Bujqësia dhe industria në rënie, ekonomia mbahet nga sektorë të brishtë

Bujqësia dhe industria në rënie, ekonomia mbahet nga sektorë të brishtë

Mënyra se si po rritet Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) tregon se ekonomia po mbështetet gjithnjë e më pak te sektorët tradicionalë prodhues dhe gjithnjë e më shumë te shërbimet, ndërsa bujqësia dhe industria vijojnë të japin kontribut negativ në zgjerimin e ekonomisë.

Të dhënat e fundit nga INSTAT tregojnë se ekonomia u rrit me 3.75% në tremujorin e tretë në krahasim me të njëjtën periudhe të vitit te kaluar, teksa sektori i bujqësisë ra me -1.73% në të njëjtën periudhe dhe industria ra me -4.7 %.

Bujqësia po shfaq një rënie të vazhdueshme të vlerës së shtuar që nga viti 2021, duke reflektuar probleme strukturore që lidhen me fragmentimin e tokës, produktivitetin e ulët, mungesën e subvencioneve dhe presionet nga kostot.

Në të njëjtën kohë, industria përpunuese po mbyll vitin e tretë të rënies.

Të dy sektorët prodhues, si bujqësia dhe industria kanë pasur peshë të konsiderueshme në punësim dhe ekonominë totale.

Të dyja së-bashku bujqësia dhe industria kontribuan vetëm ne 23% të PBB-së në vitin 2024 nga 27.3% që ishte pesha e tyre në vitin 2019.

Kjo ecuri tregon se zgjerimi ekonomik nuk po shoqërohet me forcim të kapaciteteve prodhuese. Industria nxjerrëse dhe përpunuese po ndikohet si nga kërkesa e dobët e jashtme, ashtu edhe nga kosto më të larta në vend, mungesa e fuqisë punëtore.

Sakaq, rritja ekonomike po mbahet gjallë kryesisht nga sektorët e shërbimeve, si administrata publike, aktivitetet profesionale, financiare dhe disa segmente të tregtisë e shërbimeve të lidhura me turizmin.

Sipas ekspertëve kjo e bën rritjen më pak të balancuar dhe më të ndjeshme ndaj goditjeve, pasi mungon mbështetja nga sektorët që krijojnë vlerë të shtuar afatgjatë dhe që janë baza e eksporteve.

Të dhënat e fundit mbi PBB tregojnë se rritja mbështetet mbi baza të brishta. Rënia e bujqësisë dhe dobësimi i industrisë ngrenë pikëpyetje mbi cilësinë e rritjes dhe aftësinë e ekonomisë për të gjeneruar zhvillim të qëndrueshëm, punësim produktiv.

Rënia e prodhimit do të thotë gjithashtu se ekonomia po humbet aftësinë për të konkurruar në tregjet e jashtme. Eksportet kanë pësuar rënie vjetore me rreth 7% në 11 mujor dhe mbetën të përqendruara në produkte me vlerë të ulët të shtuar, duke e bërë rritjen më të varur nga importet dhe nga flukset e jashtme, si remitancat apo turizmi. Kjo e thellon deficitin tregtar dhe e bën ekonominë më të ekspozuar ndaj goditjeve të jashtme.

Nga ana tjetër sektori i prodhimit zakonisht ofron punë më të qëndrueshme dhe me potencial për rritje aftësish. Më rënien e prodhimit punësimi zhvendoset drejt aktiviteteve më informale ose me produktivitet të ulët./ Monitor/

Share it :