Ankimi i një biznesmeni të lidhur me aferat e inceneratorëve ka mjaftuar që shteti shqiptar të ndalë në vend shitjen e pasurive të sekuestruara të Francesco Becchetti-t në Kalivaç
Komisioni i Prokurimit Publik (KPP), një strukturë nën kontroll të drejtpërdrejtë politik, ka pezulluar ankandin për shitjen e pajisjeve dhe makinerive të hidrocentralit të Kalivaçit, duke i hapur rrugë favorizimit të kompanisë “Shijaku” sh.p.k, në pronësi të biznesmenit Shpëtim Shijaku – emër i njohur për lidhjet e tij me Klodian Zoton dhe Mirel Mërtirin në dosjet e SPAK-ut.
Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara kishte shpallur ankandin për shitjen e: “Pajisjeve, makinerive dhe automjeteve të sekuestruara të shoqërisë ‘Energji – Kalivaç’”,të vendosura në kantierin e ndërtimit të hidrocentralit të Kalivaçit, në Tepelenë.

Ankandi kishte një vlerë fillestare prej 21.723.029 lekësh pa TVSH dhe ishte parashikuar fillimisht për 2 shtator 2025, më pas u shty për 6 tetor dhe së fundmi për 28 tetor 2025.
Agjencia vetë konstatonte se pajisjet ishin të amortizuara rëndë:
Këto mjete dhe pajisje nuk janë përdorur apo mirëmbajtur për më shumë se një dekadë dhe paraqesin një gjendje të rënduar fizike dhe teknike”.
Megjithatë, edhe pse bëhej fjalë për pasuri të vjetra, lufta për kontrollin e tyre rezulton të jetë shumë aktuale.
Si e ndali Shpëtim Shijaku ankandin e Kalivaçit

Më 25 nëntor 2025, KPP i dërgon Agjencisë së Pasurive një urdhër pezullimi:
procedura e ankandit ndalohet deri në shqyrtimin e ankesës dhe marrjen e vendimit përfundimtar.
Kërkesa vjen nga vetë kompania “Shijaku” sh.p.k, me pronar dhe administrator Shpëtim Shijakun, e cila kundërshton kualifikimin e një kandidati tjetër – “Cekrezi Metal” sh.p.k – në procedurën e ankandit publik.
Në vendimin e KPP thuhet se:
“Urdhërohet pezullimi i procedurës së ankandit dhe moskryerja e asnjë veprimi nga autoriteti shitës deri në shqyrtimin e ankesës dhe marrjen e vendimit përfundimtar.”
Me këtë veprim, praktikisht qeveria – nëpërmjet një strukture të vetën – ndalon vënien në shitje të pasurive të sekuestruara të Becchetti-t dhe i jep një avantazh të qartë Shpëtim Shijakut në garë.
Kush është Shpëtim Shijaku: nga rafineria e Ballshit te statusi “investitor strategjik”
Shpëtim Shijaku dhe kompania e tij “Shijaku” sh.p.k janë kthyer prej vitesh në një emër që shfaqet rregullisht kur bëhet fjalë për:
• privatizime pasurish shtetërore,
• projekte energjetike,
• status “investitor strategjik”,
• dhe dosje të SPAK-ut.
Rafineria e Ballshit – nga industri në tokë për fotovoltaikë
Në vitin 2021, “Shijaku” sh.p.k bleu ish-rafinerinë e Ballshit nga banka për rreth 9 milionë euro, ndërkohë që ringjallja e saj industriale kërkonte 25–30 milionë euro investime dhe nuk u gjet asnjë investitor serioz.
Pas blerjes, skema vijon kështu:
• në mars 2022, Shpëtim Shijaku blen për 100 mijë lekë kompaninë “GreeNNat Solar Park Ballsh” sh.p.k drejt “Shijaku” sh.p.k;
• në vitin 2023, qeveria vendos që në territorin e ish-rafinerisë të ndërtohet një central fotovoltaik, nën pronësinë e “GreeNNat Solar Park Ballsh”, tashmë pjesë e grupit të Shijakut;
• më pas, projekti i shitet shoqërisë “Infotelecom–Albsolar 3” sh.p.k për rreth 2 milionë euro.
Pra, një rafineri strategjike nafte përfundon në një biznes tokash dhe lejesh për fotovoltaikë, duke gjeneruar fitime të shpejta për privatin, ndërsa ish-punonjësit vijojnë të mbeten pa paga të prapambetura.
Resorti “Mediterranean Wave” dhe Plazhi i Gjeneralit
Në dhjetor 2021, kompania “Mediterranean Wave” sh.p.k e Shpëtim Shijakut merr nga qeveria statusin:
“Investim/Investitor Strategjik – Procedurë e Veçantë”
për një projekt resorti turistik me vlerë mbi 50 milionë euro, në Plazhin e Gjeneralit.
Ky status i jep Shijakut:
• të drejtë ekskluzive shfrytëzimi të plazhit ranor për 30 vjet,
• asistencë të posaçme nga shteti,
• dhe financim indirekt publik: ujësjellës, impiant ujërash të zeza, infrastrukturë rrugore dhe nënstacion energjie – të gjitha me paratë e taksapaguesve dhe në funksion kryesisht të resortit privat.
Me një vendim, qeveria “i dhuron” de facto një kompanie private një paketë prej dhjetëra milionë eurosh në infrastrukturë dhe të drejta territoriale.
Shijaku si “maskë” për Zoton dhe Mërtirin, sipas SPAK
Hetimet e SPAK-ut për dosjen e inceneratorëve dhe aferat e tjera me pasuri publike kanë nxjerrë në pah se, sipas prokurorëve, kompania “Shijaku” sh.p.k është përdorur në disa raste si “maskë” për interesat e dyshes Klodian Zoto – Mirel Mërtiri, të afërt me ish-ministrin Arben Ahmetaj.
Ankandi i skrapit të TEC Fier
Në vitin 2014:
• Ministria e Zhvillimit dhe Sipërmarrjes, drejtuar nga Arben Ahmetaj, miraton shitjen në ankand të mbi 4.8 milionë kg skrap në TEC-in Fier, me vlerë 115.8 milionë lekë;
• përfaqësues i Ministrisë në ankand caktohet Klodian Mene, vëllai i kunatit të Ahmetajt;
• ankandi zhvillohet më 18 qershor 2014 dhe fitohet nga kompania “Shijaku” sh.p.k, me një ofertë që, sipas SPAK, përputhej “në qindarka” me shumën e vendosur nga Ministria.
Nga hetimi rezulton:
• në kompjuterin e Klodian Zotos është gjetur një e-mail nga punonjësja e “Shijaku” sh.p.k, Lele Filaj, me titull “draft-kontrata për shitjen e skrapit TEC-Fier”, ku kërkohen sugjerime nga Zoto;
• SPAK konkludon se, pavarësisht se palë formale kontraktore është “Shijaku”, procedura kontrollohej realisht nga Zoto dhe Mërtiri.
Impianti i Shkumbinit – Bashtovë
Në vitin 2016, Ministria e Mjedisit shpall tenderin për:
“Ndërtimin e impiantit të pastrimit të grykëderdhjes së lumit Shkumbin dhe rikualifikimi i vijës bregdetare Vilë Bashtovë–Rrogozhinë”
me fond limit 136.321.418 lekë.
Fitues shpallet bashkimi i operatorëve:
• “Integrated Technology Services” e Klodian Zotos,
• “Shijaku” sh.p.k e Shpëtim Shijakut,
• “Zenit Ambiente”,
me ofertë 101.240.160 lekë.
Sipas dokumenteve të sekuestruara në kompjuterin e Zotos, SPAK thotë se ai kishte dijeni dhe ndikim paraprak mbi këtë procedurë, me informime nga zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit që sot janë të pandehur.
Dyshimet për lidhje me para të trafikut të drogës
Emri i Shpëtim Shijakut del edhe në një tjetër hetim të prokurorisë, që lidhet me kompaninë “Kriol.AL”, themeluar në tetor 2021, me vetëm një punonjës të regjistruar, Kristian Konin.
Sipas dosjes:
• “Kriol.AL” kishte deklaruar fatura shitje prej 960 milionë lekësh të vjetra drejt një kompanie polake “Redenberg S.P”;
• nga sistemi tatimor rezultonte se kompania kishte fatura blerje vetëm me kompaninë “Shijaku” sh.p.k;
• për shkak të dyshimeve mbi burimin e këtyre flukseve, Prokuroria vendosi sekuestrimin e 21 pasurive në emër të Kristian Konit dhe nënës së tij, përfshirë një vilë në “Rolling Hills” me vlerë mbi 800 mijë euro.
Në këtë hetim përmendet edhe një person i dënuar më herët për trafik droge dhe vrasje në Itali, i cili dyshohet se ka kanalizuar para përmes kësaj skeme tregtare. Emri i Shijakut shfaqet në zinxhirin e transaksioneve.
Ndërkohë, projekti i Shpëtim Shijakut në Plazhin e Gjeneralit është pezulluar pas nisjes së hetimeve të SPAK, duke i shtuar dyshimet mbi burimin real të kapitalit dhe lidhjet e tij.
Nga sekuestrimi i pasurive të Becchetti-t te fitorja në Arbitrazh
Në anën tjetër të ekuacionit është dosja e Francesco Becchetti-t, biznesmenit italian që u shpall në kërkim në vitin 2015 nga autoritetet shqiptare, bashkë me nënën e tij Liliana Condomitti dhe bashkëpunëtorin Mauro De Renzis.
Gjykata dhe Prokuroria atëherë:
• sekuestruan 60% të aksioneve të “AgonSet”,
• bllokuan kompanitë “Energji”, “Cable System”, “400KV”, “Fuqi”,
• ngritën akuza për pastrim parash, evazion dhe falsifikim dokumentesh,
• vlerësuan se nëpërmjet transferta-ve të shumta, rreth 39 milionë euro janë qarkulluar në një skemë të dyshuar pastrimi parash.
Në qendër të aktivitetit ekonomik qëndronte edhe projekti i Hidrocentralit të Kalivaçit, fituar nga “Beg” s.p.a në vitin 1997 dhe më vonë në partneritet me “Deutsche Bank” nëpërmjet kompanisë “Hydro srl” dhe “Kalivaçi Green Energy” në Shqipëri.
Në vitet 2012–2013, kontrolli i AKBN dhe më pas i KLSH ka konstatuar mungesë dokumentacioni, projekte të pa firmosura, vonesa dhe parregullsi në punime.
Megjithatë, pas betejës shumëvjeçare ligjore në Arbitrazhin Ndërkombëtar:
• më 28 mars 2023, Becchetti fitoi përfundimisht çështjen kundër shtetit shqiptar;
• ICSID la në fuqi vendimin që e konsideron shpronësimin e investimeve të tij si të paligjshëm;
• Shqipëria u detyrua të paguajë dëmshpërblim gjithsej rreth 108 milionë dollarë për Becchetti-n dhe ortakët e tij.
Në këtë sfond, pasuritë e sekuestruara të Becchetti-t në Kalivaç – përfshirë makineritë, pajisjet dhe mjetet e “Energji – Kalivaç” – kthehen sot në objekt pazari, ankandi dhe pezullimesh ku përfituesit potencialë nuk janë më shteti dhe buxheti i qytetarëve, por një rreth i ngushtë biznesmenësh të lidhur me qeverinë.
Nga Becchetti te Shijaku: i njëjti shtet, dy standarde
Nga njëra anë, qeveria i është dashur të paguajë mbi 100 milionë dollarë për një proces të humbur në Arbitrazh, ku u vërtetua se kishte shpronësuar në mënyrë të paligjshme një investitor.
Nga ana tjetër, e njëjta qeveri – përmes strukturave të saj – pezullon ankandin e pasurive të atij investitori pikërisht në momentin kur në skenë hyn një emër si Shpëtim Shijaku, i lidhur me:
• privatizime strategjike,
• favore qeveritare,
• tendera të dyshuar,
• hetime për pastrim parash,
• dhe aferat e inceneratorëve.
Pezullimi i ankandit të Kalivaçit nuk është thjesht një procedurë teknike. Është pasqyra e një modeli ku pasuritë publike, pasuritë e sekuestruara dhe vendimet e drejtësisë ndërkombëtare përdoren si terren për pazare të reja, ku fitues mbetet gjithmonë i njëjti tip biznesmeni – ai që ka shpinën e mbrojtur nga pushteti./Publik.al


















