Tre shqiptarë përfunduan në prangat e policisë spanjolle teksa po transportonin një sasi prej 150 kg drogë të llojit marijuanë në drejtim të Britanisë së Madhe.
Midis të arrestuarve janë edhe 6 britanikë, një rus dhe një spanjoll. Fillimisht, policia spanjolle ndaloi një furgon të marrë me qira, i cili po udhëtonte drejt Britanisë.
Brenda furgonit në një zonë me vakuum u gjetën 80 kg drogë e paketuar. Gjatë një kontrolli në banesë, një prej të arrestuarve u përpoq që të fshihte drogën në ballkon kur e kuptoi se policia po e ndiqte.
Policia spanjolle ka sekuestruar 360 00 paund gjatë bastisjeve në qytetet Coin, Mijas, Caseres si dhe në Costa del Sol, ku besohet se banda kryente aktivitetin e vet të drejtuar nga britanikë.
Gjatë aksionit, janë sekuestruar edhe 8 makina si dhe peshore të posaçme për peshimin e drogës.
“Ky grup kriminal kishte masa ekstreme të sigurisë për të shmangur zbulimin nga agjencitë e zbatimit të ligjit, duke ndryshuar vazhdimisht shoferët dhe furgonat me qira për të transportuar drogën”, tha zëdhënësi i Guardia Civile në Malaga.
Hetimet kishin nisur në muajin janar pas dyshimeve rreth një prone të blerë, ku ishte kultivuar kanabis.
Më pas, droga shpërndahej në Britaninë e Madhe nëpërmjet furgonëve të marrë me qira.
Fillimisht, policia ndaloi dy të dyshuar dhe më pas bëri edhe arrestimin e të tjerëve, emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur.