më shumë se cilindo tjetër, qytetarin e thjeshtë.
Ju, avoketërit e Dumanit, të kapurit peng të Edi Ramës, nuk duhet të harroni këtu se për qytetarët shqiptarë që vetëm me CEZ-in kanë humbur 630 milionë euro, fatura të certifikuara nga kompani ndërkombëtare, për shkak të pazarit që Edi Rama ka bërë me kompaninë CEZ, ndërkohë që arbitri ndërkombëtar i shkruante letër dhe i thoshte zoti kryeministër mos bëj marrëveshje sepse qeveria shqiptare është në pozitën e fituesit.
Por këto i mbulon Dumani dhe dumanërit.
Ai që e pëson nga ky qëndrimi i tij dhe i tyre është qytetari shqiptar, i cili pagoi sa qimet e kokës 400 milionë euro për inceneratorët që nuk kanë as nam as nishan sot.
Dhe ai thotë se kam hetim paraprak pas kaq vitesh.
Po nuk mund të bëhet më i shpifur.
Po çfarë hetimi paraprak mo?
Janë 400 milionë euro që nuk ekzistojnë. Janë 140 milionë për djegësin e Tiranës, që nuk ka as gjurmë, që i kanë paguar njerëzit e varfër, dhe ai thotë po vazhdojmë hetim paraprak.
Një mashtrues ordiner që del këtu dhe përpiqet të mbrojë nga flakët e djegësve Edi Ramën, kryeartikektin e tyre.
A e dini ju o qytetarë se kush është dënuar për djegësin e Tiranës?
Është dënuar Arben Ahmetaj që e ka kundërshtuar 5 herë me shkrim.
Dhe u dënua sepse u gjetën pllakat e banjos. Domethënë 140 milionë euro kushtonin sa pllakat e banjos të ish-bashkëshortes së Arben Ahmetajt.
A e dini o qytetarë se të marra së bashku këto bëjnë 1 miliard euro?
Se të marra së bashku bëjnë dyfishim pensionesh?
Se të marra së bashku bëjnë dyfishim rrogash.
Nuk i ka vjedhur Altin Dumani këto, por Altin Dumani është bërë avokat i vjedhjeve më të mëdha në historinë e këtij vendi.
 
								 
															 
								 
								









