Tomorri: Duke i favorizuar, Rama i shndërroi pronarët e medias në investitorë strategjikë!
Një sistem i tërë dhe kapilar, i ngritur për të vënë median nën kontrollin e qeverisë, funksionon përmes shndërrimit të pronarëve të medias në “investitorë strategjikë”.
Kështu u shpreh gazetari Klodian Tomorri, i ftuar në emisionin ‘Task Force’ në Syri Tv, ku tha se kjo strategji i mundëson ekzekutivit të përdorë median, si një mjet për qëllimet e veta politike. Sipas Tomorrit, pronarët e tre mediave më të mëdha kombëtare në vend janë shpallur me ligj të veçantë “investitorë strategjikë”.
Qëllimi i këtij mekanizmi, siç argumentoi gazetari Tomorri, është krijimi i një iluzioni se nuk ekziston asnjë alternativë më e mirë se qeverisja aktuale.
“Britanikët kanë një shprehje për për këto raste: Nuk u vjetërua mirë, duke parë atë çfarë thotë zoti Bolino. Gjithsesi unë mendoj që faktet që publikohen, që praktikisht shpronësohet një tokë për llogari të një privati, është me të vërtetë diçka shumë e rëndë. Përtej linjës editoriale e cila pastaj, ka të bëjë me moralin. Por një media është e lirë të ketë linjën e vet editoriale.
Në këtë rast kemi të bëjmë me rrëmbim të aseteve publike apo në rastin më të mirë me favorizim, sepse e thashë, të shpronësosh për llogari private, shpronësosh prona për llogari private është me të vërtetë shumë e rëndë. Por ai është një sistem i tërë i ngritur. Mjafton të kujtojmë vetëm një fakt. Tre mediat kombëtare, ose më saktë pronarët e tre mediave kombëtare që konsiderohen si më të mëdhatë në vend, sot i kemi investitorë strategjikë. Pra janë shpallur me ligj të veçantë nga qeveria, investitorë strategjikë.
Kjo është mënyra se si ka operuar Edi Rama për ta futur median nën thembrën e tij dhe pastaj për ta përdorur për qëllimet e veta politike, për të goditur opozitën, për të krijuar atë, po themi, iluzionin e shpresës së munguar. Pra, këtu nuk ka më të mirë sesa Edi Rama, gjithkush tjetër që del edhe ta ta sfidojë Edi Ramën nuk është më i mirë se ai, e të tjerë e kështu me radhë. Pra, është një sistem i tërë kapilar i ngritur, i cili rrëmben paratë publike, i përdor për propagandë, për të blerë mediat, për t’i futur nën thundrën e qeverisë, ato para që ia rrëmben qytetarit, i përdor kundër qytetarit përmes blerjes së mediave.”









