Investigimi/ SPAK futet tek AKSHI, kopshti privat i kryeministrit Edi Rama
Mirëmbrëma! Po fillon Plug! SPAK arrestoi të martën 8 persona për abuzimet me tenderat tek AKSHI. Sipas SPAK ata vepronin si grup i strukturuar kriminal, e në thelb kishin përfitimin e miliona eurove të tenderave të AKSHI-t. Ndjekim fillimisht një material të përmbledhur dhe më pas rikthehemi sërish në studio.
Pas 1 viti hetime, SPAK ka finalizuar operacionin me 8 masa sigurie, 2 nga të cilat arrest në burg dhe 2 arreste në shtëpi për abuzimet në vlerë miliona euro tek Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit. Përkatësisht, drejtoresha e AKSHI-t Mirlinda Karçanaj është vendosur në arrest shtëpie së bashku me zëvendësen e saj Hava Delibashi për shkelje të barazisë në tendera e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “grup i strukturuar kriminal”, dhe “kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”.
Arrest në burg është caktuar për biznesmenët Ermal Beqiri dhe Ergys Agasi, për të cilët masa e sigurisë nuk është ekzekutuar pasi nuk janë gjetur nga Byroja Kombëtare e Hetimit.
Beqiri dhe Agasi akuzohen për “konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “heqje e paligjshme e lirisë”, “shkelje e barazisë në tendera” e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “grup i strukturuar kriminal”, “organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal” dhe “pastrim parash”.
Në masën pezullim nga detyra dhe ndalim të daljes jashtë vendit është vendosur zv. drejtori i Policisë së Tiranës Erion Ismaili, pasi bashkëpunoi me biznesmenët deri në pengmarrjen e njërit prej tyre. Ai akuzohet për “konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës”, e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “grup i strukturuar kriminal” dhe “kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”.
Ndërsa i ndalohet dalja jashtë vendit shtetasve Andis Papa, Gëzim Hoxha dhe Rogers Rryta. Veç shkeljes së procedurave në tendera, ku spikat paracaktimi i tyre në mënyrë preferenciale, sipas dosjes, biznesmeni Geron Meçe është marrë peng për të mos marrë pjesë në një procedurë të tillë që më pas do të fitohej nga personat nën hetim, ku dyshohet të jetë përfshirë edhe drejtuesi i Policisë së Tiranës, Erion Ismaili.
Treshen me masë më të lehtë sigurie, Gëzim Hoxhën, Andis Papën dhe Rogers Rrytën, SPAK i akuzon për “pastrim parash”, e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “grup i strukturuar kriminal” dhe “kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”.
SPAK:
“Shtetasit e dyshuar, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, kanë kryer veprime të kundërligjshme, kanë konsumuar elemente të veprës penale ‘shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike’ dhe konkretisht në përcaktimin e kritereve specifike jo të përcaktuara në ligj, për favorizimin e disa kompanive kundrejt të tjerave. Në kuadër të veprimtarisë së tyre kanë detyruar përfaqësues të kompanive pjesëmarrëse në tendera të heqin dorë nga ankimet për procedurat e caktuara të tenderimit, kësisoj duke i hapur rrugën kompanive të paracaktuara, për të cilat shqyrtimi i ankimimit mund të sillte edhe ndryshimin e renditjes së listës së fituesve. Administratorët e disa kompanive, të cilët me veprime të kundërligjshme, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, kanë marrë pjesë formalisht në procedura tenderimi, kanë lëshuar fatura tatimore fiktive si dhe kanë realizuar transaksione kundrejt kompanive të cilat nuk ishin pjesë e procesit të tenderimit”.
SPAK tha zyrtarisht për mediat se hetimet vijojnë për zbulimin e fakteve të tjera penale dhe identifikimin e subjekteve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari të jashtëligjshme.









