Berisha lexon SMS-në: Dumani mori 5 milionë € për dosjen e Kreshnik Farrukut
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha akuzoi në Kuvend kreun e SPAK, Altin Dumani se ka bërë marrëveshje me 5 milionë euro, për dosjen e shtetasit Kreshnik Farruku nga Manza. Gjatë fjalimit të tij, Berisha lexoi mesazhin që i kishte ardhur në lidhje me këtë rast.
Sipas Berishës, shuma do të konvertohet në gurë të çmuar dhe diamante ku sipas Berishës, Dumani investon të ardhurat.
Meqenëse (Dumani) ia mbathi, se ju u ka në dorë ai të gjithëve, mëkatarë, tani unë do lexoj mesazhin e një qytetari për të. “Doktor, mirëmbrëma. Një burim nga prokuroria më informon sonte në lidhje me një çështje në proces hetimi. Altin Dumani ka bërë një ujdi për 5 milionë euro në lidhje me dosjen e shtetasit Kreshnik Farruku nga Manza, Durrës, mik, bashkëpunëtor i Xhevdet Troplinit dhe Elvis Troplinit.
Ky shtetas ka një procedim në shtetin italian për tre episode. Në Savona, në Gjenoa, në Ankona ku janë kapur sasi të mëdha kokaine. Për këtë fakt ka dhe procedim penal në shtetin italian dhe gjykata e Durrësit i ka vendosur masë sigurimi për ekstradim. Më pas, Spaku pas 5 milionëshit, ka filluar procedimin për të njëjtat fakte të ndodhura në shtetin italian dhe i vendos masë sigurimi.
Me datën 11.5.2025, Gjykata e Lartë, kundrejt një shume të lartë parash, ia heq masën e arrestit dhe e le me detyrim paraqitje. Dumani ka premtuar që t’i kalojë përgjegjësinë vëllait të tij duke i manipuluar telefonatat e kriptuara dhe duke ia atribuuar vëllait të tij. Shuma e ujdisë do konvertohet në gurë të çmuar, diamante. Personi ku investon të ardhurat Dumani është daja i bashkëshortes, Anton Pango, person me precedent penal” – tha Berisha.
Berisha tha se opozita ka një problen me kreun e SPAK, pasi ky është armik i egër i votës së lirë. Lideri i opozitës theksoi gjithashtu se nëse Edi Rama është dhunues kryesor i votës së lirë, Dumani është avokat i dhunimit. Sipas tij, Dumani është avokati më i shëmtuar i korrupsionit.
“Dosjet ndërkombëtare, të publikuara në të gjitha mediat e botës, i amnistoi. Në atë kohë kam deklaruar publikisht se është armik i egër i opozitës dhe u garantoj se të tillë do e konsiderojmë deri ditën e fundit tonë. Aty flitej për Ulsiun, flitej për Edi Ramën, për Pjerinin, për të gjithë me radhë. Dhe që të gjithë janë, nuk kanë kryer asgjë, sepse ia bënë armikut, opozitës.
Ai është avokati më i shëmtuar i korrupsionit. Doni ju të dini disa tregues se ai foli për tregues këtu sikur po lexonte ndonjë portal. Indeksi i përgjithshëm i shtetit ligjor, në vitin 2015, Shqipëria renditej e 52-ta në botë. Në vitin 2024, Shqipëria renditet 37 vende më poshtë sipas World Justice Project. Treguesi i korrupsionit në vitin 2015, Shqipëria renditej e 78-a, në vitin 2025, Shqipëria renditet 29 vende më poshtë. Për ndërhyrjen e qeverisë, për pavarësinë që flisni ju, në vitin 2015, Shqipëria renditej e 52-ta, në vitin 2024, Shqipëria renditet e 106-a, përkeqësim 100 përqind” – tha Berisha.









