Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë futur në listë të zezë biznesmenin Luftar Hysa, 3 vëllezërit e tij dhe rrethin e ngushtë shoqëror pasi akuzohen si të përfshirë në kartelin meksikan “Sinaloa”.
Sipas mediave të huaja zbulimi i tyre ka ardhur nga një operacion i përbashkët i qeverisë meksikane dhe Departamentit Amerikan të Thesarit të cilat zbuluan disa kazino dhe biznese të përfshira në operacione pastrimi parash të lidhura me kartelet e drogës.

Sipas zyrtarëve të Thesarit, Luftar Hysa, bashkë me vëllezërit e tij, Arben, Fatos dhe Fabjon Hysa kanë përdorur investime në biznese meksikane për të pastruar fitimet nga trafiku i narkotikëve dhe sipas tyre ky grup operon me miratimin e Kartelit Sinaloa.
Ata dyshohet se kanë bashkëpunuar me një shtetas amerikan për të transportuar sasi të mëdha parash në dorë nga Meksika në Shtetet e Bashkuara për qëllime pastrimi.
“Shtetet e Bashkuara dhe Meksika po punojnë së bashku për të luftuar pastrimin e parave në sektorin e lojërave të fatit në Meksikë. Mesazhi ynë për ata që mbështesin kartelet është i qartë: Do të mbaheni përgjegjës,” deklaroi Nënsekretari i Thesarit, John K. Hurley.
Ndërkohë kujtojmë se Luftar Hysa, është pritur më herët nga kryeministri Edi Rama në zyrën e tij, duke i dhënë edhe licensë për kazino. Luftar Hysa është akuzuar edhe më herët nga mediat ndërkombëtare si njeri i kreut të kartelit të Sinaloas, El Majo.








