Rama në Kushtetuese, CIA në SPAK
Nga Basir Çollaku
Edi Rama është KM me mandat skadence, përpara datës së pretenduar 4-vjeçare. Ai po përpiqet të ndalë përmbytjen e tij. Prokuroria i ka hyrë në zyrë. KM ka nisur kacafytjen e fundit me drejtësinë. Gjakprishur, është turrur në orët e fundit në Gjykatën Kushtetuese, të fitojë kohë e qetësojë disi furtunën e zëvëndëses së tij. Grusht shteti, Republikë Prokurorësh, Republikë Gjykatash, sokëllin kryerilindasi majtist, deri në terrorizëm. Harron të thotë një të hidhur të vërtetë. Ai kryeson një grusht hajdutësh. Një grusht të pandehurish. Një grusht vartësish të burgosur. Të dënuar. Të pandehur. Një grusht soroistësh. Një grusht plaçkitësish. Një grusht të lidhur me mafian e trafikantët e drogës. Një grusht servilësh. Të kapurish. Të inkriminuarish. Nuk lanë gjë pa vjedhur. Pasuri nëntokësore e mbitokësore. Tendera. Koncensione. Rrugë. Shërbime. Investime. Prona publike e private. Ka firmosur me Ballukun miliarda euro. Kanë lënë mundësi e ortakëri për trafikantët e drogës të pastrojnë miliardat e kokainës. Ka hapur dyert Mafias Ndërkombëtare, duke takuar, pritur e punësuar të sanksionuarit nga USA. Tani nga halli kërkon të mbajë dhunshëm në zyrë një të pandehur me shumë akuza vjedhjeje, sepse ajo e kanos, e shantazhon. E ka në dorë. Sms të zbardhura e qindra të tjerë nëpër fashikuj, ku lexohet hapur vjedhja, janë mina me sahat për dyshen KM-zëvëndës. Ka nisur hetimi pasuror për nr.2, por me shumë gjasë thasët e fshehur janë të përbashkët, ende të pandarë me nr.1.
Dhe në Gjykatë Kushtetuese, në vend ta shkarkojë “zonjën tender”, kërkon të ngrejë kaos ligjor të panevojshëm. Thjesht për të larguar radhën nga vetja. Ka mbetur rrugëve duke ofruar edhe 1 miliard euro tendera, si Smart city, Porto Romano etj, duke lobuar me pasurinë e shqiptarëve një shpëtim të fundshpinës së tij. Dhe ankohet ndaj drejtësisë, të cilën mburret se e bëri vetë.
Ndër të tjera në ankesë-qarjen e tij në Kushtetuese Rama thotë se:
pezullimi sjell pasoja të rënda të interesit shtetëror e shoqëror duke krijuar vakum institucional pasi pamundëson propozimin e projekteve me rëndësi kombëtare për integrimin në Bashkimin Evropian, rreth 800 projekte për tu miratuar deri në fund të 2027 nga ministria që udhëhiqet nga ministri, i cili është pezulluar nëpërmjet vendimit të GJKKO-së…”
Në çdo tender e leje në këto 12 vite, shihet si ka bashkë-vendosur Balluku në mungesë e me porosi të Ramës. Kanë ndarë me dedikim personal miliarda euro. Hetohen si hajdutë. Hetohen si favorizues e lejues të pastrimit të parave nga Krimi i Organizuar vendas dhe i huaj. Na paska edhe 800 projekte Rama në duart e Ballukut. Në Shqipëri e Diasporë, në 10 milionë shqiptarë, askush nuk e shpëtoka kombin veç Ballukut e Palloshit. Prite Zot rrezikun!! Në fakt ai po thotë se askush nuk më shpëton mua, veç heshtjes së saj. Por është më shumë se vonë. Qenkan edhe nja 800 punë të mëdha për të vjedhur e shpërndarë Bordit të Keqbërësve. Dyshja i trembet premtimeve të zonës së errët për premtimet. Ata kanë dhënë garanci. Kanë marrë dëftesën paguese të saj, me mandate pushteti dhe ekonomi. Prishja e këtyre kontratave është vrasje-vetvrasje, kthim borxhesh. Ndaj janë gati ta kthejnë gjithçka në tokë e djegur. Duke bërë edhe aleanca nate. Por janë në hall të madh me dy zjarrfikëse. Një te godina e xhamit te Treni e një te rruga e Elbasanit. Dy ditë më pare Ambasada amerikane në Tiranë tha se shërbimi ynë sekret po trajnon me metoda të avancuara mbrojtjen dhe sigurinë e SPAK. Kjo, pas përballjeve të fundit me të pandehurit e rinj. Meqë CIA ka zënë vend në SPAK, pasi DEA ka tre vjet në Tiranë, Rama mendon se mund të bëjë ndonjë ujdi në Kushtetuese. Grusht shtetin mund ta bëjë vetëm narkoshteti. Dhe tashmë botërisht dihet kush është themeluesi narcos në Shqipëri. KM me qeverinë e tij. Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe sigurisht, Amerikën…!









