Manipulimi i Zgjedhjeve te 11 Majit/ PD publikon librin me 2543 raste të verifikuara abuzimi
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, prezantoi sot publikimin e PD-së të titulluar “Farsa e madhe e majmur e zgjedhjeve në Shqipëri”, një dokument voluminoz që, sipas tij, dëshmon shkeljet masive të zgjedhjeve në vend.
Berisha deklaroi se publikimi përmban mbi 1500 faqe dhe më shumë se 2 mijë prova, përfshirë dokumente zyrtare, video, fotografi dhe procesverbale, të cilat sipas tij faktojnë manipulimin e votës, shkeljet ligjore, presionet ndaj zgjedhësve dhe ndërhyrjen e krimit në procesin zgjedhor.
Ai e cilësoi dokumentin si një rast të pashembullt në historinë e zgjedhjeve në Europë dhe më gjerë, duke vlerësuar punën e strukturave të Partisë Demokratike për mbrojtjen e votës dhe identifikimin e çdo shkeljeje gjatë procesit elektoral.
Sipas Berishës, materiali është analizuar në detaje nga një ekip i posaçëm dhe është dërguar në kohë reale në institucionet dhe qendrat ndërkombëtare që monitorojnë zgjedhjet në Shqipëri. Ai theksoi se ky kontribut ka shërbyer për pasqyrimin e problematikave në raportet përfundimtare ndërkombëtare mbi zgjedhjet.
Berisha vlerësoi në mënyrë të veçantë deputeten Albana Vokshi për rolin e saj në përgatitjen e dokumentit, duke theksuar se çdo paragraf dhe provë janë shqyrtuar me kujdes.
FJALA E BERISHES
Sot, ne jemi këtu para jush, për të paraqitur para shqiptarëve publikimin e PD-së, të cilin kësaj here kemi preferuar ta quajmë ‘Farsa e madhe e majmur e zgjedhjeve në Shqipëri’.
Ky dokument i pashembullt në historinë e një farse elektorale në Europë dhe në botë, i hartuar me mbi 1500 faqe, dhe mbi 2 mijë e sa prova, dokumente, video, fotografi, të gjitha.
Një punë e jashtëzakonshme në radhë e strukturave të PD, të cilat kanë mbrojtur votën duke identifikuar çdo shkelje ligjore, çdo dhunim të votës, çdo ndërhyrje të krimit dhe me radhë.
Një punë e jashtëzakonshme nga ekipi që keni këtu para, që ka ndjekur, ka shqyrtuar, ka analizuar të gjitha këto dokumente dhe që janë dërguar online në qendrat ndërkombëtare të raporteve për zgjedhjet në Shqipëri, sapo paraqiteshin këtu.
Një punë të jashtëzakonshme në mënyrë të veçantë nga zonja Albana Vokshi, e cila në fakt del sot me këtë libër 1500 faqesh, e kaluar në çdo paragraf, në çdo rresht, në çdo dokument në duart e saj.
Kjo përpjekje përmbushi detyrimin dhe objektivin.
Edi Rama në mënyrë të pacipë kërcënoi vëzhguesit, na faktoni pak ku janë ato që keni shkruar.
Vëzhguesit e përgjegjshëm dhe të guximshëm nuk u tërhoqën.
Por ne u përpoqëm të japim modestisht kontributin tonë duke u dërguar atyre mijëra dokumente autentike, video, fotografi, procesverbale, në mënyrë që raporti i tyre të ishte raporti që damkosi në zgjedhjet përfundimtare.
Natyrisht ata kishin edhe të vetat, pa diskutim, të shumta, shumë të rëndësishme, por edhe ky raport, këto 1500 faqe që janë dërguar sapo shqyrtoheshin, kanë pasur vlerën e vet.
Raportin e keni online.
Cilido nga mediat e ka online.









