1 mln € evazion fiskal, sekuestrohen pasuritë e ‘International Medicare’ e Sante Plus
Me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës, janë sekuestruar të gjitha pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme të International Medicare shpk e Sante Plus.
Vendimi për sekuestron e pasurive, vlera e të cilave ende nuk dihet, u mor pas një operacioni nga Krimi Ekonomik në Tiranë që zbuloi se klinika që operonte në qendër të Tiranës, prej më shumë se një viti ka funksionuar në mënyrë tërësisht të jashtëligjshme, duke i shkaktuar shtetit evazion mbi 1 milion euro dhe duke rrezikuar shëndetin e dhjetëra pacientëve.
Administratorët dhe drejtuesit e këtij spitali akuzohen për fshehje të të ardhurave, mos pagim taksash dhe përdorja e medikamenteve të skaduara.
Administratori i spitalit privat “Sante Plus Albania”, Edmond Zaja, 62 vjeç, u arrestua në shtator, ndërsa vijojnë në kërkim bashkaksionerët e subjektit, shtetasi turk Bilal Kara, 45 vjeç dhe shtetasja shqiptare Geriana Arapi, 32 vjeçe.
Si nisën hetimet
Hetimet nisën pas denoncimit të një shtetasi portugez, C.S. ndaj subjektit International Medicare shpk (ish Sante Plus Group).
Ky shtetas pagoi një shumë prej 5200 eurosh për marrjen e tre shërbimeve nga ky spital por doktorët që do të kryenin ndërhyrjet u larguan nga spitali. Pas disa anulimeve, ai kërkoi kthimin e shumës së parave por pa sukses. Kallëzuesi deklaroi se u mashtrua nga ky spital pasi i morrën paratë dhe nuk i ofruan shërbimin duke përdorur justifikime të ndryshme.
Nisur nga faktet e parashtruara në kallëzimin e shtetasit C.S. dhe nga deklarimet e marra të punonjëseve, u provua se ky spital operonte me mandate dore dhe jo kupona tatimorë. Gjatë kontrollit u gjetën 1 milionë euro fatura jo tatimore, të padeklaruara, ndërsa dyshohet se si mjekë punonin persona kryesisht shtetas turq, të palicensuar si mjekë në Republikën e Shqipërisë. U mbajt procesverbal për kqyrjen e vendit të ngjarjes ku u gjetën dhe u fiksuan si provë materiale, në sallat kirurgjikale medikamente të ndryshme të skaduara, si dhe medikamente që ndalohet shitja dhe lejohen për përdorim vetëm në spitale private.
Në funksion të hetimit të procedimit penal, u administrua akti i kontrollit i mbajtur nga organet tatimore dhe rezultoi se subjekti ”Sante Plus” ka detyrime të lindura për mosdeklarim të pagës reale. Ky subjekt ka fshehur dhe nuk ka deklaruar pagën e saktë të punonjësve, si rrejedhim ka fshehur vlerën e saktë të kontributeve për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore. Kontrolli tatimor ka vlerësuar si tatim të padeklaruar nga shoqëria me efekt në TVSH shumën 12.826.573 Lekë. Po nga i njëjti kontroll rezultoi se ky subjekt duhet të lëshonte autofaturë për 11 fatura me vlerë 112.736.764 lekë, me një tatim të padeklaruar të TVSH në vlerën 22.547.353 lekë. Sipas këtij akti, subjektit ”Sante Plus” i kanë lindur detyrimet tatimore nga fshehja dhe mosdeklarimi i pagave për vitet 2018-2023 në vlerën 4.510.786 lekë, si dhe për tatim të padeklaruar me efekt TVSH-je në vlerën 35.373.926 lekë.
Po kështu, ka dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se nga ana e subjektit International Medicare shpk, është vepruar në kundërshtim me ligjin duke fshehur të ardhurat e përfituara nga pacientët, nëpërmjet mosdeklarimit të këtyre të ardhurave në organet tatimore në sistemet përkatëse fiskale, por duke i marë këto të ardhura me mandate arkëtimi jo fiskale.
Në këto kushte ka të dhëna te mjaftueshme se nga ana e personave nën hetim dhe e subjektit International Medicare, janë fshehur të ardhurat ne vlera te konsiderueshme duke bërë që për këto të ardhura të mos kryhen pagesat në favor të buxhetit të shtetit, duke i sjelle dëm të madh ekonomik interesave të shtetit shqiptar.
Nga aktet rezultoi se në kushtet kur nga raporti i kontrollit dhe veprimet e kundërligjshme në fshehjen e të ardhurave dhe mospagimit të taksave dhe tatimeve nga ana e Sante Plus Group me ortak B. K. dhe adminsitrator E.Z. është regjistruar pranë QKB dhe subjekti International Medicare shpk po me të njëjtët ortak e administrator.
Këto veprime të personave nën hetim ka dyshime se janë kryer me qëllimin e vetëm të mos kryerjes së pagesave të tatimeve dhe taksave në favor të shtetit në kushtet kur për Sante Plus Group sipas ekstraktit të QKLB, ishin vendosur një sërë sekuestrosh konservative nga zyra përmbarimore për ekzekutime të vendimeve të gjykatave.









