Dosja Balluku, standarti europian dhe standarti Gonzato

Dosja Balluku, standarti europian dhe standarti Gonzato

Nëse nuk ka kurajon që standartet që aplikojnë vendet e BE t’i kërkojë edhe për qytetarët shqiptarë, Ambasadori do të bënte mirë të heshte

Ambasadori i BE, Silvio Gonzato, duhet të jetë menduar gjerë dhe gjatë ndërsa lëshoi një koment për çështjen Balluku, të cilin do ta kishte zili edhe vetë Nard Ndoka. Ambasadori i jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë tha se çdo njeri prezumohet i pafajshëm përsa kohë nuk ka një vendim të formës së prerë kundër tij. Ja, kjo ishte diçka që qytetarët dhe elita e një vendi si Shqipëria do duhej ta mbanin shënim. Fjalë të rralla dhe me peshë në epokën historike të parapërpara integrimit në BE.

Përtej humorit, që diplomatë “buoni per l’Albania” e prodhojnë pa dashje sa herë u duhet të përdridhen për të justifikuar qeverinë Rama, Ambasadori që përfaqëson Brukselin në Shqipëri, nëse nuk ka kurajon që standartet që aplikojnë vendet e BE t’i kërkojë edhe për qytetarët shqiptarë, do të bënte mirë të heshte ose të fliste për tema të tjera.

Nga përfaqësuesi i BE, askush nuk pret që të komentojë procese në hetim apo të shpallë fajtorë e të pafajshëm, përfshi edhe rastin Balluku për të cilin u pyet specifikisht në Top Story. Por Ambasadori fare mirë, edhe si kritikë ndaj zyrtarëve të lartë edhe si ndërgjegjësim të shoqërisë shqiptare, mund të evokonte një standart të shndërruar tashmë në ligj moral thuajse kudo në Europë, atë të dorëheqjes. Një ministër, njëjtë si një qytetar i zakonshëm, prezumohet i pafajshëm deri në një vendim përfundimtar të gjyqësorit. Këtu zoti Gonzato nuk ka bërë ndonjë zbulim në nivelin e misionit të tij. Çështja është se një ministër që paguhet nga taksat e qytetarëve, ashtu siç ka disa privilegje ka edhe detyrime, ndryshe nga një qytetar i thjeshtë. Nëse drejtësia e merr të pandehur, ministri duhet të jetë i lirë të merret me mbrojtjen e tij pa i rënduar detyrës që i kanë ngarkuar. Gjithashtu ai nuk bëhet barrë për partinë, grupin apo qeverinë ku bën pjesë, deri sa të sqarohen përfundimisht akuzat kundër tij. Mbi të gjitha, shkon përpara drejtësisë si i barabartë me qytetarin e thjeshtë, duke dhënë shembullin e mosndikimit dhe besimit tek sistemi.

Ambasadori do të duhej që këtë standart të lartë demokratik, veçanërisht në një vend ku i është arkivuar kuptimi, ta përmendtte si një akt civilizues të ballafaqimit me drejtësinë. Pra, zoti Gonzato mund të deklaronte se beson tek prezumimi i pafajsisë së zonjës Balluku deri sa fjalën e fundit ta thotë gjykata, por në frymën e standartit europian ajo do të duhej të ballafaqohej si e barabartë me secilin qytetar për t’u mbrojtur nga akuzat e ngritura. Pra e dorëhequr dhe jo si numri dy i qeverisë.

Duke zgjedhur medemek të heshtë për një çështje në proces hetimi, Ambasadori i BE në fakt zgjodhi të flasë duke i mëshuar parimit të prezumimit të pafajësisë dhe jo atij të barazisë përpara ligjit, të përdorimit të pushtetit dhe jo zhveshjes prej tij kur gjendesh përballë ligjit. Ambasadori në një farë mënyre u tha shqiptarëve se ata janë të barabartë përballë ligjit, por zyrtarët e lartë të Rlindjes janë më të barabartë. Dhe nëse Ambasadori apo shefat e tij në Bruksel do të kishin ndonjë dyshim se a është përcjellë si duhet ky mesazh, mjaftojnë të përkthejnë lajmin e shpërndarë sot kudo në mediat e qeverisë me të njëjtin tekst e të njëjtin titull: Akuzat ndaj Ballukut, Gonzato: Nuk dënohen njerëzit pa ndodhur hetimet dhe procedurat gjyqësore.

Nuk dihet nëse komisionerja Kos do të reagojë, me shpejtësinë që e karakterizon, për të sqaruar pozicionin e Bashkimit Europian ndaj hetimit të rasteve të korrupsionit të niveleve të larta në Shqipëri, por nga çfarë është pretenduar në gjithë këto vite, taksat e qytetarëve europianë janë përdorur me synimin për të ngritur një drejtësi që do t’i jepte fund pandëshkueshmërisë dhe jo për të dhënë leksione mbi prezumimin e pafajësisë. Por reagon apo nuk reagon Brukseli, Ambasadori Gonzato, në raste të tjera të ngjashme do të ishte mirë të aplikonte një shprehje të urtë shqiptare: Ça le pa thënë, qar e ke. ©lapsi.al

Share it :