Dyfytyrësia e Gonzatos
Dyfytyrësia e Gonzatos
Nga Boldnews.al
Ambasadori i Bashkimit Europian, Silvio Gonzato, tha në studion e Grida Dumës se vitin tjetër do të dalë në pension. Ai tha gjithashtu se, pas pensionimit, ka vendosur të blejë një shtëpi të madhe në Verona, ku do të mirëpresë familjen e tij të zgjeruar. Natyrisht, me një eksperiencë prej gati 40 vitesh në strukturat e Brukselit, ai duhet të ketë pasur të ardhura të mjaftueshme, por edhe mirëpret një pension të bollshëm, të cilat do t’i lejojnë të kryejë investime të qenësishme.
Abstragojmë në një moment se Gonzato është një shqiptar në prag të pensionit. Një zyrtaruc i Sigurimeve Shoqërore mund t’i llogarisë gabimisht pensionin e ulët, siç ndodh rëndom në vendin tonë.
Silvio do të kërkonte të drejtën e tij në gjykatë. Në sistemin aktual shqiptar, atij do t’I duhej të priste të paktën 10 vite për të siguruar atë që i takon. Në Shqipëri, shumë pensionistëve nuk u mjafton koha biologjike për të marrë të drejtën në sistemin gjyqësor. Falë “Reformës në Drejtësi”, gjykatat janë boshatisur dhe proceset gjyqësore mund të zgjasin një dekadë.
Por, për Gonzaton, Reforma në Drejtësi në Shqipëri është një produkt i paprekshëm. “Tranzicionet janë gjithmonë të vështira. Tranzicionet gjithmonë kanë kosto dhe, për këtë arsye, duhet të kesh një prespektivë afatmesme deri në afatgjatë dhe të mendosh që, në rregull, tani nuk është edhe aq mirë, por do të arrijë në një fazë kur gjërat do të jenë më mirë”.
Si diplomat i Brukselit, Silvio Gonzato është i detyruar të thotë këtë gjë. Por, i rikthehemi sërish abstragimit: A do të ishte kaq i kthjellët “pensionisti shqiptar Gonzato”? A do të mirëkuptonte ai ambasadorin Gonzato, kur do t’i thoshte se, për të fituar të drejtën tënde, duhet ta presësh efektet e Reformës në Drejtësi në plan afat-mesëm apo afatgjatë?
***
Silvio Gonzato është ambasadori i Bashkimit Europian, një burokrat që përmbush detyrën e tij për llogari të punëdhënësit. Në kuadër të mandatit të tij, ai flet me qeverinë shqiptare për reforma strukturore, me qëllim përafrimin e vendit me Brukselit. Ai nuk ka nevojë të flasë me qeverinë nëpërmjet medias dhe natyrisht, edhe media nuk ka përse t’i përcjellë mesazhet e tij të gjata për qytetarët.
Pra, meqë prezantoi qëndrimet e tij në media, ato natyrisht nuk ishin për qeverinë, por për popullin. Dhe, meqenëse mori rolin e “patronazhimit” të qytetarëve, atëherë mesazhet e tij, në këtë rol që as nuk ia kërkon kush dhe as nuk e ka si tagër, janë gjysmake ose edhe “dyfytërsi”.
Gonzato u tregua shumë strik në mbrojtjen e fondeve të Bashkimit Europian, sidomos me milionat e keqpërdorura në Shqipëri të projektit IPARD.
Por, si “patronazhist” i qytetarë, Silvio Gonzato nuk thotë asnjë fjalë për keqpërdorimin e fondeve publike nga qeveria shqiptare-ka plot të tilla, të cilat prekin edhe “reformat strukturore” të sugjeruara nga Bashkimi Europian.
Inceneratorët, një sipërmarrje korruptive janë një abuzim masiv me taksat e shqiptarëve, shumëfish më të larta se ato që i kanë “humbur” IPARD-it.
“Tigrat” e Belindës, dy anijet-gjeneratorë të Vlorës, djegin vetëm miliona euro çdo muaj, pa prodhuar energji dhe, natyrisht, pa e shndërruar Shqipërinë në “garantues për energjinë elektrike të rajonit”.
Porti i Durrësit, një pikë nevralgjike jo vetëm për ekonominë shqiptare, por edhe për atë rajonale e më gjerë, po shndërrohet në një “parajsë betoni” nga Muhamed el Alabar.
Pastrimi i parave të krimit të organizuar në ndërtim, në Tiranë e në bregdet, është një shqetësim madhor, jo vetëm për ekonominë shqiptare, por edhe për vetë sigurinë e Bashkimit Europian.
Autokracia e qeverisë shqiptare tashmë ka marrë formën e saj më të dukshme. Një vend autokrat, natyrisht, cënon rëndë parimet mbi të cilat është ngritur Bashkimi Europian.
Demokracia funksionale, themeli mbi të cilin është ngritur Bashkimi Europian, është shndërruar në një fjalë thuajse të huaj në Shqipëri.
Por, askush nuk duhet të presë të flasë për këto shqetësime madhore nga Gonzato. Ne duhet të jemi të lumtur që po arrijmë Brukselit me shpejtësi, sidomos pas miratimit të “ligjit të 73 gjinive”.








