Ndonëse qeveria e trumbeton si suksesin e saj më të madh, Fondi Monetar Ndërkombëtar parlajmëron se rritja e turizmit po i ngre një kurth me pasoja afatgjata ekonomisë shqiptare. Atë të produktivitetit të ulët.
“Shqipëria po përjeton një zhvendosje të vazhdueshme të punës drejt shërbimeve turistike, të cilat priren të kenë produktivitet më të ulët sesa prodhimi,” thotë FMN në raporti e fundit mbi ekonominë shqiptare.
Shqipëria po përjeton një ndryshim strukturor problematik në tregun e punës, ku një sektor me produktivitet të ulët po zëvendësohet nga një tjetër po me produktivitet të ulët punë.
Për dy dekada një pjesë e madhe e fuqisë punëtore ishte e punësuar në sektorin e fasonit me rroga minimale dhe pa potencial për rritje produktiviteti. Por tashmë që fasoni po shkon drejt shfarosjes, ai po zëvendësohet nga një tjetër sektor problematik në termat e produktivitetit të punës. Ky është turizmi.

Por turizmi nuk është problemi i vetëm se pse ekonomia shqiptare nuk udhëton dot shpejt. Rritja e produktivitetit dhe përmirësimi industrial kufizohen më tej nga shpenzimet e ulëta për Kërkim dhe Zhvillim.
“Boshllëqet në arsim dhe trajnim kanë një peshë të madhe. Pjesëmarrja në të mësuarit gjatë gjithë jetës është e ulët dhe rezultatet e nxënësve në PISA janë nën
mesataret e Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Europian. Shumë shkolla mbeten të pafinancuara dhe u mungojnë mësues të kualifikuar. Shkollat profesionale janë të pranishme vetëm në 20 nga 61 bashki, dhe angazhimi i punëdhënësve mbetet nën pritshmëritë,” vëren FMN.
Të dhënat zyrtare tregojnë se aktualisht prodhimi vjetor i një punëtori në Shqipëri është mesatarisht nën 20 mijë dollarë sipas standardit të fuqisë blerëse. Mesatarja e ekonomive fqinje të Ballkanit Perëndimor është 50 për qind më e lartë, rreth 30 mijë dollarë për punonjës, ndërsa në Bashkimin Europian, ky tregues është gati 70 mijë dollarë.

Ky miks faktorësh është fatal për rritjen e produktivitetit dhe mirëqënies. Përqëndrimi i ekonomisë në sektorët me produktivitet të ulët pune, përveçse dikton rroga të ulëta për një pjesë të madhe të punonjësve, frenon rritjen ekonomike duke e mbajtur ekonominë peng në kurthin e të ardhurave të ulëta.









