Rruga e Kombit që bashkoi zemrat/ Gazmend Saiti: Nga Prizreni në Tiranë, udhëtimi i jetës sime!
Unë jam Gazmend Saiti, shqiptar i Prizrenit, por qytetar i Tiranës! Erdha në Tiranë pas luftës, për të realizuar një ëndërr, për tu bërë gazetar, nga Kosova që dikur ishte brenda zemrës së çdo shqiptari për atë që vuajti, por nga ana tjetër shumë larg, për shkak të maleve që i kemi po aq të larta sa vuajtjet e kombit tonë.
Mbaj mend rrugën time të parë, për të studiuar në Tiranë, duhet të udhëtoja gjithë ditën, për afro 10 orë, e plot rreziqe të rrugës që gjarpëronte buzë greminës.
Ishte e lodhshme, e rrezikshme, e për mua dukej edhe më e rrezikshme edhe më e gjatë për shkak të padurimit për të mbërritur në dhomën time të studimit. Për shkak të distancës, familjen e takoja shumë rrallë, shpesh dimri kalonte pa u takuar me nënën.
Por sërish mendoja se edhe pse kaq larg, isha në shtëpinë time, Shqipëri. Kështu ndodhi edhe pas studimeve, unë qëndrova në shtëpi, e Prizreni u kthye ne vendin tim të lindjes.
Teksa përfundoja studimet, Kosova për mua ishte shumë larg, por teksa krijova këtu familjen time dhe Zoti më bekoi me dy fëmijë, shtëpia ime, Kosova me erdhi më afër se kurrë.
Isha ndër të parët që përshkova Rrugën e Kombit, sapo tuneli u hap, jo se kisha ndonjë nxitim, por për ti thënë vetes dhe bashkëshortes time, shqiptare të Shqipërisë, se unë nuk isha më ai shqiptari nga Kosova e largët, por tashmë ishim dy shqiptarë të dy qyteteve të ndryshme shqiptare.
Si unë dhe shumë bashkëvendasit e mi të Kosovës kishim zgjedhur vetë rrugën e bashkimit, por në atë kohë, vullneti i një pushteti të mirë, vizioni i një kryeministri patriot, bashkoi dy shtetet shqiptare.
Na bashkoi ne me familjet që dikur i kishim larg, na dha mundësinë që hallet që nuk i zgjidhnim dot në Kosovën e pas luftës, ti zgjidhnim në Tiranë.
Gëzimet tashmë i festojmë si një familje e bashkuar, ku nga udhëtimet 1 ditore, tashmë për 2 orë unë dhe çdo shqiptar i Kosovës mundë të ishim sërish në shtëpi. Bregdeti shqiptar nuk ishte më vetëm destinacioni i pushimeve verore, por u kthye në destinacionin e cdo fundjave.
Teksa i çoja çdo fundjavë në shtëpinë time në Prizren, i tregoja vajzës dhe djalit tim, vuajtjet e rrugës që unë duhet të kaloja, ndërsa sot ata kalojnë në Rrugën që bashkoi Kombin edhe pse tani me ndonjë pengesë të vogël gjatë saj.
Por unë këtë nuk ja them dot vajzës dhe djalit tim! Por përpiqem të gjej arsye nga më të ndryshmet që t’i shpjegoj, se për të ndërtuar një familje të fortë, duhet të kursehet, se shpenzimet janë të mëdha, kostot e jetesës rriten bashkë me ta.
E shteti, në vend që të na lehtësojë bashkimin dhe rritjen e familjes, Rrugës që bashkoi kombin i vendosi traun! Megjithatë mbetemi me shpresë që ai që ndërtojë këtë rrugë të heqë këto barriera zhvatëse për qytetarët e mbarëshqiptarisë.
Për mua vizioni dhe puna për ndërtimin e rrugës së Kombit nuk ishte veç një rrugë që bashkoi dy shtetet, por bashkoi familjen time, e familjen e çdo shqiptari të Kosovës e Shqipërisë.
Bashkoi tregëtinë, bashkoi arsimin, e për më tepër bashkoi vlerat kombëtare.
Faleminderit!









