Berisha: Edi Rama i ka kohërat e numëruara! Forcë në botë që ta shpëtojë nga PD dhe opozita shqiptare nuk ka!
Kryetari i PD, Sali Berisha duke folur në mbledhjen e Këshillit Kombëtar tha se, se Edi Rama i ka kohërat e numëruara’ dhe se nuk ekziston asnjë forcë, brenda apo jashtë vendit, që mund ta shpëtojë atë nga përballja me opozitën shqiptare.
Berisha e përshkroi situatën si të rrezikshme, por njëkohësisht vendimtare, duke bërë thirrje për një mobilizim të përgjithshëm qytetar dhe opozitar, për protesta të qëndrueshme dhe rezistencë në të gjitha format.
Berisha: Miqtë e mi, të gjitha këto na faktojnë se në çfarë situate jemi, sa e rrezikshme është, duhet ta pranojmë, është e rrezikshme situata, por për të gjithë ata idealistë, ata guximtarë, që duan të kontribuojnë për veten, fëmijët, të ardhmen e tyre, ka vetëm një rrugë, përballja gjer në fitore me këtë kalbësirë, të aftë të kryejë çdo krim.
Të aftë të marrë çdo vendim.
Të aftë të bëjë gjithçka për të mbijetuar.
Ndaj dhe të nderuar anëtare dhe anëtarë të Këshillit Kombëtar.
Në qoftë se ndonjëherë ka qenë ora e thirrjes për ne, kjo është ora e thirrjes për çdo idealist, për çdo atdhetar, për çdo shqiptar.
U tejkalua çdo lloj vije, çdo lloj standardi.
Ish-koordinatori për banda i Edi Ramës, merr peng për t’i hapur rrugën kunatit të familjes.
Nuk shkohet më tutje, do qëndrojmë tek këto.
Se ju kudo që shkoni, këta nuk bëjnë gjë tjetër veçse vjedhin pasuritë e qytetarëve.
Ndaj dhe thirrja ime është të spostohemi në një orbitë të re.
Po, kërkohet të operojmë në një orbitë të re.
Dhe kjo është orbita e përballjes me këtë regjim.
Është thirrje për çdo njërin prej nesh për guxim, për kreativitet, për të gjitha format e rezistencës dhe lëvizjes, dhe u garantoj se në mënyrën më të pashmangshme, fitorja është e PD, fitorja është e opozitës, fitorja është e shqiptarëve.
Asgjë nuk do na ndalë ne pa rikthyer Kushtetutën, ligjin, të drejtat e shqiptarëve për votën e lirë dhe ndëshkuar këtë organizatë kriminale, të papërmbajtur në vjedhjen e shqiptarëve.
Ju e morët vesh, na thoni tani këtu, prokuroria dërgon në parlament kërkesën për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e Lubisë.
Prisni. Prokuroria ka dërguar me qindra dokumente, ligji dhe vetë prokurori, ato ua adreson si kryetarit dhe çdo deputeti të parlamentit.
Edi Rama urdhëron Niko Peleshin dhe ai i ndryn në kasafortë, fillimisht i mashtron, u thotë përfaqësuesve tanë se e ka kërkuar prokurori. Sigurisht se ato janë sekret, por nuk mund të jenë kurrë për anëtarët e Këshillit të Mandateve.
Po pse janë sekret?
Se aty del Rama.
Se aty del Rama me të gjithë porositë e tij.
Se ata kaluan nga tuneli i Llogarasë, tek lotet.
Tek lotet është Rama me mesazhet.
Plus që janë filmime të tjera, fjalë të tjera.
Ju e shihni se ata janë një grup llumi, që vetëm zyrtarë nuk mund të quhen ata.
Dhe tani kërkojnë t’i fshehin.
Na thoni ju, çfarë duhet të bëjmë ne?
Si mund t’u mbahet deputetëve dokumentet, vetëm e vetëm se Edi Rama është i zhytur gjer në veshë.
Kështu që jemi pra… shikoni çfarë akti provokativ. Rrezikohet të mos na japin dokumentet.
Duan t’i mbajnë duke fshehur vjedhjet.
Duan t’i mbajnë duke fshehur krimin.
Atëherë është populli, janë qytetarët që duhet të flasin.
Ose të shtrijmë qafën, po jo kurrë nuk e bëjmë atë.
Ndaj, të nderuar anëtarë të Këshillit Kombëtar, këto ditë që kanë mbetur, jeni të lutur, u kërkoj të angazhoheni në takime intensive me qytetarët.
Është koha e guximtarëve, mos e harroni këtë.
Dhe çdonjëri që thotë se si t’ia bëjmë se ky nuk po më vjen, i them në radhë të parë hajde ti vetë, jep shembull personal, ai që nuk vjen, lëre mënjanë, shko gjej tjetrin që vjen.
Është koha e guximtarëve.
Mos harroni se kjo qeveria nuk u reziston kurrë 3 mijë apo 5 mijë burrave dhe grave, djemve që vendosin të zënë sheshin para kryeministrit dhe të mos e lëshojnë atë gjer sa të ikë ky.
Ata që i rrëzuan, i kanë rrëzuar autokratët, por i kanë rrëzuar me protesta të qëndrueshme.
Tani, kemi bërë çdo gjë, nuk ka qenë e lehtë, ka qenë shumë e vështirë. Imagjinoni ju lobingjet e Mogherinave kundër nesh, imagjinoni ju se çfarë efekti kanë patur.
Por një mirënjohje të pakufishme ndaj partive simotra, të cilat e kuptuan se qëndrimi ndaj PD ishte i pabazuar dhe nga tetori i vitit 2024, gjer më 5 dhjetor, kanë miratuar 7 rezoluta në mbështetjen tonë.
Natyrisht janë mbështetje e fuqishme, por ato janë letër në qoftë se ne nuk ngrihemi.
Agjenda jonë duhet të jetë protestë, protestë dhe vetëm protestë.
Në të gjitha format.
Kudo. Brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Degët tona, kudo që janë, do të angazhohen në protesta të fuqishme kundër këtij regjimi, pranë organizatave ndërkombëtare.
Protesta të fuqishme kundër kleptokracisë dhe narkoshtetit shqiptar.
Edi Rama i ka kohërat e numëruara.
Forcë në botë që ta shpëtojë nga PD dhe opozita shqiptare nuk ka.









