Zgjedhja e Brahos në krye të SPAK/ Meta: Nëse krijohet perceptimi i ‘fotos’, cënon shumë besueshmërinë
Në një intervistë ekskluzive për “Syri . net” Presidenti i Partisë së Lirisë, Z. Ilir Meta komenton zgjedhjen e Klodian Brahos në krye të SPAK.
Nëse krijohet perceptimi se ai i “fotos” është i besuar e të tjerët “të dyshimtë”, kjo cënon shumë besueshmërinë e SPAK, nënvizon ai.
(PJESA E PARË)
Pyetje: Z. Meta, java që u mbyll pati disa zhvillime kryesore sidomos zgjedhja e kreut të SPAK-ut dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e pezullimit të Zv. Kryeministres Balluku. Cili është vlerësimi i juaj për këto dy ngjarje?
Në fakt për mua ngjarja kryesore e cila u eklipsua qëllimisht nga dy ngjarjet e ditura dhe të pritshme, ishte miratimi i buxhetit të ri dhe amnistimi në mënyrë jotransparente dhe klienteliste i 2 miliard eurove.
Po kështu, fakti që u refuzuan propozimet e opozitës, përfshirë edhe 12 amendamentet e Partisë së Lirisë, që ishin në mbështetje të qytetarëve më vunerabël nga kosto në rritje e jetesës.
Po kështu, u hoq vëmendja nga thelbi i buxhetit të ri, që është pikërisht thellimi i shpopullimit përmes braktisjes së bujqësisë dhe prodhimit vendas, përmes nënfinancimit skandaloz të arsimit dhe shëndetësisë.
Po për zgjedhjen e kreut të ri të SPAK-ut, cili është mendimi juaj?
Qershia mbi tortë ishte votim i hapur me dy emra, aq sa asnjë nga tre zonjat e KLP nuk guxoi t’i jepte një votë të vetme zonjës kandidate, qoftë edhe për guximin që pati për të kandiduar.
Ndërkohë që prania e tepruar e diplomatëve të huaj në atë sallë, më shumë shton pyetje për legjitimitetin dhe integritetin e KLP dhe procesit, se sa legjitimon produktin.
Nga kush po e mbronin procesin ata?
Nga opozita, e cila u vetpërjashtua nga roli i saj nga procesi i vetingut e detyrimisht nuk mund të kishte rol në përzgjedhjen e asnjë prokurori të SPAK-ut.
Nëse krijohet perceptimi se vetëm njëri nga ata të katërt, pra ai i “fotos” është i besuari se tre të tjerët janë “të dyshimtë”, kjo cënon shumë besueshmërinë e SPAK-ut dhe përbërjen e tij, kur ligjërisht çdo prokuror është i barabartë me tjetrin dhe roli i drejtuesit është shumë i kufizuar (sipas frymës së ndryshimeve kushtetuese).
Por, meqënëse këtu, si në asnjë vend tjetër të Këshillit të Europës, SPAK është identifikuar me gjithë sistemin e drejtësisë (e sidomos gjykatat) ky lloj shoë është i kuptueshëm.
Ndërkohë harrohet që 200 mijë dosje janë stivosur këto 10 vite dhe standardet e marrjes së drejtësisë në kohë dhe cilësi, janë përkeqësuar në mënyrë të pakrahasueshme jo vetëm me 10 vite më parë, por edhe me Vietnamin njëpartiak.
Ndoshta ndërhyrja e ndërkombëtarëve ishte për të shmangur një nga të preferuarit e Ramës?
Duhet t’ja kursejmë publikut shaka të tilla. Ne e dimë historinë e krijimit të kësaj KLP-je, e cila është e prejardhur nga një proces antikushtetues që bëri Edi Rama me ndihmën e dy ambasadorëve duke zgjedhur Znj. Arta Marku me 69 vota Kryeprokurore (nga 84 që kërkonte Kushtetuta).
Pra nuk mund të besojmë se Z. Rama nuk ka asnjë votë në KLP, se ka vetëm një votë apo se ka vetëm 3 vota.
Por ai është mjeshtër për të bërë inskenime të tilla, të cilat gjithmonë çojnë ujë në mullirin (mullarin) e tij të korrupsionit gjigandesk.
A keni pritshmëri se Z. Braho do të bëjë më shumë se Dumani kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit?
Në bindjen time, suksesi i SPAK-ut varet nga puna e secilit prej 20 prokurorëve të tij.
Po kështu edhe nga bilanci i tyre personal.
Kur të vijnë përgjigjet nga Gjykata e Strasburgut do kujtojmë edhe nivelin e tij të vërtetë dhe prokurorëve apo gjykatësve të veçantë.
Për fat të keq, realisht edhe SPAK-u edhe sistemi gjyqësor në Shqipëri, është kthyer te variant i parë i propozuar nga grupi i ekspertëve të Reformës, i cili u rrëzua nga Komisioni i Venecias pas oponencës të bërë nga grupi parlamentar i PD dhe grupi parlamentar i LSI.
Dhe kjo ka ndodhur hap pas hapi në kundërshtim me Kushtetutën.
Sot më shumë kemi një shtet policësh se sa një shtet të së drejtës europiane.
Si nuk pyeti një anëtar i KLP për aplikimin arbitrar të paraburgimit nga SPAK-u?
Kjo nuk mund të fshihet me statistikën e Dumanit se vetëm 9.7% e të paraburgosurve i takojnë SPAK-ut, pasi SPAK mbulon vetëm 1.38% të çështjeve penale dhe jo 9.7% të tyre.
A e ka llogaritur ndonjë anëtar i KLP se sa do të ishte numri i të paraburgosurve në Shqipëri, nëse i gjithë sistemi i prokurorisë do kishte këtë nivel arbitrariteti?
Me dhjetëra herë më shumë do ishte numri i të paraburgosurve se sa në çdo vend tjetër fqinj apo të BE.
Paradoksi më i madh është se sa më shumë rritet numri i arrestimeve të zyrtarëve të lartë, aq më shumë rritet edhe niveli i korrupsionit.
Një tregues i punës së SPAK-ut, mendoj se tregohet edhe te kursi i euros, i cili ka marrë tatëpjetën prej kohësh.
Si mund të forcohet leku në një vend ku nuk rritet prodhimi dhe bien eksportet?
Pra edhe pse shtohen arrestimet, nuk preket sistemi as i korrupsionit dhe as i narkoekonomisë, sepse këtë e garanton vetë krijuesi i këtij sistemi, Rama (Soros).
Është e sigurt se kur të hyjë në zyrë drejtuesi i ri i SPAK-ut, do gjejë 250 fletë-arresti të paekzekutuara.
Nëse nuk e nis punën me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, është e sigurt se do t’i lerë pasuesit të tij mbi 500 fletë-arresti trashëgimi.









