Albin Kurti fiton zgjedhjet në Kosovë
Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, Albin Kurti, e ka quajtur fitore të popullit të Kosovës rezultatin e sotëm në zgjedhjet e parakohshme.
Kurti, në konferencë për media, tha se fitorja në zgjedhje e ka bërë të qartë se duhet ecur përpara për formimin e institucioneve dhe pa vonesa, andaj e konsideron të domosdoshëm certifikimin sa më të shpejtë të rezultateve.
LVV, në bazë të rezultateve preliminare të KQZ-së, ka marrë 49.74 për qind të votave. Në këtë rezultat nuk janë të përfshira votat me kusht, të personave me aftësi të kufizuara dhe votat nga diaspora.
“Më 9 shkurt sivjet fitoi LVV-ja me partnerët, më 28 dhjetor 2025 fitoi populli i Kosovës dhe Republika. Urime fitorja më e madhe në historinë e vendit. Tash na presin shumë punë përpara dhe rezultati i sotëm na ka bërë të qartë se duhet të ecim përpara pa vonesa. Sa më parë që certifikohen rezultatet, aq më shpejt duhet t’i krijojmë institucionet dhe të vazhdojmë me punën e mirë dhe projektet e nevojshme”, tha ai.
Ai ftoi edhe partitë e ish-opozitës për bashkëpunim në legjislaturën e dhjetë, për miratim të marrëveshjeve ndërkombëtare.
Ftoj që tash partitë opozitare për bashkëpunim në Kuvend për marrëveshjet ndërkombëtare, për ligjet e mira që do t’i procedojmë dhe për interesin publik të qytetarëve të Republikës. Urime të gjithë qytetarëve, mërgatës dhe secilit pa dallim, e cila është në rrugë të mbarë të tejkalojë edhe 14 shkurtin e vitit 2021”, shtoi Kurti.
Duke folur për zgjedhjen e presidentit të vendit, ai tha se fillimisht do të bisedojë me presidenten Vjosa Osmani, mandati i së cilës skadon në prill të vitit 2026, e më pas edhe me partitë e tjera në Kuvend.
Mirëpo, Kurti tha se miratimi i marrëveshjeve ndërkombëtare që kërkon votën e 80 deputetëve në Kuvend është një test i rëndësishëm për bashkëpunimin e ardhshëm mes LVV-së dhe partive të tjera, që mund të determinojë edhe zgjedhjen e presidentit të vendit.
“Nuk do të vonohemi që të trajtojmë edhe këtë çështje. Duhet të bisedojmë edhe me opozitën për çështjen e presidentes apo presidentit të ardhshëm. Siç e kam thënë edhe mbrëmë në RTK, paraprakisht do të ulem dhe do të bisedoj me presidenten aktuale dhe më pastaj do të ndërmarrim edhe hapat e ardhshëm. Të ecim përpara bashkë, sepse dihet se si për marrëveshjet ndërkombëtare ashtu edhe për zgjedhjen e presidentit është e nevojshme të qëndrojnë së paku 80 deputetë në sallë, edhe nëse votojnë kundër. Ky nuk është hapi as i dyti, por i treti: paraprakisht certifikimi i rezultateve, që do të na bëjë të qartë përbërjen e saktë të legjislaturës së dhjetë të konstituuar. Të negocioni dhe t’iu jepni atyre janë gjëra të ndryshme, nuk mund të përdoren si sinonime, aq më pak në të njëjtën fjali. Natyrisht se duhet të bisedojmë me opozitën për çështjen e presidentit, por paraprakisht duhet të bisedojmë për marrëveshjet ndërkombëtare. Ato do të jenë një test i rëndësishëm për bashkëpunimin qeveri–opozitë në katërvjeçarin e ardhshëm”, theksoi Kurti.









