Tryeza, biznesi – Ramës: Voto ligjin e Gjykatës së Lartë, po na penalizon

0
160

Gëzim Saliu

rama me biznesin

Kreu i PS-së: Për 9 muaj shlyej të gjitha borxhet publike të shtetit, do të heqim taksat e importit

Ndryshon qëndrim, Rama: Taksën progresive për bizneset do ta vendosim pas një viti

 

Biznesi shqiptar kërkon nga opozita që të votojë një nga tri ligjet e BE-së, atë për Gjykatën e Lartë, duke argumentuar se ky akt do të ndikonte mjaft pozitivisht në klimën e sipërmarrjes në vend. Në tryezën e organizuar nga PS-ja, ku kreu socialist Edi Rama prezantoi pikat kryesore të programit “Për një rilindje kombëtare” lidhur me biznesin, kryetari i Dhomës së Tregtisë, Nikolin Jaka, dhe kreu i Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku, deklaruan se votimi i këtij ligji do të zhbllokonte krijimin e Gjykatës Administrative, e cila përbën një shtysë të madhe për sipërmarrjen. “Të merret parasysh dhe të votohet ligji për Gjykatën e Lartë, pasi është një ligj që vë në funksion Gjykatën Administrative. Kjo do të jepte besueshmëri për këtë premtim që bëni ju për dialog dhe bashkëpunim me biznesin”, – bëri thirrje Jaka. Kjo kërkesë ka marrë përgjigje negative nga lideri socialist, i cili tha se biznesi nuk ka nevojë për një institucion të tillë, që, sipas tij, do të shërbente më shumë si thertore. “Koha do tregojë se jeni ju gabim apo jam unë gabim. Ajo gjykatë do jetë një thertore tjetër për ju e për të gjithë ata që theren në gjykata, se drejtësia sot është kthyer në mall, siç blihet në Gjykatën e Lartë dhe do shitet. Gjykata e merr dhe e shet drejtësinë. Nuk mund të ketë drejtësi nga dyert e gjykatave, por nga respektimi i ligjit e të drejtave me Kushtetutë nëse pushteti ekzekutiv shkel meritën e të gjithave, gjykata ça do bëjë, do adoptohet e sillet si një korporatë biznesi njësoj si ju. Janë njësoj si ju, por nuk quhen biznesmenë, por gjykatës”, – u shpreh Rama.

 

Programi për sipërmarrjen

Në tryezën e tretë me biznesin, pas takimeve të organizuara muajt e fundit me sipërmarrjen e lirë në vend, kreu socialist Rama premtoi shlyerjen e detyrimeve të shtetit ndaj privatëve brenda 9 muajve të parë, rikonceptimin e rimbursimit të TVSH-së për të shmangur vonesat, rishikimin e skemës së ndihmës ekonomike që e quajti taksa e votës, si dhe heqjen e referencave doganore. “Shlyerje e detyrimeve te qeverisë mbi çdo fushë. Brenda 9 mujorit të parë të gjitha borxhet e punëve publike do shlyhen dhe nuk do krijohet asnjë borxh i ri. Rimbursimi i TVSH-së është kërkesë juaj dhe reflektimi ynë është që, vetëm TVSH e parimbursuar, gjobat detyrimet publike të palikuiduara, vetëm këto e çojnë taksën e sheshtë në 22% të tatimfitimit dhe ne do rikonceptojmë të gjithë zinxhirin e TVSH dhe nuk do ketë më vonesa që administrata ka ndaj biznesit dhe do likuidohen në kohë”, – tha Rama. Sipas kreut të PS-së, sipërmarrësit sot ndodhen nën presion, si pasojë e taksave dhe e gjobave që i vendosen nga qeveria. “4.876 subjekte janë gjobitur me gjoba marramendëse, që përbëjnë 350% të të ardhurave të bizneseve. 280 milionë dollarë është gjoba, që u rëndon bizneseve. Përtej gjobës, si fakt financiar, qëndron e gjithë barra e presionit psikologjik mbi bizneset. Vazhdon presioni, pa asnjë ndryshim pas ankesave të hapura publike të biznesit dhe mosreagimi i qeverisë është absolutisht i qëllimshëm në këndvështrimin tonë. Jo më pak se 150 milionë euro është shuma e mbledhur për shkak të vonesave në rimbursimin e TVSH-së, bizneseve”, – theksoi ai.

 

Taksa progresive

Ndryshe nga deklarimet e mëparshme, në tryezën e djeshme Rama pohoi se ndryshimi i sistemit të taksimit për ndërmarrjet e mëdha, në rast se PS vjen në qeveri pas zgjedhjeve, do të bëhet pas vitit 2013. “Ne do ta vendosim në bazën e sistemit, qoftë mbi të ardhurat, qoftë mbi fitimin e kompanive, por me një ndryshim, që dëshiroj të gjithë ta dëgjojnë me vëmendje. Taksim i ndershëm si taksë progresive, e artikuluar në shkallë, bazuar në të ardhurat personale, do të aplikohet vetëm për të ardhurat personale. Ndërkohë që, ne do ta heqim taksën e biznesit të vogël dhe do të aplikojmë një taksim të ndershëm në dy nivele, duke ndarë biznesin e vogël me ndërmarrjet. Për taksimin e ndërmarrjeve dëshiroj t’ju siguroj se ai do të jetë në një nivel, ai do të jetë në këtë nivel që është deri në fund të 2013 dhe në fund të këtij viti ne do të ulemi bashkërisht dhe do të diskutojmë bashkërisht mbi një parim që unë dëshiroj të mbështetet e gjithë qeverisja jonë e ekonomisë, parimin që ky është Atdheu ynë i përbashkët, kjo është sfida jonë e përbashkët, këtu kemi detyrime të përbashkëta dhe jemi palë komplementare”, – pohoi kryesocialisti. Më tej, Rama e cilësoi taksën e sheshtë si një barrë për të ardhurat personale. “Gjëja e parë në krye të punëve ku ne besojmë se do jemi pas 23 qershorit do të jetë çlirimi i biznesit nga gjithë këta zinxhirë, hallka, mekanizma mbytës që e kanë sjellë ekonominë shqiptare në këtë derexhe. Taksa e sheshtë, kështu si është konceptuar, përbën një parimësi që nuk përputhet me vizionin dhe vlerat tona, ndërkohë që progresiviteti përbën një vlerë të patjetërsueshme në kontributin e çdo individi, bazuar në të ardhurat e tij personale”.

 

Punësimi dhe privatizimet

Sa i përket punësimit, Rama ripremtoi hapjen e 300 mijë vendeve të reja pune, duke nënvizuar: “Këtë gjë jemi të vetëdijshëm se do e realizojmë vetëm duke vlerësuar një partneritet të ri me biznesin në gjithë territorin e Shqipërisë”, – tha ai. Një tjetër çështje e trajtuar nga kreu socialist në tryezën me biznesin ishte edhe ajo lidhur me privatizimet, ku Rama bëri të ditur se PS do të rishikojë dhënien me koncesion të 4 HEC-eve. “Ne do mbështesim të gjitha ato kontrata koncesionare që janë bazuar tek ligji dhe me transparencë të plotë. Do rishikojmë të gjitha koncesionet, të gjitha. Do çojmë përpara të gjitha kontratat që janë në rregull dhe do zhbëjmë çdo koncesion që nuk ka zbatuar ligjërisht kontratën dhe nuk është futur në rrugën e zbatimit në mënyrë të pajustifikueshme. Nga ana tjetër nuk do lejojmë që të jetojmë më në tregun e zi të koncesioneve. Do të rishikojmë shitjen e HEC-eve për një copë bukë”.

 

 

Premtimet e Ramës në tryezën me biznesin

Shlyerja e detyrimeve të qeverisë mbi çdo fushë

Brenda 9-mujorit të parë të gjitha borxhet e punëve publike do të shlyhen dhe nuk do të krijohet asnjë borxh i ri

Rimbursimi i TVSH-së

Hapjen e 300 mijë vendeve të punës

Taksimi progresiv për ndërmarrjet do të vendoset pas vitit 2013

Rishikimi i dhënies më koncesion të 4 HEC-eve

 

Bregu: Rama, slogane boshe, nga 2009 PD ka hapur 200 mijë vende pune

Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, ka reaguar dje lidhur me tryezën e organizuar nga PS-ja me biznesin, duke i cilësuar premtimet e kreut socialist Edi Rama për taksat dhe punësimin si slogane boshe. “Ne flasim me fakte. Nga viti 2009, PD ka ndihmuar në krijimin e 200 mijë vendeve të punës. Këto vende punë janë reale. Janë krijuar nga lehtësitë fiskale, reformat liberalizuese, nga miliarda euro investime, nga sipërmarrja private, 4 miliardë nga investimet e huaja, dhe investimet e gjera publike në bashkëpunim me sipërmarrjen private, në rrugë, spitale, shkolla etj. Taksa jonë e sheshtë ka rritur numrin e bizneseve të vogla me 50% dhe bizneset e mesme me 150%. Pra është funksionale. Punësimi në sektorin privat është rritur me 30% nga viti 2006, vetëm në zonat formale. Papunësia ka rëne nga 14.1% në vitin 2005, në 13.2% në vitin 2012. Të ardhurat po rriten ndjeshëm në çdo familje”, – pohoi Bregu në rrjetin social “Facebook”.

 

Celibashi në PS, vë në dyshim aleancën e Ngjelës me Ramën

Një ndër prurjet më të fundit në Partinë Socialiste, ish-kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, mund të bëhet objekt i përçarjes mes kreut të PLD-së, Spartak Ngjela, dhe kryesocialistit Edi Rama. Ngjela, i cili në vitin 2003 konkurroi nën siglën e PD-së kundër Edi Ramës për postin e kryebashkiakut, ka hedhur në atë kohë një lumë akuzash ndaj Celibashit, duke e cilësuar bashkëpunëtor në vjedhjen e zgjedhjeve. Lidhur me këtë në një prononcim për “ABC News”, Celibashi nuk duket i shqetësuar, madje e cilëson aleancën mes Ngjelës dhe Ramës si momentale. “Nuk ka asnjë domethënie që për momentin partia e z. Ngjela është në koalicion me PS-në, sepse akoma nuk janë konsoliduar aleancat elektorale”, – tha ai. Ndërkohë, lidhur me rikthimin e tij në jetën politike aktive, ish-kreu i KQZ-së pohoi se këtë e ka bërë për të dhënë kontribut dhe jo për të përmbushur interesat personale. Ndërkohë, lidhur me shqetësimin e krijuar nga disa deputetë socialistë për përfshirjen e tij në listën e kandidatëve për deputetë, Celibashi theksoi: “Të mos tregohemi hipokritë, sepse është e kuptueshme që njerëzit të kenë pakënaqësi kur diskutohet për ta jo në përputhje me interesat e tyre, por vlera e çdo njeriu qëndron sa mirë dhe sa thellë i kupton këto vendimmarrje”.