Meta i izoluar dhe censuruar nga Rama/ Xhixho: Në Rusi, Putin nuk ia hoqi Navalnyt lirinë e shprehjes
Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, në një deklaratë në rrjete sociale shkruan se në Shqipëri po ndodh një shkelje e hapur e të drejtës së fjalës dhe e transparencës, e cila e bën vendin të duket më keq se Kremlini.
Ajo thekson se ish-presidenti Ilir Meta, i izoluar në ekstrem, i është mohuar çdo mundësi për të komunikuar me mediat, ndërsa çdo përpjekje për të dhënë intervista është ndëshkuar dhe censuruar me urdhër të qeverisë.
Xhixho shton se respektimi i të drejtës së shprehjes dhe zbatimi i rekomandimeve të Avokatit të Popullit janë detyrime ligjore që Shqipëria duhet t’i përmbushë për të qenë vërtet një vend europian.
Shkrimi i plotë:
Në Rusi, Putin nuk ia hoqi Navalnyt lirinë e shprehjes. Denoncimet e tij për kushtet nga burgu në Arktik dhe kritikat ndaj regjimit autoritar të Putinit arritën pa pengesë te miliona rusë.
Në Shqipëri ndodh e kundërta me ish-presidentin e vendit, z.Ilir Meta. I izoluar në ekstrem, atij i është mohuar tërësisht e drejta për të komunikuar me mediat. Çdo përpjekje për të komunikuar me gazetarët është ndëshkuar, çdo fjalë e tij është censuruar me urdhër të Edi Ramës.
Sepse ndryshe nga regjimi i Putinit, ai i Edi Ramës të heq të drejtën e fjalës, në emër të një pushteti që nuk pranon kritika.
A mund të flasim për Shqipëri Europiane, kur Tirana sillet më keq se Kremlini? As në 2030, as kurrë!
Raporti i Avokatit të Popullit e thotë qartë se komunikimi me mediat është në bazë të parimit për të drejtën e shprehjes dhe transparencën.
Respektimi i Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut nuk është opsion – është detyrim ligjor.
Zbatimi i 9 rekomandimeve të Avokatit të Popullit është gjithashtu detyrim.
Shqipëria europiane që qytetarët meritojnë duhet të ketë në themel demokracinë dhe shtetin e së drejtës.








