Zgjedhja e Avokatit të Popullit përfundon në GJK, Kalaja depoziton ankimimin për shkeljet e rënda
Procesi për zgjedhjen e Avokatit të Popullit është ankimuar në Gjykatën Kushtetuese. Avokatja Adriana Kalaja, njëra prej pjesëmarrëseve në garë, ka depozituar një kërkesë për të shpallur të gjithë procedurën si antikushtetuese, duke pretenduar se ajo është shoqëruar me shkelje të rënda ligjore.
Në një deklaratë për mediat nga ambientet e jashtme të Gjykatës Kushtetuese, Kalaja argumentoi se procesi bie ndesh jo vetëm me Kushtetutën, por edhe me ligjin organik për Avokatin e Popullit dhe me rregulloren e brendshme të Kuvendit të Shqipërisë. Sipas saj, shkeljet kanë nisur që në hapjen e garës më 13 tetor 2025 dhe kanë vazhduar deri në votimin e datës 1 dhjetor 2025.
“Kam konstatuar shkelje shumë të rënda, të cilat vijnë në papajtueshmëri me Kushtetutën”, deklaroi ajo. Për këtë arsye, i është kërkuar Gjykatës Kushtetuese konstatimi i papajtueshmërisë së procesit me parimet kushtetuese dhe shfuqizimi i tij si antikushtetues dhe antiligjor.
Krahas shfuqizimit, Kalaja ka kërkuar edhe pezullimin e të gjitha efekteve ligjore që ka prodhuar ky proces, deri në marrjen e një vendimi të formës së prerë nga Gjykata, i cili më pas do të duhet të botohet në Fletoren Zyrtare.
Një tjetër element i rëndësishëm i kërkesës së saj është përjashtimi i gjyqtares Marsida Xhaferllari nga trupi gjykues që do të shqyrtojë çështjen. Ky kërkim bazohet në faktin se Kalaja ka depozituar më herët një kallëzim penal ndaj gjyqtares në fjalë, duke iu referuar neneve 36 dhe 37 të ligjit për organizimin e Gjykatës Kushtetuese.
E pyetur mbi legjitimitetin e saj për të bërë një ankim të tillë, Kalaja u shpreh se i referohet neneve 131 dhe 134 të Kushtetutës, të cilat i japin të drejtën çdo individi, të cilit i preken interesat personale nga një proces apo vendimmarrje e organeve publike, të ankohet. Duke qenë se ka qenë kandidate në këtë proces, ajo theksoi se legjitimohet plotësisht në këtë nismë. Tashmë, fati i procesit për zgjedhjen e kreut të një prej institucioneve më të rëndësishme të mbrojtjes së të drejtave të njeriut mbetet në duart e Gjykatës Kushtetuese.
Adriana Kalaja: Lidhur me procesin e zgjedhjes së avokatit të popullit, ky funksion është një funksion kushtetues dhe aq më shumë që ka nene të të parashikuara në vetë Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, për mënyrën se si zgjidhet avokati i popullit. Ndërkohë, gjatë procesit të zgjedhjes së avokatit të popullit, që në momentin e hapjes së garës, datë 13 tetor 2025 dhe deri në momentin e votimit datë 1 dhjetor 2025, kam konstatuar shkelje shumë të rënda, të cilat vijnë në papajtueshmëri me Kushtetutën, vijnë në papajtueshmëri qoftë edhe me ligjin organik të avokatit të popullit, po edhe me rregulloren e brendshme të funksionimit të Kuvendit të Shqipërisë.
Në këto kushte, unë i kam kërkuar Gjykatës Kushtetuese sot, të konstatojë papajtueshmërinë e këtij procesi me parimet dhe nenet e Kushtetutës, qoftë edhe me ligjin organik, dhe nga ana tjetër të shfuqizojë të gjithë këtë proces si antikushtetues dhe antiligjor. Paralelisht me këtë kërkesë, unë kam sjellë dhe kërkesën për pezullimin e efekteve ligjore që ka prodhuar ky proces, derisa vendimi i Gjykatës Kushtetuese të marri formë të prerë dhe të botohet në fletoren zyrtare. Ndërkohë, siç jeni në dijeni edhe në, daljet e mia publike të mëparshme, nisur nga fakti që unë kam kallëzuar penalisht gjyqtaren Marsida Xhaferllari, në respektim të nenit 36 dhe 37 të ligjit për organizimin dhe funksionin e Gjykatës Kushtetuese, kam kërkuar përjashtimin e kësaj gjyqtare nga ky trup gjykimi. Jam shumë e bindur që Gjykata Kushtetuese do marri një vendim të drejtë, kushtetues, pasi shkeljet ligjore janë shumë të mëdha dhe janë në mospërputhje totale me parimet dhe dispozitat kushtetuese.
Pyetje: Zonja Kalaja, nisur edhe nga precedenti i kandidates për Gjykatë Kushtetuese zonjën Naureda Llagami, pse mendoni që ti dhe ju do të legjitimoheni për këtë ankim kushtetues?
Adriana Kalaja: Unë fillimisht jam referuar vetë parashikimeve të kushtetueses, të Kushtetutës, siç janë neni 131 dhe neni 134, ku legjitimojnë çdo individ, i cili i preken interesat personale apo individuale nga një proces i caktuar apo nga vendimmarrje të organeve publike dhe ky është rasti për sa kohë që unë kam qenë kandidate në në këtë proces….









