SPAK e pret për t’i komunikuar akuzat, Balluku prezanton Liburn Aliun si drejtor të portit të Durrësit
Belinda Balluku, zëvendëskryeministre dhe njëherësh ministër për Infrastrukturën dhe Energjinë është nën hetim nga SPAK. Ajo është thirrur të paraqitet në Prokurorinë e Posaçme e shoqëruar me një avokat, për t’i komunikuar akuzat.
Thirrjes së parë që të paraqitej ditën e hënë ajo nuk iu përgjigj, pasi ndodhej jashtë vendit, por për të ka një tjetër fletëthirrje që të paraqitet ditën e premte në SPAK.
Por sot, Balluku është shfaqur në Durrës, ku ka prezantuar drejtorin e ri të Portit të Durrësit, Liburn Aliu, ish ministër i Kosovës në qeverinë e Albin Kurtit.
Ftesa për paraqitje mban firmën e prokurorit të posaçëm Dritan Prençi, i cili ka kërkuar që zëvendëskryeministrja të jetë e asistuar nga një avokat, një praktikë që nënkupton se ndaj saj mund të komunikohet zyrtarisht një akuzë penale.
Kreu SPAK, Altin Dumani, u pyet dje në Kuvend lidhur me kallëzimet penale të depozituara ndaj zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Deputetët e opozitës pyetën nëse SPAK po heton disa dosje që lidhen me Ballukun, përfshirë çështjet mbi shitblerjen e energjisë, projektet e rrugëve, parqet fotovoltaike, tunelin e Llogarasë, si edhe termocentralet “Tigri 1” dhe “Tigri 3”.
Në përgjigjen e tij, Dumani deklaroi se për sa kohë çështjet ndodhen në fazën e hetimit paraprak, nuk mund të jepen detaje apo informacione për ecurinë e tyre, por tha se inkurajon prokurorin Dritan Prençi.









