Rama rreziku publik i Shqipërisë

Rama rreziku publik i Shqipërisë

Nga Basir Collaku

Siguritë në Shqipëri kanë marrë tatëpjetën prej kohësh. Duke nisur me sigurinë juridike, ekonomike, ushqimore, të të bërit biznes, e mjaft të tjera, tashmë në duar të qaftëlargut. Tre ditët në pritje të Gjykatës Kushtetuese, për shqyrtimin e ankesës së qeverisë me 12 dhjetor nese qëndron ligjërisht pezullimi nga posti i ministres Belinda Balluku, e kanë nxjerrë binarësh Edi Ramën. Shoqata e gjyqtarëve, e ka cilësuar presion mbi sistemin e drejtësisë, duke vënë në rrezik pavarësinë e këtij pushteti, përditshmërinë e qëndrimeve të kryeministrit. Në një njoftim të sajin, pas dendësisë së madhe disa herë brenda një dite, të deklaratave të Ramës, mes të tjerash shoqata thekson se “..ndërhyrja në veprimtarinë e gjyqtarëve gjatë zhvillimit të procedurave gjyqësore përbën formën më të rrezikshme në shkeljen e parimit të ndarjes së pushteteve, pasi ka si qëllim deformimin e vendimmarrjes nëpërmjet formave të ndryshme të presionit…” Rrezik dhe presion. Marrja e pandehur e zëvëndëses së kryeministrit, me dosje të cilat shtohen rreth procedimit penal të regjistruar në emër të saj, ka rritur alarmin e kreut të qeverisë. Ai e sheh se po shkon emri i tij, si pjesë e hetimit në këto çështje. Në përpjekjen për të fituar kohë për Ballukun, kanosjet i ka për të mbrojtur veten. Kërcënimet që Balluku i bën Ramës, detyrojnë këtë të fundit të transferojë presionin të gjyqtarët e prokurorët. Zhvillimet në gjykatë e prokurori janë nxituar disi nga të pandehurit e arrestuar. Gjykata e Posaçme ka kaluar për gjykim dosjen në ngarkim të ish-drejtorit të ARRSH, Evis Berberi, vartësi i minsitres Belinda Balluku, si dhe personat e tjerë që janë marrë të pandehur për këtë çështje. Beberi ka kërkuar gjykim të shkurtuar. Gjykimi i shkurtuar është procedurë e posaçme gjyqësore penale, në të cilën nuk ka pretendime për pavlefshmëri të akteve të fazës së hetimeve paraprake, si dhe nuk ka pretendime për papërdorshmëri të provave. Drejtori i rrugëve, duket se ka shërbyer me arkivin e tij të komunikimeve për të thelluar dijeninë e akuzës për sjelljen, veprimet, porositë, të eprores së tij ministre, por edhe të kryeministrit Edi Rama. Ndaj nakatosja e Ramës ka dalë livadhit. Zyrtari, mbiemri i të cilit përkon me qethjen, apo krasitjen e leshit të tepruar, duket si simbolikë, se diçka është pranuar, apo diçka është shkëmbyer në këtë përballje me drejtësinë. Në alarm për sekretet penale të grumbulluara, Rama shfrenon kujdesin dhe u kthehet gjyqtarëve tre ditë para shkrehjes së vendimit kushtetues. Ai shkon edhe më larg, duke i përmendur shoqatës, kërkesën e tyre, që sipas tij është kërkesë për ti rrëmbyer komptencën qeverisë, pra zotërisë, që ka në dorë pagat e fatet e tyre. Më tej dalldis e shkruan se “..‘Jo vetëm kaq, po Shoqata e Gjyqtarëve duhet ta dijë, që do të gabonte po kaq shumë sikur të priste heshtjen time për kërkesën e saj skandaloze dhe të përsëritur, ndaj Gjykatës Kushtetuese, për (ri)rritjen e pagave të gjyqtarëve me vendim gjykate, duke rrëmbyer kompetencat e qeverisë e të parlamentit..” Dhe trimëron duke shtuar se ai nuk do të heshtë, por do të flasë. Në Amerikë, kur je në prag të marrjes i pandehur, të përmendin të drejtat, e të kujtojnë se çdo gjë që thua nga ai moment do të përdoret si deklarim në gjyq, kundër subjektit përkatës. Ai e di. Përveç pusetës së prodhuar nga dosja “Rama-Balluku”, miliarda euro tenderime e abuzime, janë dosjet ndërkombëtare. Është McGonigal, e Sinaloa, dosjet e karteleve të drogës, të cilat u kanë mbërritur autoriteteve në Tiranë, e nuk ka kthim pas. Akoma përsërit refrenin kanosës se “..është goditur nga një prokuror e një gjykatës dhe rrezikon të gjymtohet për sot e për të ardhmen në shtyllën e vet kurrizore…” Eshtë lehtësisht e ditur. Edhe nëse Kushtetuesja anemike në mjaft raste, do të lëkundet, e do të japë oksigjen për Ramën, pas presioneve të të gjitha formave, ka diçka tjetër, Struktura e Posaçme dhe Gjykata e kanë gati kërkesën për heqje imuniteti e masë arresti për zëvëndësen Balluku. Kjo pritet edhe nëse Rama rrëzohet. Dhe jo vetëm. Të tjerë janë në radhë. Ndaj kryengritja kundër drejtësisë e Ramës, beteja e fundit e humbur e tij, është rreziku më i madh publik që i kanoset vendit. Rrezik i eksportuar me pjesëmarrjen e tij dhe në BE e SHBA..

Share it :