Berisha: Mediat po censurojnë lajmin që Muç Shaljani bëri fushatë dhe bleu vota për ministrin Ervin Hoxha
Kryetari i PD, Sali Berisha deklaroi se mediat po censurojnë lajmin që Muç Shaljani bëri fushatë dhe bleu vota për ministrin Ervin Hoxha. Berisha tha se, ekzekutimi publik në aeroportin e Rinasit, vendi më i sigurt i shtetit, është vepër e eksponentëve të krimit të lidhur ngushtë me qeveritarët shqiptarë.
“Ekzekutimi publik në vendin më të sigurt të shtetit, aeroportin e Rinasit, është vepër e padiskutueshme e eksponentëve të krimit, të lidhur si mishi me thoin me qeveritarët shqiptarë.
Breshëritë e kallashnikovit dhe pistoletës që u shkrehën mbi trupin e Danit dhe Shaljanit vetëm pak minuta para apo pas se të kalonte një delegacion, i cili shoqërohej me eskortë policie, dëshmon e pasigurisë ekstreme që ekziston në këtë vend në çdo skaj, në çdo qoshe.
Por unë i rikthehem kësaj çështje për një faktor tjetër që mediat po e mohojnë, po e censurojnë.
Muç Shaljani apo Sheqeri ka qenë mbështetës dhe financues kryesor në fushatë elektorale i ministrit të Brendshëm, Ervin Hoxha.
Dhe kjo është e faktuar dhe dokumentuar.
Muç Shaljani është angazhuar me të gjithë bandën dhe paratë e tij të krimit në blerje votash për ministrin Hoxha dhe në mbështetje të tij.
Shaljani është anëtar aktiv i të njëjtës bandë me Danin.
Me njërin nga vëllezërit e tij ai ka pasuri të mëdha, të vendosura që të gjitha nga droga, gjobat dhe ryshfetet.
Shaljani u fut në radhët e policisë nga Hoxha pas misionit të suksesshëm në vjedhjen e votave.
Hoxha nuk ka folur për ushtarin e tij, që e futi në radhët e policisë, vetëm e vetëm që të mund të përdorte uniformën e policisë për trafiqe”, tha Berisha.








