Pa njohjen personale me Edi Ramën, Ergys Agasi do të kish qenë veçse një drejtor i lodhur në skutat e administratës, që përpiqej të bënte ca vota për të mbajtur vendin e punës. Por nën efektin e Ramës që shpesh i ka shfrytëzuar të dehurit nga pushteti, Agasi u shndërrua në një kamikaz në shërbim të kryeministrit që sot po i bën llogaritë me drejtësinë.
Ka disa momente në dosjen hetimore të SPAK për skandalin e fondeve të AKSHI-t, kur Ergys Agasi bisedon vetëm për vetëm në zyrë me Ermal Beqirin, ortakun e besuar, me të cilin ndan çdo punë dhe të dy bashkë zhvasin dhjetëra miliona euro me tendera fiktivë. Bisedat janë të regjistruara në video në kompjuterin e Agasit, por në versionin e printuar të dosjes që ka siguruar Lapsi.al, regjistrimet janë të shkëputura, copëza komunikimi, ndonjëherë të vështira për t’u kuptuar.
Megjithatë, kaq sa janë, dallohet menjëherë mënyra arrogante, një lloj vetëkënaqësie që reflektohet në gjuhën e rrugaçit, mes sharjeve dhe fyerjeve, fjalor që Ergys Agasi e përdor për emra të njohur të Partisë Socialiste, që më herët kanë drejtuar dikastere të rëndësishme qeveritare.
E tillë është biseda e datës 26 janar të vitit 2025, kur përmendet emri i Ilir Beqajt. Ishte koha kur Beqaj ishte nën hetim nga SPAK për sterilizimin, ndërkohë që i kishin hapur edhe një dosje për faturat e restorantit “Gzona”. Ergys Agasi thotë se ai vetë mund t’i sistemonte gjërat me Ilir Beqajn “kshu pam pam pam pam”.
Përmendja e Ilir Beqajt nga Ergys Agasi në një bisedë në zyrën e tij në zonën e ish-Bllokut
Gjatë të njëjtës bisedë, fjalori degradon. Gjuha e Ergys Agasit përshkallëzohet në sharje dhe paralajmërime. Ai flet për një person të tretë, që me sa duket “do me i fut k… atij se nuk i rruhet k… shumë”. Gjithmonë flitet për Ilir Beqajn si viktimë që nuk do të përfundojë mirë.
Përmendja e Ilir Beqajt nga Ergys Agasi në një bisedë në zyrën e tij në zonën e ish-Bllokut
Me sa kuptohet, Ergys Agasi është në dijeni për fatin që e pret Ilir Beqajn disa muaj më pas. Biseda zhvillohet në fund të janarit dhe në datën 4 Korrik, Beqaj u vu në pranga për faturat e restorantit “Gzona”.
Para arrestimit, kishte një debat publik nëse mazhoranca po e lëshonte apo jo Ilir Beqajn, por duket se Ergys Agasi i ka pasur idetë e qarta se dikujt lart “nuk i rruhej shumë” për Beqajn.
Deputeti, Damian Gjiknuri, duke dale nga tryeza e thirrur per reformen zgjedhore
Po në të njëjtën dosje, është edhe një përgjim tjetër që i përket vitit 2019 dhe ku flitet për Damian Gjiknurin gjatë kohës që ky sapo kishte lënë postin e ministrit të Energjisë dhe Infrastrukturës.
Sipas dokumenteve hetimore, Ergys Agasi, në komunikime më 6 mars 2019 me Alqi Bllako, flet për një “situatë” ku ish-ministri Damian Gjiknuri dyshohet se kishte krijuar “pengesa” për grupin e tij.
Nga përmbajtja e bisedave të sekuestruara, SPAK identifikon se shkak ishte bërë një person i quajtur “Labi” që është Elgerti Bixha dhe qëAgasi synonte ta emëronte administrator në një shoqëri private, e cila kishte fituar një koncesion me ministrinë e drejtuar deri në vitin 2018 drejtohej nga Gjiknuri.
Prandaj në një mesazh të datës 06.03.2019, ora 21:54:43, Ergys Agasi shprehet tekstualisht:
“Do ja *i robt do fusim cunat pastaj.”
Pjesë nga dosja e SPAK për Ergys Agasin dhe AKSHI
Nga mënyra harbute se si flet Agasi për socialistët, është e natyrshme të bëhen disa pyetje: Si ka mundësi që ai ishte gati të dërgonte njerëz për presione ndaj një prej zyrtarëve më të rëndësishëm në Partinë Socialiste, siç ishte deri në atë kohë Damian Gjiknuri? Si shpjegohet që ai pret nga ish-ministrat socialistë, t’i binden sikur të ishin vartës të tij? Nga buronte kjo vetëkënaqësi dhe vetëbesim?
Arben Ahmetaj dhe Edi Rama në parlament
Një përgjigje gjendet në rrëfimet e ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj, i pari që e prezantoi Ergys Agasin publikisht si njeriun në hije pas Edi Ramës. Ahmetaj i veshi atij rolin e koordinatorit të krimit të organizuar dhe si ndërmjetës mes bandave kriminale dhe kryeministrit.
“A është Rama i lidhur me këto grupe kriminale? Nuk është vetëm i lidhur, por po të jap emrin e koordinatorit, Ergys Agasi. Është një tip që jeton në Durrës, pranë klanit të Durrësit. Tani është bërë për llogari të Ramës, koordinator i të gjithë grupeve. Agasi bën koordinatorin dhe pastaj ai i përdor për zgjedhjet. Ku i takon Rama? I takon edhe në zyrën e tij, në zyrën e mbledhjeve që ka në selinë e qeverisë. Unë nuk kam marrë pjesë sepse nuk kam pranuar kurrë të përfshihem. I kam parë pothuajse të gjithë. Personazhe nga Dibra, Durrësi, Elbasani… Po. Kapo të mafias” – tregoi Ahmetaj në rrëfimin për RAI3.
Në fakt, duke parë mënyrën se si flet Agasi për ish-ministrat socialistë merr kuptim edhe ankesa që Ahmetaj e bënte disa muaj më pas në Syri tv me Çim Pekën.
“Pse Partia Socialiste ka dalë të votojë për Gys Agasin që të komandojë Shqipërinë? Çfarë do Gys Agasi me kryeministrin në Arabinë Saudite dhe Davos? Çfarë përfaqëson ai? Le t’i kthemi socialisteve, mua më keni dashur urryer, por për Gys Agasin, keni votuar?” pyeste Ahmetaj duke njohur pushtetin e Gysit në Partinë Socialiste.
Mënyra si flet Ergys Agasi për Ilir Beqajn, paralajmërimi i nënkuptuar për fatin e tij penal dhe gatishmëria për të dërguar “cunat” kundër Damian Gjiknurit shkojnë përtej gjuhës prej rrugaçi të një biznesmeni të pasuruar me fondet publike. Ato janë simptomat e pushtetit që i kanë deleguar nga lart, me garancinë se ministrat janë poshtë tij në hierarki.
Në këtë këndvështrim, arroganca e Gys Agasit për socialistët është pasojë direkte e marrëdhënies së afërt me Edi Ramën, një afrimitet që i jep garancinë këtij rioshi aventurier se mund t’i mjelë institucionet shtetërore si lopë, të manipulojë tenderat, të pastrojë paratë me fatura fiktive, të përdorë policinë për të kërcënuar konkurentët, madje edhe të përdorësh bandat për t’i marrë peng.
Ergys Agasi
Pa njohjen personale me Edi Ramën, Ergys Agasi do të kish qenë veçse një drejtor i lodhur në skutat e administratës, që përpiqej të bënte ca vota për të mbajtur vendin e punës.
Por nën efektin e Ramës që shpesh i ka shfrytëzuar të dehurit nga pushteti, Agasi u shndërrua në një kamikaz në shërbim të kryeministrit që sot po i bën llogaritë me drejtësinë. Tani, SPAK e akuzon se përveç zhvatjes me tenderat, ka dyshime të arsyeshme se Ergys Agasi ishte organizator në pengmarrjen e Gerond Meçes, me lidhjet që të çojnë me grupin kriminal të Elbasanit “Çopja”./Lapsi.al