Atentati në Lushnje/ Tre persona plagosin “Julin e Pashakos”, rival i Aldo Bares
Julian Sula, i njohur me nofkën “Juli i Pashakos”, është shënjestra e atentatit në Lushnjë, i cili mbeti i plagosur në këmbë nga të shtënat me armë zjarri. Ngjarja ndodhi paraditen e sotme, rreth orës 10:40 në afërsi të stadiumit Lushnjë.
Ndaj 45-vjeçarit, autorët kanë qëlluar me armë zjarri nga një automjet tip Nissan në lëvizje, që u gjet i djegur në afërsi të fshatit Lifaj.
Makina që u gjet duke u djegur
Policia bën të ditur se 45-vjeçari i plagosur është jashtë rrezikut për jetën.
Blutë kanë ngritur pika kontrolli në hyrje-dalje të qytetit dhe po punojnë për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Rreth orës 10:40, në afërsi të stadiumit Lushnjë, dyshohet se është plagosur në këmbë me armë zjarri shtetasi J. S., 45 vjeç, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Shërbimet e Policisë kanë ngritur pika kontrolli në hyrje-dalje të qytetit dhe po punojnë për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Në afërsi të fshatit Lifaj, është konstatuar një automjet duke u djegur, i cili dyshohet se u përket autorëve.”- njofton policia.
Grupi hetimor në drejtimin e Prokurorisë po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Kush është Julian Sula
I konsideruar edhe si rivali i Aldo Bares, Julian Sula, njihet ndryshe në qytetin e Lushnjës edhe si “Juli i Pashakos”.
Me precedentë penalë dhe i shoqëruar shumë herë në Polici, Sula u soll në vëmendjen e medias për sekuestrimin e pasurive dhe një automjeti luksoz, i cili kushtonte më shumë se 60 mijë euro. Julian Sula, ka pasur në pronësi të tij një lokal dhe një lavazh në qytetin e Lushnjës.
“Në kuadër të luftës kundër informalitetit dhe pastrimit të parave, gjurmimit dhe identifikimit të aseteve që janë përfituar nga veprimtari kriminale, pas informacioneve të mara në rrugë operative se shtetasi J. S merrej me aktivitet kriminal në fushën e narkotikëve dhe krimeve kundër personit, nga strukturat e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Fier, u ushtrua kontroll në banesën e tij, ku u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 70 000 euro dhe 1 automjet me vlerë rreth 100 000 euro”, njoftoi Policia më 2 Tetor 2019.
Në atë kohë, Julian Sula u shoqërua në Polici si i dyshuar për përfshirjen në atentatin ndaj prokurorit Arian Ndoja në qytetin e Durrësit. Nga atentati me armë zjarri mbeti i vrarë shoferi i prokurorit, Andi Maloku, ndërsa u plagos vetë Ndoja dhe i forti i Sukthit, Landi Muharremi. Për atentatit arrestuar Redjan Rraja, ndërsa për Sulën nuk pati prova.
Sula është shoqëruar në polici edhe në vitin 2017, si i dyshuar për përfshirje në një atentat në tetor të atij viti ku mbetën të vrarë dy persona, miq të nipit të Bares, por u la i lirë për mungesë provash.
Ndërkohë, më 11 qershor 2016, Julian Sulo u plagos pas ndeshjes Shqipëri-Zvicër në një pikë bastesh nga Arjan Aliço, anëtar i bandës së Aldo Bares.
Aliço, i njohur ndryshe si “Arti i Braçes” një 53-vjeçar, i dënuar më parë për vrasje dhe që njihet si një nga ushtarët e Aldo Bares. Ai u qëllua me thikë rreth 20 herë dhe me leva aq sa u la si i vdekur buzë rruge dhe u shpëtua nga një kalimtar i rastit.
Sulo nuk përmendi kurrë emrin e ushtarit të Aldo Bares si autor, por Arjan Aliçko mori përsipër krimin dhe ndodhet në burg. Sulo ka udhëtuar vazhdimisht me makinë të blinduar, si dhe i armatosur me armë zjarri.









