Cana: Shqipëria nuk është inferiore

0
176

Altin Vorpsi

cana

Cana: Jemi një skuadër që jemi komplet tjetër brenda publikut dhe kjo tregon se nuk e kemi arritur ende identitetin e duhur nga pikëpamja e lojës dhe e personalitetit

 

Sfida ndaj Norvegjisë cilësohet si shumë e rëndësishme për kombëtaren shqiptare, jo vetëm për pikët, që mund të japin një renditje më të mirë në grup, por edhe në aspektin psikologjik, për një skuadër e cila ka perspektivë për të ardhmen. Ky është përkufizimi që jep Lorik Cana, duke siguruar se në Oslo do të jetë në fushën e lojës.

 

Ende për t’u përmirësuar

Kapiteni thekson se skuadra duhet të rikthejë besimin te vetja dhe të përmirësojë lojën e saj në transfertë, duke filluar që me Norvegjinë. “Jemi një skuadër që jemi komplet tjetër brenda publikut dhe kjo tregon se nuk e kemi arritur ende identitetin e duhur nga pikëpamja e lojës dhe personalitetit. Për këtë duhet të bëjmë punë si individë e skuadër, pasi shumë prej nesh luajnë jashtë dhe duhet të punojmë më shumë si një grup, – tha 29-vjeçari. – Jashtë fushës duhet të rrisim ambiciet tona, këto janë ndeshje të vështira, megjithatë nuk duhet të mendojmë për një ndeshje të vetme”. Me këtë deklaratë Cana u tregoi rrugën shokëve të ekipit tek Shqipëria. Sipas tij, secili prej lojtarëve që vesh fanellën kuqezi duhet që të përmirësohet.

 

Mavraj

Për mbrojtjen kuqezi pritet të jetë një ndeshje e vështirë, duke pasur parasysh shtatlartësinë e norvegjezëve. Përveç Canës, në këtë repart do të jetë edhe Mërgim Mavraj, që dje doli përkrah kapitenit të tij. Për qendërmbrojtësin e Fyrtit kjo nuk është një ndeshje finale, pasi përpara janë shumë takime. Mavraj bën të ditur se ekipi nuk duhet të shqetësohet për kundërshtarin, por të luajë sipas mënyrës së vet. Për mbrojtësin ky është një rikthim në kombëtare pasi mungoi në miqësoren ndaj Gjeorgjisë për arsye dëmtimi. “Ndeshje me një rëndësi të madhe kështu që do shkojmë në Norvegji për të fituar, jo për të arritur një barazim. Jemi të përgatitur mirë, do japim maksimumin, të tregojmë veten në mënyrë të mirë dhe pastaj çdo skuadër e ka të vështirë për të ndenjur te fitorja”, – tha Mërgim Mavraj.

 

 

Lorik Cana nuk njeh limite: Duam finalen e Ligës së Evropës

Pas shumë e shumë peripecish, Lorik Cana tregoi për mediat italiane se është një “i fortë”, pasi vetëm këto të fundit kanë si virtyt durimin. Lorik Cana më në fund ka shpërthyer, ai është bërë tani një element nga i cili Lacio nuk mund të privohet. Në këtë periudhë të keqe që po kalon “shqiponja” bardhekaltër, kush më mirë se Cana mund të shkundë ekipin: “Jemi në finalen e Kupës së Italisë dhe duam që të arrijmë edhe finalen e Ligës së Evropës. Sa i përket kampionatit, mendoj se ne në këto takime të fundit kemi lëshuar disi terren për faj të lodhjes fizike. Me këtë që thashë nuk dua që të hedh tutje gjithçka, prandaj jam i mendimit se jemi në rrugën e duhur për të marrë vendin e tretë. Momenti më i rëndësishëm i edicionit nis tani”. Si një lider i vërtetë, Cana ka “ndërsyer” të tijtë që i pret një muaj i nxehtë. Mes 30 marsit dhe 28 prillit, Lacio do të sfidojë Katanian, Fenerbaçen, Romën, përsëri Fenerbaçen, Juventusin, Udinezen dhe Parmën. Kësaj serie të pafund takimesh mund t’i shtohet edhe një, nëse bardhekaltrit  mundin skuadrën turke. Më 25 prill është parashikuar që të luhet gjysmëfinalja e parë e Ligës së Evropës.

 

 

 

Parullat fyese

Disiplina gjobit Tiranën

Komisioni i Disiplinës i Federatës Shqiptare të Futbollit dënoi me 300 mijë lekë gjobë skuadrën e Tiranës për shkelje të nenit 66 pika 1 dhe 2 të Kodit të Disiplinës Sportive. Gjoba u vendos për shkak të parullave të shpalosura në stadium dhe thirrjeve fyese të tifozëve të Tiranës në ndeshjen e javës që kaloi. Një tjetër penalizim në mbledhjen e së mërkurës së këtij komisioni u penalizua me 500 mijë lekë gjobë zv.trajneri i skuadrës së Shkumbinit, Klodian Dervishi, për ofendim të gjyqtarëve dhe ekipit kundërshtar. Veç kësaj, Dervishi u dënua edhe me 8 javë pezullim nga ndeshjet e Superligës. Masa disiplinore u ndërmorën edhe ndaj skuadrave që luajnë në kategoritë inferiore si Turbina, Përmeti dhe Këlcyra.

 

Greqi

Edhe AEK pezullon “nazistin”

Jorgo Katidis, futbollisti i cili festoi një gol të tijin me një përshëndetje naziste, është pezulluar deri në fund të sezonit edhe nga klubi ku aktivizohet aktualisht, AEK-u i Athinës. Katidis, i cili është pezulluar përjetë nga kombëtarja e Greqisë për këtë gjest, ka marrë një tjetër dënim të rëndë që nuk do ta lejojë të luajë më futboll deri në përfundim të sezonit aktual. “AEK-u ka vendosur të lërë jashtë skuadre futbollistin Jorgo Katidis deri në përfundim të kampionatit 2012/2013. Ky është dënimi më i rëndë i mundshëm”, – shkruhet në një komunikatë të klubit grek. Gjithashtu, nuk është e sigurt vazhdimësia e 20-vjeçarit në skuadër edhe pas përfundimit të sezonit: “Vendimi për vazhdimësinë e tij do të merret në verë, pasi t’i jepet mundësia të tregojë se sjellja e tij ishte fryt i papjekurisë”. Vetë futbollisti kërkoi falje pasi kuptoi impaktin që pati gjesti i tij: “Ndihem shumë keq për ata njerëz që janë ofenduar nga budallallëku i gjestit tim”.

 

Formula 1

Caterham nuk do të tërhiqet

“Investimet që kemi realizuar për makinën e re janë prova më e qartë që skuadra jonë nuk ka asnjë qëllim që të tërhiqet nga Formula 1”. Ky ishte përgënjeshtrimi që shefi i skuadrës Caterham, Riad Asmad, u bëri zërave për mundësinë e tërheqjes së ekipit të tij, ish-skuadra Lotus, në fundin e sezonit aktual. “Përse do të harxhonim shuma të tilla, nëse do të tërhiqeshim”, – pyeti Asmad. Caterham F1, skuadra që nuk arriti të grumbullonte asnjë pikë në sezonin e shkuar, ndonëse kishte dy pilotë ekspertë si Kovalajnen e Truli, përfaqësohet në këtë sezon prej dyshes Van der Garde dhe Pic.

 

Formula 1

Lauda kritikon gomat

Niki Lauda, tre herë kampion bote në Formulën 1 dhe aktualisht aksioner i skuderisë Mercedes, ka kritikuar ashpër gomat “Pirelli”, të cilat në garën e Australisë treguan se konsumohen shumë shpejt.

“Situata që është krijuar aktualisht prej gomave është qesharake. Po provokohen ndalesa në bokse artificialisht dhe kjo nuk ka kuptim”, – theksoi Lauda për “Bild”. “Shumica e njerëzve që ndjekin Formulën 1 nuk po kuptojnë se çfarë po ndodh gjatë garës. Nuk është faji i “Pirelli”-t, sepse ata bëjnë goma sipas porosive të FIA-s (Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit)”, – shtoi Lauda. “Kur gomat janë kaq të buta, është keq për garat. Kur ka më shumë se dy ndalesa në bokse, nuk merret vesh se çfarë po ndodh”, – përfundoi komentin e tij Niki Lauda.