Maqedoni/ Presidenti Ivanov nuk tërhiqet nga vendimi, anulohet takimi i Vjenës

0
170

Presidenti i Maqedonisë George Ivanov nuk tërhiqet nga vendimi i tij për të falur 56 politikanë në hetim për  vepra penale.

Në një deklaratë për shtyp, Ivanov argumenton se   nuk ka gjetur asnjë bazë ligjore për tërheqjen e vendimit të tij, duke shtuar se vijon konsultimet me ekspertë juridik për gjetjen e zgjidhjes së mundshme.

“Nga konsultimet e bëra deri tani me ekspertët e shquar juridik në vend, ju informoj se nuk është gjetur bazë juridike për tërheqjen e vendimit. Konsultimet vazhdojnë në drejtim të gjetjes së zgjidhjes. I ftoj liderët e partive politike, nënshkrues të marrëveshjes së Përzhinës, që të përfshihen në këtë proces dhe të ofrojnë zgjidhje juridike që do të jetë në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet e Maqedonisë. Unë sikurse deri  tani, edhe në të ardhmen do të veproj vetëm në bazë të ligjeve dhe Kushtetutës”, thuhet në deklaratën e Ivanov.

Ndërkohë, mediat maqedonase njoftojnë se takimi i planifikuar i katër liderve të partive politike maqedonase në Vjenë është anuluar për shkak të mosprezencës së Zoran Zaev, kryetar i LSDM.

Sipas tyre, lajmi është konfirmuar nga një zëdhënës i Bashkimit Evropian. Zaev refuzoi të të marrë pjesë në këtë takim, duke kërkuar paraprakisht anulimin e zgjedhjeve më 5 qershor dhe anulimin e faljes së politikanëve nga presidenti Ivanov. Anulimi i takimit të Vjenës është konfirmuar edhe nga partitë politike.

Ndërkohë prokurorja Speciale, Fatime Fetai gjatë një konference për shtyp tha se ditët e fundit janë shtuar kërcënimet dhe metodat e ndryshme ndaj institucionit që po heton.

“Të gjithë atyre që po përpiqen të pengojnë punën e prokurorisë dhe prokurorëve iu bëjmë thirrje se drejtësia do të ndëshkojë cilindo që ka shkelur ligjin. Të gjithë janë të barabartë para ligjit. Do të luftojmë për drejtësi, sepse besojmë se ajo është në interes të vendit”, deklaroi Fatime Fetai.

Deklarata erdhi gjatë prezantimit të një çështje të re nga Prokuroria Speciale e quajtur “TNT” dhe ka të bëjë me prishjen e Qendrës tregtare “Cosmos” në pronësi të biznesmenit Fiat Canovskit.

Sipas Prokurorisë speciale,  Nikolla Gruevski dhe Mile Janakievski, që të dy tashmë të amnistuar në presidenti Ivanov, kanë pas për qellim të hakmerren ndaj Canovskit, pas largimit të tij nga qeveria dhe bashkimit me partinë kryesore opozitare LSDM.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here