Urën mbi Bunë e merr lumi/ Qeveria anulon projektin e lançuar me bujë nga Rama dhe Abazoviç

Urën mbi Bunë e merr lumi/ Qeveria anulon projektin e lançuar me bujë nga Rama dhe Abazoviç

Në shkurt të vitit 2023, kryeministri Edi Rama dhe homologu i tij i atëhershëm malazez, Dritan Abazoviç, shpallën nga Podgorica projektin për të ndërtuar një urë, e cila do të lidhte Velipojën me Ulqinin.

“Është një projekt, i cili ka një vlerë të jashtëzakonshme sepse më në fund do të lidhë 2 anët e një kufiri që është 300 metra sa është ura. Projekti është gati, sfida është të hartojmë një procedurë, është hera e parë që ndodh që 2 qeveri do të hapin një garë ndërkombëtare me një komision të përbashkët. Pastaj do të përcaktohet fituesi. Projektin do ta bëjmë të njohur që nesër dhe do të jetë një projekt vërtetë i bukur dhe ambicioz,” tha Rama.

Edhe Abazoviç ishte shumë entuziast për projektin.

“Është pak më i shtrenjtë se sa e kemi menduar në radhën e parë. Mendoj se do të kushtojë 20 milionë Euro, nëse ndahet përgjysmë nuk është shumë. E kemi pikën e hapur dhe mjetet rezervë për këtë çështje. Tashmë kemi biseduar që do t’i ndajmë dhe pagesa të bëhet në disa vite dhe të mos jetë asnjë ngarkesë për të dy vendet tona,” tha ai.

Urën mbi Bunë e merr lumi/ Qeveria anulon projektin e lançuar

Projekti i Ures mbi Bune

Pak muaj pas shpalljes së projektit nga të dy kryeministrat, marrëveshja me Malin e Zi për ndërtimin e përbashkët të urës u miratua në Kuvendin e Shqipërisë me votat e maxhorancës dhe opozitës.

Menjëherë pas kësaj, Ura e Bunës u fut në listën e propjekteve prioritare të investimeve buxhetore. Sipas dokumentit të miratuar nga qeveria, vepra do të kishte një kosto prej 20 milionë eurosh dhe ndërtimi i saj iu ngarkua Fondit Shqiptar të Zhvillimit.

Por ndonëse Rama deklaroi se projekti ishte gati dhe ndërtimi do të fillonte brenda pak kohësh, gjërat morën një tjetër rrjedhë. Ndërtimi i urës nuk filloi asnjëherë, ndërsa pak ditë më parë, qeveria e Shqipërisë njoftoi de fakto anullimin e projektit.

Në përditësimin e fundit të listës së projekteve prioritare, që u mirata nga qeveria në mbledhjen e fundit, ura mbi Bunë nuk ekziston më. Qeveria e ka hequr projektin, duke lajmëruar praktikisht anulimin e tij pa shumë lavdi.
Kapitali

Share it :