Kryeprokurori italian: Shqipëria është një narkoshtet, ky nuk është ekzagjerim!
Nga Nello Trocchia, DOMANI
“Në Londër kontrollojnë pothuajse të gjitha sheshet e shpërndarjes së drogës dhe janë protagonistë në trafikun botëror të kokainës,” – thotë prokurori i përgjithshëm i Napolit në intervistën e dhënë për gazetarin Nello Trocchia, të botuar në librin Invincibili (Rizzoli). Një hetim mbi pushtetin dhe bizneset e fshehta të mafies shqiptare.
Kam folur me disa sipërmarrës, njohës të Shqipërisë. Makinat luksoze, pallatet e mëdha, resortet — dikush e quan ‘Dubai në portat e Evropës’. Si do ta përkufizonit ju atë vend dhe nivelin e përballjes me fenomenet e korrupsionit dhe pastrimit të parave?
Sot, grupet kriminale shqiptare disponojnë kapital të jashtëzakonshëm dhe mund të mbështeten në lidhje e mbrojtje brenda institucioneve. Ato përdorin në mënyrë të vazhdueshme korrupsionin, duke shfrytëzuar teknologjitë më moderne informatike. Ndryshe nga mafiet e tjera, që nuk investojnë në vendet e origjinës, grupet kriminale shqiptare i riciklojnë të ardhurat e tyre në industri e sektorë të ndryshëm të vendit dhe janë gjithnjë e më shumë të orientuara drejt pushtimit të tregjeve të reja.
Shqipëria është bërë një lloj Eldorado e qarkullimit të parasë së gatshme. Sot, paraja në dorë mund të transferohet falë sistemeve të vjetra, por shumë efikase, si hawala, dhe mund të përdoret edhe në Evropë falë asimetrive që ekzistojnë në kufizimet e përdorimit të saj, të ndryshme nga një vend në tjetrin. Si e gjykoni sistemin ligjor të luftës kundër krimit të organizuar në Shqipëri?
Është një sistem që duhet përmirësuar. Nuk është në pararojë. Duhet luftuar lidhja mes krimit dhe sektorëve politikë e ekonomikë, korrupsioni, dhe duhet forcuar sistemi i sekuestrimit dhe konfiskimit të pasurive që vijnë nga veprimtari të paligjshme. Është e domosdoshme të garantohet izolimi i plotë i të burgosurve të rrezikshëm për të parandaluar komunikimet me jashtë, si dhe të reformohet sistemi gjyqësor për të ruajtur integritetin dhe efektivitetin e tij, duke e mbrojtur nga korrupsioni dhe ndikimet politike.
Megjithatë, diçka po ndryshon, falë ekipeve të përbashkëta hetimore. Kohët e fundit, disa trafikantë të rëndësishëm shqiptarë të drogës kanë përfunduar në burg, disa prej të cilëve kanë vendosur të bashkëpunojnë me drejtësinë. Me deklaratat e bashkëpunëtorëve të parë të drejtësisë shqiptare po ngrihet niveli i hetimeve, duke dhënë rezultate të rëndësishme në luftën kundër pastrimit të parave të pista.
Në të kaluarën e afërt, disa vëzhgues dhe ish-presidenti Sali Berisha e përkufizonin Shqipërinë si një “narkoshtet”. A është një ekzagjerim kjo?
Jo, përkundrazi. Grupet shqiptare fillimisht e nisën me trafikun e marijuanës, për të kaluar më pas te heroina, falë lidhjeve me mafien turke, dhe në fund te kokaina, në tregtinë e së cilës janë bërë ndërmjetës ndërkombëtarë. Të ardhurat nga këto veprimtari u kanë dhënë grupeve shqiptare fuqi të mëtejshme ekonomike e politike.
Ato kanë shumë ngjashmëri me ’Ndranghetën — nga strukturat familjare dhe kodet e rrepta të sjelljes, të bazuara te besa, ndjenja e nderit dhe e fjalës së dhënë, deri te aftësia për t’u infiltruar në industritë ekonomiko-financiare dhe për të ndikuar në sektorin politik e administrativ.
Ndër protagonistët e librit tim janë trafikantët e drogës: disa planifikojnë vrasje nga burgu, drejtojnë trafikun dhe urdhërojnë hakmarrje. Çfarë roli ka mafia shqiptare në Evropë?
Është shumë e fuqishme. Është e pranishme në portet e Roterdamit, Anversës dhe Hamburgut; administron pjesën më të madhe të kokainës që shitet në Evropë dhe kontrollon pothuajse të gjitha pikat e shpërndarjes në Londër. Është një nga organizatat kriminale që po rrit me ritme të jashtëzakonshme peshën e saj në nivel ndërkombëtar, duke konsoliduar kontrollin mbi rrugët e trafikut – veçanërisht në sektorin e drogës, prostitucionit dhe armëve.
Falë një strukture shumë të mbyllur dhe lidhjeve sinergjike me grupe të tjera transnacionale, klanet shqiptare kanë arritur të depërtojnë në tregje të ndryshme legale dhe ilegale, duke e rritur ndikimin e tyre jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Evropë dhe në rajone të tjera të botës.
Sa përqind të lëndëve narkotike që hyjnë në Itali arrijnë t’i kapin autoritetet?
Është e vështirë të përcaktohet me saktësi, por përqindja e drogës së sekuestruar nuk duhet të kalojë 10–15 për qind të totalit.
Çfarë marrëdhëniesh ka mafia shqiptare me mafiet italiane?
Është bërë partnere tregtare e ’Ndranghetës, falë së cilës ka arritur të vendoset në Amerikën Latine, veçanërisht në Ekuador, Kolumbi dhe Brazil. Ajo ka marrëdhënie me organizatat kryesore kriminale transnacionale që veprojnë në Evropë, Amerikën e Veriut e të Jugut, dhe po e drejton gjithnjë e më shumë vëmendjen drejt tregjeve aziatike e australiane.
Shifrat janë të qarta: në Evropë konfiskohet më pak se 2% e pasurive të përfituara në mënyrë të paligjshme. Pjesa tjetër futet me një lehtësi të habitshme në ekonominë ligjore. Duhet bërë më shumë, duke unifikuar strategjitë e luftës kundër krimit dhe duke ndjekur ndërmjetësit që ndihmojnë në pastrimin dhe riinvestimin e kapitalit mafioz.
Kur e kuptuat se mafia shqiptare po bëhej dominuese?
Të paktën që prej dhjetë vitesh. Grupet shqiptare nuk janë më ata që dikur sulmonin vilat e rajoneve të veriut. Prej kohësh janë bërë pjesë e qarkut të madh të trafikut ndërkombëtar të drogës, duke u shndërruar në një fuqi ekonomike e financiare — siç dëshmojnë investimet në Shqipëri që po ndryshojnë fytyrën e qyteteve si Tirana, Durrësi, Elbasani dhe Vlora.
Në Romë, “kolona romane” e shqiptarëve ka vrarë, ka trafikuar drogë, ka torturuar, ka futur tonelata kokaine — dhe megjithatë, nuk ka asnjë vendim për mafie. Sa pas jemi, në planin gjyqësor, në luftën kundër krimit të organizuar?
Jemi shumë pas, sidomos në përballjen me mafiet jo autoktone, të cilat vazhdojnë të nënvlerësohen. Në rastin e grupeve shqiptare, ato kanë të gjitha karakteristikat e mafieve italiane: nga kontrolli i territorit – sidomos në rajonet e qendrës e veriut të Italisë – deri te aftësia për të ofruar “shërbime”, siguri dhe mbrojtje.
Përveç mbështetjes që marrin, ato përfitojnë nga bashkëpunimi i heshtur dhe lidhjet e forta me sipërmarrës, politikanë dhe profesionistë, duke ndërtuar një rrjet ndikimi që përhapet nga Tirana deri në Londër e Amerikën Latine.








